Kolegji Zgjedhor nuk është Gykatë Kushtetuese

539
Sigal

Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetenca të gjykojë dhe as të bëjë ekzistent një prooces zgjedhor të shfuqizuar me dekretin e Presidentit të Republikës. Flasin ekspertët e çështjeve zgjedhore; Prof. Dr. Kristaq Kume, Ylli Manjani dhe Ivi Kaso

Prof. Dr. Kristaq Kume, drejtor   ekzekutiv  i Institutit Shqiptar për zhvillimin e Sistemit të zgjedhjeve

Platformë  për zgjidhjen e krizës:  Reformë e thellë në gjithë korpusin legjislativ

Kriza aktuale me të cilën po përballet vendi ynë është një krizë shumë dimensionale, me efekte politike e sociale, që mund të sjellin pasoja të mëdha negative në zhvillimet aktuale dhe afatmesme në shoqërinë shqiptare. Vlerësojmë se kjo krizë është pasojë e problemeve të mëdha që ka legjislacioni ynë të rrjedhura nga ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008, keqpërdorim   i pushtetit, mungesa e vullnetit për të ndërtuar shtetin ligjor dhe mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, sjellja e partive politike dhe qeverisja jo efektive që gjithmonë e më shumë po distancohet nga interesat e popullit. Deklarimet dhe qëndrimet politike të mazhorancës dhe opozitës deri sot, jo vetëm që kanë pamundësuar zgjidhjen e krizës politike por përherë e më shumë po kontribuojnë në ashpërsimin e saj. Kriza tenton të marr përmasat e një krize sociale, duke u shndërruar në krizë të thellë të demokracisë me efekte negative afatgjata për të gjithë shoqërinë tonë. Për të zgjidhur këtë krizë dhe, me vëmendjen dhe kujdes të shtuar, për të parandaluar rishfaqen e krizave të tilla në shoqërinë tonë, është e domosdoshme që partitë politike të mazhorancës dhe opozitës, të demonstrojnë vullnet të plotë politik për të kapërcyer barrierat që gjenerohen nga interesat politike të tyre dhe nga gara për pushtet.  Duke e konsideruar zgjidhen e krizës dhe parandalimin e riciklimit të saj, si nevojë të domosdoshme për zhvillimi dhe për realizimin e objektivave që kemi si shtet anëtar i NATO-s dhe vend që aderon hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, propozojmë si platformë për veprim:

  1. Palët, mazhorancë e opozitë, të shprehen dakord dhe të pranojnë të angazhohen për realizimin e një reforme të thellë në gjithë korpusin legjislativ të vendit. Objekt i kësaj reforme duhet të jenë Kushtetuta dhe legjislacioni që rregullon çështje që janë të lidhura me sistemin qeverisës të vendit, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjen e Presidentin nga populli, institucionin e Kryeministrit, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe Kodin zgjedhor, ligjin për referendumet, ligjin për partitë politike, etj…,
  2. Reforma legjislative duhet të ketë si objektiv themelor të saj krijimin e kushteve ligjore dhe institucionale për të bërë reale dhe të zbatueshme parimet e demokracisë përfaqësuese dhe demokracisë së drejtpërdrejtë si dhe zhvillimin e kapaciteteve të shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës.
  3. Palët bien dakord qe reforma legjislative të kryhet si një proces gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen dhe kontributin e partive politike, organizatave nga shoqëria civile dhe trupave akademike te vendit.
  4. Asistenca e institucioneve ndërkombëtare në realizimin e reformës legjislative të konsiderohet dhe kërkohet.

Për të bërë funksionale këtë platformë edhe për të realizuar objektivat e saj, është e domosdoshme që palët, mazhorancë e opozitë, të materializojnë vullnetin për bashkëpunim nëpërmjet kompromisit, objekt të të cilit mund të jenë:

– Palë bien dakord të trajtojnë çështjen e kthimit në Kuvend të deputetëve të PD dhe LSI që kanë dorëzuar mandatet.

-Palët bien dakord që reforma të zhvillohet si një proces me vendimmarrje që do të mbështetet në konsensusin e palëve.

-Palët bien dakord që reforma legjislative të zhvillohet si një proces intensiv mbarëshoqëror brënda një periudhe kohe të arsyeshme, 3-4 muaj.

– Zgjedhjet për organet e qeverisjes lokale dhe zgjedhjet për Kuvend të zhvillohen vetëm pas realizimit të reformës legjislative.

Manjani: Kolegji Zgjedhor nuk ka fuqi ligjore të bëjë ekzistent një proces zgjedhor të shfuqizuar nga Presidenti i Republikës

Sot Kolegji zgjedhor do të shqyrtojë kërkesën e një partie që kërkon të çregjistrohet nga procesi zgjedhor. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka sqaruar se nga ana ligjore, Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë ankesën e subjekteve politike jashtë një procesi zgjedhor.

