ISHSP: Deputetët pa imunitet në 24 vjet

477
Sigal

Koment i Drejtorit Ekzekutiv, Afrim Krasniqi:  U Dënua vetëm ai që qëlloi me armë në Parlament

Prokuroria lajmëroi një konferencë të jashtëzakonshme shtypi për të komunikuar nisjen e hetimeve për tre deputete! Prisnim të bëhej fjale për rastet e bujshme korruptive, por jo. Prokuroria nuk zhgënjeu në traditën e saj, – përzgjodhi raste që nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet me qytetarët dhe interesin publik, – por me marrëdhëniet e dhunshme në Parlament dhe paditë policore ndaj deputeteve! Përpara se të emërohej ky parlament kishim paralajmëruar: ai do jetë i dhunshëm! Dhe fatkeqësisht është i dhunshëm ne retorike, ne arrogance, ne përbërje dhe ne imazhin e tij publik. Dhuna nuk ka lidhje me demokracinë as si retorike dhe as si veprim, – ndaj meriton distancim dhe gjykim!

Po çfarë na dëshmon historia 24- vjeçare e Parlamentit shqiptar? Cilët u gjykuan dhe u dënuan? A janë politikanët qytetarë të thjeshtë dhe a vlen tek politikanët parimi kushtetues “secili i barabartë përpara ligjit”. Le të flasin vetë të dhënat: tabela e marrë nga Instituti i Studimeve Politike dëshmon të gjithë praktikën e kërkesave për heqjen e imunitetit parlamentar dhe pasojat që patën ato. Cili u dënua? Vetëm ai që qëlloi me armë kundër kolegut, – ndonjë tjetër, edhe kur u dënua pas ca kohësh mori pafajësi! Për shumicën dosja u mbyll, – ca për shkak të afateve, ca për shkak të mungesës së provave, ca për shkaqe të tjera….rëndësi ka që u mbyll dhe ata janë e mbeten zyrtarisht të pafajshëm!
Imagjinoni çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë, – ata që nuk kanë imunitet politik dhe nuk bëjnë pjesë në lobet politike vendimmarrëse! Imagjinoni çfarë i bën prokuroria dhe gjykata një qytetari, i cili mund të kundërshtojë policinë ose mund të akuzohet për një vepër penale sado modeste! Imagjinoni kalvarin e gjyqeve dhe rikujtoni në mënyrë simbolike rastin e Shkodrës, kur një person u mbajt padashje në burg katër vjet më shumë sesa afati zyrtar i dënimit, për shkak se ia llogariten vitet gabim!
Ata janë zgjedhur për të na shërbyer  dhe sapo erdhën me rotacion në pushtet, na deshën vetëm për shërbëtorë! U bënë të paprekshëm, arrogante, super të pasur, aleate me botën e krimit dhe me drejtësinë, shpërfillen institucionet dhe ligjin dhe krijuan atë qe kushdo sot e ndjen dhe e thonë me zë te larte: oligarkinë shqiptare! Të pasur, arrogantë, të paprekshme dhe më të fuqishme sesa ligji!
Tabela ilustron shumë: sesi peshqit e mëdhenj kontrollojnë gjithçka dhe sesi disa emra politikanesh të ndershëm zgjidhen nga të tjerët që të jenë viktimë e lojërave/pazareve politike të radhës! Kjo praktikë duhet të marrë fund, sa më parë aq më mirë. Vendi ka nevojë për politikë të pastër, për institucione të besueshme, për standarde të njëjta si me qytetarët ashtu edhe me politikanët, për akte konkrete anti-korrupsion dhe për çlirimin e vendimmarrjes kushtetuese nga presionet/interesat e errëta të informalitetit, – pra ka nevojë për gjithçka nuk e kemi, e qe nëse duam të jemi realisht pjesë e familjes europiane, – duhet ta kemi!

    * ISHSP ( Albanian Institute of Political Studies )

 deputetet 1