Kejdi Mehmetaj: Shqipëria po shitet për pushtet

618
Klaudia Malaj

Kejdi Mehmetaj: Rama mund të shesë edhe kombin për interesat e tij
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj tregon për arritjen e parë të protestës së 27 janarit, të cilën e cilëson edhe si lëvizjen e parë që do të rrëzojë Ramën nga pushteti. 
Aktualisht është mandati juaj i dytë dhe keni pasur mundësi ta shihni qeverisjen edhe më nga afër. Sipas jush, përse në mandatin e dytë të Ramës ka më shumë revolta kur ndjehet vërtetë; papunësia dhe mbyllja e bizneseve? 
Sepse gradualisht qytetarët po fillojnë të ndjejnë pasojat e keqqeverisjes së Ramës. Sepse rritja e taksave dhe mungesa e investimeve të huaja po bën që shumë biznese të mbyllen dhe shumë shqiptarë të mbeten të papunë. Sepse të ardhurat publike nuk po kthehen më tek qytetaret në formën e investimeve, por po futen në xhepat e oligarkëve dhe Ramës përmes koncesioneve dhe PPP-ve. Sepse çmimet janë rritur vit pas viti, (fatura e energjisë elektrike, fatura e ujit të pijshëm, fatura e ushqimeve bazë) ndërkohë që rrogat mbeten të njëjta. Sepse reforma në arsimin e lartë është kthyer në makthin e pedagogëve dhe studentëve. Sepse koncesionet korruptive në shëndetësi kanë bllokuar gjithë investimet në këtë sektor, duke bërë që të mungojnë edhe shërbimet më kryesore. Sepse shqiptarët u ndërgjegjësuan, që pas fasadave dhe showt kryeministror nuk gjen asgjë tjetër, veç përfitime personale të kryeministrit dhe ministrave të tij. 

Opozita e bashkuar paralajmëroi protesta dhe vijimësi të tyre, siç është shprehur edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Cila do jetë kryefjala e protestave të ardhshme? 
Opozita duhet të shërbejë si amplifikator i zërit qytetar dhe, si rrjedhojë, kryefjalën e protestave duhet ta definojnë vetë qytetarët. Unë kam ndjerë një serë çështjesh, të cilat kanë shkaktuar revoltë tek qytetarët, disa ndoshta janë më të ndjeshme se të tjerat. Pra e kam fjalën për ato mbizotërueset si: Papunësia, kriminaliteti dhe shpërdorimi i pushtetit. Megjithatë, të mos harrojmë që kjo qeveri ka krijuar mjaft dëme për qytetaret dhe në nivelin lokal. Shqetësimet e tyre janë të ndryshme. Për shembull, të shqetësuar për zullumet e saj janë; naftëtarët, minatorët, studentët, bizneset e vogla etj. Po ashtu, në plan kombëtar është marrëveshja me Greqinë dhe problemet e kësaj qeverie dhe prokurorisë së kapur prej saj në zbatimin e ligjit. 

Mendoni se përmes revoltës qytetare dhe protestave mund të rrëzohet qeveria Rama? 
Padyshim që po. Ramën tashmë e kanë rrëzuar bëmat e tij, qytetarët nëpërmjet reagimit të tyre demokratik do japin verdiktin përfundimtar. Jam e bindur se kështu do të ndërtojmë edhe një erë të re të shtetit shqiptar dhe politikës mbi të gjitha, ku qytetari është ai që realisht vendos dhe kontrollon të zgjedhurit e tij. Mbas 27 vitesh tranzicion shqiptarët e meritojnë t’u kthehet forca e tyre e padiskutuar si sovranë të vendit. 

Çështja e detit, 12 milje tashmë për Greqinë. A do të këtë një reagim LSI-së për këtë çështje apo ndonjë protestë të dytë? 
Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasur disa reagime lidhur me marrëveshjen që qeveria shqiptare po negocion me qeverinë greke. Ne gjykojmë, që pas arrogancës dhe mungesës së transparencës nga ana e qeverisë, qëndrojnë disa të vërteta, të cilat do të ishin të hidhura për shqiptaret. Javën e kaluar u përballem me gënjeshtrat e pafundme të ministrit Bushati, të cilat menjëherë u dekonspiruan nga ministri i Jashtëm grek. Ne kemi kërkuar transparencë nga ana e qeverisë, por qeveria ka frikë nga e vërteta, sepse me ç’duket kjo qeveri me në krye Edi Ramën është e aftë të shesë edhe kombin me çmim shumë të ulët për hir të interesit të saj vetjak. Nuk ka asnjë dyshim që është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të këtë raport bashkëpunimi me vendet fqinje, e sidomos me Greqinë në të cilën jeton një nga komunitetet më të mëdha shqiptare, por ky raport bashkëpunimi nuk mund të ngrihet mbi një kosto kaq të madhe për vendin tonë.

Si një zë i fuqishëm i rinisë, cila do ishte këshilla juaj që ata të mos largohen nga vendi për të gjetur një punë diku në Evropë apo më gjerë? 
Unë gjithsesi do t’i ftoja të përpiqeshin për të arritur ëndrrën e tyre këtu. Shqipëria i ka të gjithë shanset për të qenë vendi i ëndrrave tona, por jemi ne që duhet të luftojmë me idealizëm për ta ndryshuar këtë realitet. Duhet të besojmë tek njeri-tjetrit dhe t’i japim forcë shoku-shokut. Asgjë nuk arrihet në mënyrë të menjëhershme, por me aksione të vogla, të përditshme mund të bëjmë ndryshimin e madh. 
Sigal