Ish-të përndjekurit, ja skema e re e kompensimit

844
Zbulohen detajet e dosjes që Ministria e Financave po përgatit për t’i dhënë fund procesit. Mbeten jashtë pagesave trashëgimtarët. Si do ndahen fondet
Ministria e Financave po përgatit ndryshimet ligjore për t’i dhënë fund procesit të kompensimit të ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, duke lënë jashtë skemës së pagesave trashëgimtarët e ish-të përndjekurve. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur për “Telegraf” se ekspertët janë në fazën përfundimtare të hartimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Ky ligj, në 11 vitet e jetës së tij, është ndryshuar disa herë, si nga shumica e drejtuar nga PD-ja, ashtu edhe nga socialistët pas ardhjes në pushtet në vitin 2013. Tashmë qeveria duket se do ta realizojë ndryshimin final, duke pakësuar edhe faturën financiare. Sipas ekspertëve, miratimi i këtij projektligji synon krijimin e mundësisë së përfundimit të shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit e regjimit komunist, të cilët janë gjallë, duke i dhënë prioritet likuidimit të plotë të tyre. Njëkohësisht, ndryshimi ligjor do të realizojë edhe heqjen e nënkategorizimit të subjekteve parësore, duke përjashtuar nga pagesat trashëgimtarët. Njëkohësisht, sipas Ministrisë së Financave, “qëllimi i këtij projektligji është mundësimi i të drejtës kushtetuese dhe ligjore, për përfitimin e gjithë shumës së miratuar të dëmshpërblimit financiar, për ish-të përndjekurit e regjimit komunist, të cilët janë gjallë dhe bëjnë pjesë në kategorinë parësore, sipas parashikimeve të kuadrit ligjor në fuqi”. Dikasteri i Financave argumenton se nëpërmjet këtij projekt-akti, synohet edhe përshpejtimi i procesit të dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të burgosura apo ekzekutuara, në masë më të madhe, duke përmbushur në këtë mënyrë një të drejtë të tyre ligjore. Megjithatë parësore duket se do të jetë përmbyllja përfundimtare e procesit të dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist, ende në jetë. Ndër masat e propozuara nga specialistët është ndryshimi i raportit të përcaktuar të fondit të miratuar, ku 70% i vihej në dispozicion kategorisë parësore dhe pjesa tjetër i shpërndahej kategorisë së trashëgimtarëve. Ministria e Financave pritet t’i propozojë qeverisë dhe më pas Kuvendit dëmshpërblimin e plotë, për të gjithë ata ish-të dënuar të cilët janë ende në jetë, të cilët për shkak të parashikimeve aktuale ligjore, ishin të kufizuar në marrjen e vlerës maksimale të dëmshpërblimit. Parashikimet ligjore e kufizonin ndarjen e shumave në 8 këste, me vlerë maksimale 1 milion lekë. Ndërkohë, që ekzistojnë subjekte parësore (ish-të përndjekur ende në jetë), të cilat e kalojnë vlerën 8 milionë lekë) të vendosur nga ligji. 
Rrethi i familjarëve, sipas ndryshimeve në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist të vitit 2009, janë përcaktuar qartë. Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Ligji përcakton se familjarët, në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë.
Masat e propozuara
Ndryshimi i raportit të përcaktuar të fondit të miratuar, ku 70% i vihej në dispozicion kategorisë parësore dhe pjesa tjetër i shpërndahej kategorisë së trashëgimtarëve;
Dëmshpërblimi i plotë, për të gjithë ata ish të dënuar të cilët janë ende në jetë, të cilët për shkak të parashikimeve aktuale ligjore, ishin të kufizuar në marrjen e vlerës maksimale të dëmshpërblimit, pasi parashikimet ligjore e kufizonin ndarjen e shumave në 8 këste, me vlerë maksimale 1 milionë lekë.
Ekzistojnë subjekte parësore, të cilat e superojnë këtë vlerë (8 x 1 000 000 lekë), të vendosur nga ligji.
Ndryshimi i vitit 2014
Shpërndarja e dëmshpërblimit për kategorinë e subjekteve përfituese parësore, për të njëjtin këst, do të kryhet sipas kësaj radhe:
a) ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës;
b) ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
c) ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;
ç) ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët, pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
d) ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
dh) ish-të dënuarit politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës, dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Me kryerjen e pagesës, për të gjitha subjektet parësore, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës e kështu me radhë.