Eseja “Si një roman”, reflektim mbi artin mësimdhënës dhe edukimin

1426
Sigal

Titulli: Si një roman
Titulli në origjinal: Comme un roman
Autori: Daniel Pennac
Përktheu: Edmond Tupja
Zhanri: Ese
Data e botimit: Shtator, 2014
Numri i faqeve: 208
Çmimi: 700 lekë
Libri me një fjali
Kjo ese (“që duhet lexuar si një roman”) e Daniel Pennac-ut është njëkohësisht himn dhe çshenjtërim i të lexuarit, si edhe një ftesë për të reflektuar mbi artin e mësimdhënies dhe të edukimit.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
Eseja “Si një roman” u botua për herë të parë më 1992-shin dhe, qysh atëherë, janë shitur më shumë se një milion kopje në Francë dhe është përkthyer në 33 gjuhë të botës. Daniel Pennac-u, duke përshkuar përvojën e tij si fëmijë, prind dhe profesor, na shtyn të mendojmë për fuqinë që ka historia e një libri në vetvete dhe na kujton të drejtat tona për të lexuar çfarëdolloj gjëje, kudo e në çdo kohë, përderisa kjo na jep kënaqësi. Kjo ese përmban kështu një nga kritikat më të holla ndaj teknikave, kërkesave dhe udhëzimeve të sistemit arsimor kombëtar.
Së pari, Pennac-u përshkruan mënyrën se si njihen më të vegjlit me kënaqësinë e të lexuarit. Mandej, analizon se si, me fillimin e shkollës, leximi shndërrohet në një punë angari, në një detyrim. Më pas, duke u bazuar në përvojën e tij si profesor, ai përshkruan një klasë adoleshentësh, të cilët rizbulojnë kënaqësitë e leximit, të frymëzuar në mënyrën më origjinale, por njëkohësisht edhe më të thjeshtë nga profesori i tyre. Pennac-u përfundon rrëfimin e tij me një manifest prej dhjetë pikash: dhjetë të drejtat që ka çdo lexues. E para në listë është e drejta për të mos lexuar.
Publiku i interesuar
Ky roman është për të gjithë lexuesit, sidomos për mësuesit dhe prindërit, sepse në të përfshihen sugjerime nga më të mençurat për të nxitur lexuesit ngurues që t’i kthehen faqeve të librit.
Kritika
“Si një roman” është një ese që nuk duhet lënë pa lexuar. Leximi simbolizon lumturi të dëlirë. Faqe pas faqeje, autori na sjell ndër mend që leximi është, fillimisht dhe para së gjithash, një kënaqësi, prandaj nuk duhet ta detyrosh dikë ta bëjë atë pa dëshirë. “Si një roman” na bën të udhëtojmë në kohë: kushdo që e lexon, arrin të identifikohet me një nga shembujt e shumtë që jep Pennac-u kur na shpjegon mësimin e të lexuarit. Ky libër zbavitës do t’ju bëjë të buzëqeshni dhe do t’ju ftojë të reflektoni. Të drejtat e lexuesit që autori ka shpikur, mund dhe duhet t’i vendosim në faqe të parë të teksteve shkollore. “Si një roman” mbetet një libër që duhet lexuar patjetër, për përmbajtjen, për stilin e Pennac-ut, për gjithçka. Kënaqësia është e garantuar!
[…]
Pika kryesore ku rreh Pennac-u, është shumë e thjeshtë: askush s’ka për të lexuar ndonjë libër ndonjëherë, në qoftë se nuk ka dëshirë. Ai thekson se leximi, së pari, është kënaqësi. Pos kësaj, do të vijnë rrjedhoja të tjera. Nëse njerëzit zgjedhin ta kalojnë kohën duke bërë gjëra të tjera, është e drejta e tyre. Ai i shikon ata me dhembje, jo me përbuzje: pa libra, ata janë të dënuar të shkojnë “një jetë pa përgjigje… dhe shumë shpejt edhe pa pyetje”.
