PD “parti kanunore” me 53 meshkuj në krye, asnjë femër drejtuese në rrethe

663
Sigal

PD, kongres me skenar të parapërgatitur prej kupolës drejtuese, për të mos humbur komandimin e partisë

 Nesër PD, nis kongresin e saj kombëtar të drejtpërdrejtë me anëtarësinë, pasi ka zhvilluar zgjedhjet brenda saj në nivel seksionesh, grup-seksionesh e rrethesh. Zgjedhjet në strukturat e bazës së PD, u quajtën “të reja” edhe pse në krye të strukturave drejtuese në rrethe, në 90% të degëve u zgjodhën individë dhe “garda e vjetër” e saj, madje që nuk honepsen as nga anëtarësia në bazën demokrate. Zgjedhjet në bazën e PD, u quajtën “të lira” edhe pse në shumë seksione, grup-seksione e degë të PD në rrethe, u ushtrua presion ndaj kandidatëve potencialë të rinj, që kandidonin për herë të parë, për të mos kandiduar përballë figurave “skrap”, ish- drejtues të përjetshëm partie e pushtetesh të PD, që kanë vendosur monopolin mbi degët e rretheve prej mbi 22 vjetësh në këtë parti 25- vjeçare. Zgjedhjet në bazën e PD, paçka se u quajtën “transparente”, në to u përdorën makinacione klanesh, dhunë fizike, skema spostimi e manipulime votash, madje të inskenuara edhe nga kupola qendrore e partisë për të nxjerr “fitues”, ata individë e grupe individësh të paracaktuar, pjesë e kupolës drejtuese në qendër. Këto zgjedhje u quajtën “gjithëpërfshirëse”, paçka se në krye të seksioneve, grup-seksioneve dhe degëve të PD në rrethe, nuk është zgjedhur asnjë femër! Madje edhe ato 25 kandidatura, femra intelektuale potenciale, që guxuan të kandidonin duke sfiduar “burrat e moçëm” të PD në rrethe, u spostuan me pazare, manipulime e presione prej klaneve që kanë marrë peng e kanë shkatërruar PD. Po ndalemi tek mungesa e plotë e elementit “femër”, në krejt linjën strukturore drejtuese drejtuesve të PD në bazë. Zgjedhjet në këtë parti, nxorën në krye të degëve në rrethe vetëm meshkuj e asnjë femër kryetare. Madje edhe në grup-seksione e seksione të PD, afro 95% e drejtuesve dhe kryesive janë meshkuj, ndërkohë që në kryesitë e degëve në rrethe kanë vetëm 7% femra. Ndërsa në të 53 degët e rretheve dhe zonave të Shqipërisë, kryetarë të PD janë zgjedhur 53 meshkuj e asnjë femër! Me këtë profil “kuvendor kanunor” e drejtues e mbylli PD procesin e saj “rinovues e ringjallës” dhe shkon të finalizoj të njëjtën skemë edhe në kongresin e saj “reformues”. Po çfarë ka ndodhur në “prapaskenë” pas zgjedhjeve në bazë për përgatitjen e kongresit, që ai të bëhet ashtu siç “u duhet” drejtuesve të kupolës drejtuese e jo siç e parashikon statuti dhe demokracia e brendshme e një partie demokratike?

 Delegatët, të përzgjedhur me “dosje besnikërie”

 “Skenari” funksional i “regjisë” qendrore të PD, për të zhvilluar “të qetë e pa telashe” kongresin, ka nisur zbatimin me listat e delegatëve të rretheve, të atyre që do jenë në sallë e jo të atyre që do shprehen në “FB”, mbasi delegatët e “FB” i kontrollon e i filtron “regjia” elektronike e PD. Për përzgjedhjen e delegatëve që do të jenë në sallë është dhënë porosi të jenë “individë besnikë” të kupolës  familjes që komandon PD dhe jo individë devijatorë e “puçistë”. Kjo përzgjedhje delegatësh ka vazhduar për afro 1 muaj në zinxhirin strukturor nga seksioni, grup-seksioni, në degën e rrethit e deri në qendër, për verifikim përfundimtar të “besnikërisë” së çdo delegati. Listat janë hartuar, janë depozituar në qendrën e PD dhe salla e kongresit do të jetë e mbushur me delegatë me “dosje besnikërie”. Sipas informacioneve, në shumë rrethe ka pasur konflikte mes klanesh brenda PD, për emrat dhe listat e delegatëve, por duket se seleksionimi në qendër ka spostuar të dyshimtët, për të cilët thuhet se përbëjnë grupin e deputetëve e politikanëve anti “Berisha-Basha”, të shfaqur me veprime fshehtas brenda PD, për të dominuar pozita drejtuese, minimalisht për të mos i humbur ato në zgjedhjet që do bëjë kongresi.