Ish ministri i Drejtësisë Manjani thotë, se për aq kohë sa nuk jemi në një proces zgjedhor, nuk ekziston debati nëse ka apo jo të drejtë një subjekt të largohet. Ylli Manjani: Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë ankesa të subjekteve politike jashtë procesit zgjedhor. Formalisht pas Dekretit të Presidentit ne nuk jemi në proces zgjedhor. Ndaj debati ka apo jo të drejtë një subjekt të largohet apo të rrijë në zgjedhje nuk ekziston për sa kohë që s’ka zgjedhje. Në të shkuarën janë shqyrtuar kërkesa të tilla, por gjithnjë brenda një procesi apo periudhe zgjedhore. Rasti këtë radhë nuk është njësoj, sepse formalisht jemi jashtë procesit. Fakt është se nuk ka ende një datë zgjedhjesh. Fakt është gjithashtu se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në fuqi. Fakt është se fuqinë e këtij dekreti e anulon ose vetë Presidenti ose Gjykata Kushtetuese. Për sa kohë dekreti është në fuqi, Kolegji Zgjedhor nuk ka juridiksion të shqyrtojë mosmarrëveshje që lidhen me një proces inekzistent. Nga ana tjetër Kolegji nuk ka fuqi ligjore të bëjë ekzistent një proces të tillë, qoftë dhe indirekt siç pretendon partia në pushtet. Pra duke pranuar gjykimin e kërkesës së zotit Idajet Beqiri kundër KQZ Kolegji gabon, sepse; së pari, ajo mosmarrëveshje nuk lidhet me një proces zgjedhor legjitim dhe, së dyti, indirekt merr një kompetencë të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se mund të mos shprehet për legjitimitetin e dekretit. Ndaj rruga e vetme e ligjshme është pushimi i gjykimit të çështjes. Ose, nëse duan ta gjykojnë, do duhet ta pezullojnë gjykimin dhe t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese interpretimin përfundimtar, është apo jo Kushtetues Dekreti i Presidentit. Vetëm kështu mund të shqyrtohet ajo çështje në mënyre korrekte sipas ligjit.

Ivi Kaso, sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së: Kryeministri nuk merr dot kompetencat e Gjykatës Kushtetuese

 

Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të gjykojë sot dekretin e Presidentit

 

Sot Kolegji Zgjedhor dot ë shqyrtojë ankesën e një partie politike të ASHE, e cila kërkon që të çregjistrohet nga lista zgjedhore e 30 qershorit. Mirëpo kjo është një taktikë e Kryeministrit Rama, që e çon dekretin e Presidentit të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, duke kërkuar që kjo gjykatë zgjedhore të marrë atributet e Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, dekretet e Presidentit dhe ankimimet për ligjet i gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese.

 

 

PD: Dekreti i Presidentit i detyrueshëm të zbatohet

 

Sekretari për çështjet zgjedhore të PD-së Ivi Kaso, dje deklaroi: Dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e 30 Qershorit si dita e zgjedhjeve lokale në Shqipëri është botuar në Fletoren Zyrtare. Ai është në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kundër këtij Dekreti nuk ka asnjë ankimin as në Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo nuk ekziston, as në gjykatat e tjera të vendit, përfshirë edhe Kolegjin Zgjedhor. Edi Rama ka vetëm një rrugë për të shpallur të pavlefshëm Dekretin e Presidentit: ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

 

PD: Rama nuk bëhet dot Gjykatë Kushtetuese

Rolin dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i marrë as Edi Rama, as kamikazët e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, as Kolegji Zgjedhor, siç ka paralajmëruar Kryeministri I votave të vjedhura me krimin. Edi Rama gënjeu publikisht, kur pohoi për Radio Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kur aktet e Presidentit të Republikës lidhen me zgjedhjet, këto akte shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor. Praktikisht, ai ka paracaktuar vendimin e Kolegjit. Edi Rama: “Gjykata kushtetuese e ka dhënë opinionin e vet disa vite më parë dhe ka nënvizuar se aktet e presidentit janë akte individuale, të cilat kur lidhen me zgjedhjet, adresohen në gjykatën përkatëse, që është Kolegji Zgjedhor dhe askund tjetër!” Ky është një mashtrim që nxjerr zbuluar skenarin e Edi Ramës për të ndërtuar një shtet privat, me institucione private, që marrin vendime në emër të interesave të pushtetit të tij kriminal dhe jo në emër të Republikës. Kolegji Zgjedhor nuk merr dot në shqyrtim kushtetutshmërinë apo ligjshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Edi Rama mund të kontrollojë vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, mund t’i shantazhojë gjyqtarët e këtij Kolegji me vetting, por nuk e ndryshon dot realitetin se data 30 Qershor nuk është më datë zgjedhjesh lokale në Shqipëri. Çfarëdo vendimi, nën shantazhin e procesit të vettingut, të marrin nesër anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, asgjë nuk e ndryshon faktin se 30 Qershori është një datë e shfuqizuar nga Dekreti në fuqi i Presidentit. Kjo vetëm sa thellon bindjen se për sa kohë Edi Rama është Kryeministër, në Shqipëri nuk mund të ketë asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë dhe ne do të vijojmë pa asnjë hap pas, deri në fitoren e kësaj beteje, që afron Shqipërinë me Evropën dhe mbron dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.​