The Guardian
I shqetësuar tek sheh ftohtësi (humbje të dashurisë) kundrejt shkrimtarëve të mëdhenj, ai nuk mposhtet nga pesimizmi. Përkundrazi, ashtu si poeti Zhorzh Perros me studentët e tij, ai e di se, për t’ia arritur kësaj, mjafton të zbatosh një pedagogji të bazuar në entuziazmin ngjitës.
[…]
Që prej 1992-shit, Daniel Pennac-u u dëgjua dhe u lexua nga ata që duhet të nxjerrin një mësim nga eseja e tij.
Me Pennac-un mori fund dogma “duhet të lexosh”. Morën fund klishetë që pretendojnë t’i japin llogari mosinteresimit të të rinjve për letërsinë.
L’Express
Me një humor ngacmues, që do t’i bëjë lexuesit nga 7 deri në 77 vjeç të qeshin, ky roman-ese është një apel për lirinë dhe të drejtat e lexuesit.
Le Figaro
Autori
Daniel Pennacchioni, i njohur tashmë me emrin Daniel Pennac, lindi më 1 dhjetor 1944 në Casablanca të Marokut. Duke qenë se babai i tij ishte oficer, familja e tij shpërngulej vazhdimisht, prandaj Danieli e kaloi fëmijërinë nëpër garnizonet e Afrikës dhe të Azisë Juglindore. Ai u dashurua shumë herët me letërsinë, i inkurajuar dhe i magjepsur edhe nga babai i tij. Studioi letërsi në Nisë dhe zgjodhi degën e mësuesisë. Talenti i tij u bë i njohur me veprën “La petite marchande de prose”, me të cilën mori çmimin Inter më 1990-n. Në 1997-n, u realizua një film i bazuar në librin e tij “Messieurs les enfants”. Daniel Pennac-u ka shkruar më shumë se 31 vepra në të gjitha gjinitë: duke filluar nga albumet për fëmijë tek esetë, te librat me ilustrime, romanet dhe autobiografitë. Me veprën autobiografike “Chagrin d’ecole”, botuar në 2007-n, ai mori çmimin Renaudot. Daniel Pennac-u hoqi dorë nga profesioni i mësuesit më 1995-n për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë.
Në shqipe, është botuar romani i tij “Parajsa e gogolëve”, Pegi, 2012.
Fragmente nga libri
1)
Koha për të lexuar është gjithnjë kohë e vjedhur (Ashtu si koha për të shkruar, në fakt, ose si koha për të dashuruar.).
Po kujt ia vjedhim?
Le të themi, detyrës për të jetuar. Kjo është pa dyshim arsyeja për të cilën metroja – simbol domethënës i asaj që quhet detyrë – shfaqet si biblioteka më e madhe e botës.
Koha për të lexuar, ashtu si koha për të dashuruar, e bën të lulëzojë kohën për të jetuar.
2)
Kur një njeri i shtrenjtë na jep një libër për ta lexuar, ne kërkojmë, së pari, bash atë nëpër rreshta, kërkojmë shijet e tij, arsyet që e shtynë të na e rraste librin mes duarve, kërkojmë shenjat e një veprimi vëllazëror. Më tej, teksti na rrëmben dhe ne e harrojmë atë që na zhyti brenda atij; këtu qëndron krejt forca e një vepre, pikërisht që ta fshijë edhe këtë rrethanë!
3)
Të drejtat e lexuesit
1) E drejta për të mos lexuar.
2) E drejta për të kapërcyer disa faqe.
3) E drejta për të mos e mbaruar një libër.
4) E drejta për të rilexuar.
5) E drejta për të lexuar çfarëdo qoftë.
6) E drejta për bovarizëm.
7) E drejta për të lexuar kudo qoftë.
8) E drejta për të qëmtuar nëpër libra.
9) E drejta për të lexuar me zë të lartë.
10) E drejta për të heshtur.