KLD miraton shtimin e 6 gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit Administrativ

539
Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi sot vendimin për shtimin me 6 gjyqtarë në organikën e Gjykatës së Apelit Administrativ. Ndërkohë, në mbledhjen e drejtuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u miratuan dhe një sërë vendimesh të tjera, siç ishte dhe ai për dorëheqjen e gjyqtarit në Pogradec, Liradin Lila si dhe u rrëzua kërkesa për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kavajës, O. A.

NJOFTIMI I KLD
Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi projekt-vendimin për disa shtesa dhe ndryshime të vendimit nr. 227/2, Për funksionet drejtuese në gjykata”. Pas miratimit të ndryshimeve, Këshilli zgjodhi Astrit Haxhialushi dhe Albana Shtylla si anëtarë të komisionit për vlerësimin paraprak të kanditaturave për funksionet drejtues në gjykata. Në vijim të rendit të ditës, Këshilli miratoi programet e përgatitura nga Kryeinspektori i KLD, “Për vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarëve dhe të inspektorëve që duhet të vlerësohen përgjatë vitit 2016” dhe “Mbi përcaktimin e kryetarëve të gjykatave që do t’i nënshtrohen vlerësimit për dy vjet në detyrë gjatë vitit 2016”.
Mbledhja vijoi me caktimin e Petrit Çomo dhe Gerd Hoxha, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në përbërje të Grupit të Punës për Sistemin e Pikëzimit, për vitin 2016, si dhe caktimin e Artan Broci si përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Komitetin Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vijoi me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, të Pashk Gjaci dhe si kryetar të Gjykatës së Parë Pukë, Izet Kadana.
Këshilli vendosi rikthimin në vendin e mëparshëm të punës, pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër të Izet Salaj. Më pas Këshilli rishpalli dy vende vakante për inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe një vend vakant për inspektorë pranë këtij Inspektorati. Gjithashtu Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për kryerjen e inspektimit të përbashkët me Inspektoratin e KLD-së, ndaj veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Korçë, S.K.
Në vijim të mbledhjes, KLD shqyrtoi dhe miratoi kërkesën për dorëheqje nga detyra e gjyqtarit, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Liradin Lila, si dhe miratoi propozimin e ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendit vakant për gjyqtar, në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe një vendi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë. Bazuar në informacionin e Prokurorisë për Krime të Rënda, në referencë të përcaktimeve të nenit 147 të Kushtetutës, si dhe nenit 20 të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, anëtarët e Këshillit vendosën të shkarkojnë nga detyra P.A, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe shpalljen e vendit vakant në këtë gjykatë.

Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e Këshillit shqyrtuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtares të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, E.D. Në përputhje me procedurën, pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesit të gjyqtares, Këshilli duke pasur në konsideratë që ndaj gjyqtares E.D, ka një hetim penal, vendosi të pezullojë shqyrtimin e procedimit disiplinor, deri në momentin që ndaj gjyqtares të ketë një vendim gjyqësor. Në vijim të mbledhjes, Këshilli rrëzoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O.A.
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.
Sigal