Diskutimet janë orientuar, kontrolluar e miratuar nga qendra

Sipas informacioneve nga grupi punës i kongresit, mësohet se kupola aktuale drejtuese e PD, ka vendosur që diskutimet të kalohen në filtër. Ditën e martë, kryetarët e degëve të rretheve, kanë depozituar në grupin e punës së kongresit tekstet e  diskutimeve që do të mbahen në kongres. Ata që do diskutojnë, nuk do t’i kenë diskutimet me vete, por do t’u dorëzohen në momentin që do diskutojnë, kjo për të shmangur pasigurinë e ndonjë diskutimi “armik” që mund të lexohet në kongres. Diskutimet nuk janë hartuar lirisht prej atyre që do të diskutojnë, por janë përgatitur mbi bazën e një platforme të orientuar e të dërguar nga qendra. Për këtë është bërë kujdes, që përmbajtja dhe linja e çdo diskutimi të jetë në përputhje me udhëzimet që janë dhënë nga kupola drejtuese e PD, për të unifikuar linjën e qëndrimit të bazës demokrate, me linjën e paracaktuar të kupolës drejtuese të partisë. Sipas udhëzimit, çdo degë e PD do të ketë vetëm një diskutim, që do të lexohet nga kryetari i degës, ose ndonjë orator i besuar e i instruktuar për leximin e tij. Mjediset e PD, kanë ditë që “ziejnë” edhe nga frika e një lëvizje “diversioniste” brenda punimeve të kongresit, ku sipas “hetimeve” të “SHISH” të PD, thuhet se do të ngrihen dhe diskutojnë jashtë liste e jashtë linje edhe delegatë kundër “platformës” së kupolës së PD. Ka ditë, që këta individë po evidentohen dhe me “trajtimin” e tyre po merret një “grup special”, për t’i “neutralizuar” me presione e mirëkuptim, me qëllim për t’i nxjerr jashtë loje. Ajo që nuk mund të bëj dot ky “grup special neutralizimi” është pafuqia dhe mungesa e kontrollit ndaj politikanëve të lartë drejtues të PD dhe deputetëve  e ish-deputetëve, të cilët thuhet se do mbajnë në kongres qëndrim të ashpër kundër dyshes komanduese Berisha-Basha.

Urdhër degëve të PD: Mos caktoni delegatë, më të moshuar se Berisha

 Që përpara fillimit të procesit për përzgjedhjen e delegatëve të kongresit, kupola qendrore e PD, u ka dërguar urdhër krerëve të degëve në rrethe, që të mos zgjedhin asnjë delegat me moshë mbi 70 vjeç. Shkaku? Sepse një nga pikat e axhendës së punimeve të kongresit është edhe vendimi, që punimet e kongresit do t’i hap delegati më i vjetër. Sipas informacionit tonë, personi që do hap punimet e kongresit është caktuar nga Sali Berisha, që të jetë Sali Berisha, “babai” i PD-së. Lidhur me këtë vendim është bërë kujdes nga degët në rrethe dhe nga kupola qendrore që ky “mision” të realizohet me sukses. E për ta finalizuar këtë skemë, që riformaton personalitetin e Sali Berishës brenda e pse jo “de facto” në krye të PD është bërë kujdes dhe është arritur, që në listat e delegatëve, të mos ketë asnjë delegat më të moshuar se Sali Berisha.

 LISTA

 Në 53 degët e PD në rrethe, asnjë femër kryetare

 1. Berat           GazmendAzizi

2. Bulqizë        Durim Balla

3. Delvinë        Hari Imeri

4. Devoll         Arben Miza

5. Dibër           Rahim Kaleci

6. Durrës         Osman Stafa

7. Elbasan        Aurel Bylykbashi

8. Fier              Luan Baçi

9. Gramsh        Elmaz Haruni

10. Gjirok.       Roland Bejko

11. Has            Miftar Dauti

12. Kavajë       Engjëll Cara

13. Kolonjë     Viktor Duro

14. Korçë        Andrea Mano

15. Krujë         Dragush Vogli

16. F.Krujë      Sabri Karaj

17. Kukës        Arif Rexhmati

18. Kuçovë      Vehbi Luzi

19. Kurbin       Altin Gjoni

20. Lezhë        Paulin Marku

21. Librazhd    Bujar Vreto

22. Lushnje     Myslym Murrizi

23. Ballsh        Arjan Llanaj

24. Mat          Alfred Ahmetcenaj

25. M.Madhe  Pjerin Spathari

26. Mirditë      Bardhok Filopati

27. Patos         Luan Mustafaj

28. Peqin         Diell Çela

29. Përmet       Arben Dosti

30. Pukë          Prel Gjoni

31. Pogradec   Renato Preza

32. Sarandë     Hariz Mema

33. Skrapar      Hajredin Bakiasi

34. Shkodër     Ramiz Çobaj

35. Shijak        Rezart Tushaj

36. Tepelenë    Veip Çela

37. Tropojë      Xhevet Hoxha

38. Vlorë         Moisi Meminaj

39. Tiranë        Dilaver Laçi

40. Tiranë        Albert Faruku

41. Tiranë        Uran Metko

42. Tiranë        Ervin Goxhaj

43. Tiranë        Ndriçim Babasi

44. Tiranë        Astrit Xake

45. Tiranë        Lefter Kostenja

46. Tiranë        Ervis Xhako

47. Tiranë        Saimir Mulgeci

48. Tiranë        Eduart Kelmendi

49. Tiranë        Florian Lila

50. Tiranë        Arben Shazo

51. Tiranë        Lulzim Vrana

52.  Kamëz      Xhelal Mziu

53. Paskuqan   Anton Pjetërnikaj

Përparim HALILI