Prof. Rexhep Qosja: Dritëroi, klasiku i letërsisë sonë. Prof Ali Aliu: Vepra e Dritëroit është e përjetshme

774
Veliaj: 1-vjetori i ndarjes nga jeta e shkrimtarit Dritëro Agolli, mbillen 20 selvi në Parkun e Liqenit Artificial
Do të doja që secili në Tiranë, që ka një kujtim dhe dëshirë për të shprehur dashurinë, mund të vijë të mbjellë lule, një pemë dhe të japë diçka mbrapsht nga ajo kulturë e madhe që morëm nga Dritëroi
Në Parkun e Liqenit të Tiranës mund të gjeni edhe një kopsht me selvi, kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta pikërisht një vit më parë, në 3 shkurt 2017. Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën “Devolli” dhe të afërm të poetit e shkrimtarit, mbollën 20 selvi, duke shënjuar nisjen e punimeve për kopshtin e letrarit të shquar të kulturës kombëtare shqiptare, një moment kujtese dhe nderimi për kolosin e letrave shqipe. Në mbjelljen e pemëve të llojit selvi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Dritëroit, si njeriu që arriti të bëjë bashkë dashamirës nga çdo cep i Shqipërisë. “E fillojmë me një gjest simbolik, mbjelljen e 20 selvive në një pjesë të parkut të liqenit që ia kemi kushtuar Dritëroit. Duam që të jetë një vend meditimi, pushimi, një vend paqeje, një vend ku njerëzit të lexojnë libra dhe të kujtojnë veprën e Dritëroit. Ndaj kemi përgatitur që në këtë pjesë memoriali të parkut, ku janë disa prej figurave të shquara, të kemi një vend të posaçëm për të kujtuar Dritëroin. Fuqia e tij duket edhe në faktin që arrin të na mbledhë nga çdo cep i Shqipërisë”, deklaroi Veliaj. Bashkia e Tiranës parashikon që në këtë pjesë të parkut të vendoset edhe busti i shkrimtarit, që së bashku me pemët e selvisë që u mbollën, do të krijojnë kopshtin e Dritëro Agollit. “Do të doja që secili në Tiranë, që ka një kujtim dhe dëshirë për të shprehur dashurinë, mund të vijë të mbjellë lule, një pemë dhe të japë diçka mbrapsht nga ajo kulturë e madhe që morëm nga Dritëroi”, tha Veliaj, duke shtuar se është misioni ynë që t’ia kalojmë stafetën e veprës së Dritëroit një gjenerate të re. Tajar Agolli, vëllai i shkrimtarit Dritëro Agolli, falënderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe miqtë, të cilët iu bashkuan kësaj dite të veçantë. “Ju falënderoj të gjithëve për këtë pjesëmarrje në këtë ceremoni. Jemi shumë të kënaqur për të gjithë ata aktivistë që marrin pjesë, miq të Dritëroit. Sigurisht, miqtë e Dritëroit janë në zemrën tonë. Na ka folur direkt për miqtë që ka dhe ka shumë miq”, u shpreh vëllai i shkrimtarit të dashur për të gjithë shqiptarët. 
Prof. Rexhep QOSJA: Dritëroi, krijuesi i një vepre të shumëllojshme shqiptare

E nderuara Sadije, 
të nderuar familjarë, kolegë e miq!
Ju përshëndes prej Prishtinës, me mendje e me zemër jam bashkë me ju, dhe jam aty ku jeni edhe ju: aty ku po prehet e ku po përkujtohet me nderimet më të përkushtuara shkrimtari i madh, klasiku i letërsisë sonë, Dritëro Agolli, Dritëroi ynë i dashur. E si të mos e përkujtoj unë gjithnjë, çdo vit e çdo ditë të shënuar të tij?
Unë jam historian i letërsisë shqipe, kurse Ai krijues i një vepre të shumëllojshme e të shumë vëllimshme, të cilën e quaj njërën prej majave më të larta kuptimore e artistike të kësaj letërsie, prej së cilës mijëra lexues shqiptarë, i kanë parë e i kanë përjetuar më thellë e më gjithanshëm të kaluarën, traditën e të përtashmen tonë,dhe janë frymëzuar të mendojnë bashkë me mua me shpresë e me besim në të ardhmen tonë të përbashkët kombëtare e shtetërore.
Prishtinë, 3 shkurt 2018 
Prof. Ali Aliu: Pa Dritëroin u binda për madhështinë e veprës së tij


E dashur familje e Dritëroit,
edhe për ne, miqtë e Dritëro Agollit, mungesa e tij gjatë një viti ka qenë e përditshme dhe e dhimbshme. Edhe malli i thellë përcjell kujtime gjithnjë të pranishme nga takimet me të. Për ju ndërsa, familjarët e dashur të tij, mungesa ka qenë përmasash të rënda. Sa herë kam sjellë ndërmend këtë, e dashur Sadije, më kujtohen vargjet e poezisë përmes të cilave Dritëroi të porosit që kur të mos jetë ai, kur të mungojë, ta kërkosh te poezia shkruar për ty. Gjatë këtij viti pa Dritëro Agollin, më është thelluar edhe më shumë bindja për madhështinë e veprës së tij letrare. Ka qenë i madh, prandaj e mbajti jashtë shablloneve krijimtarinë e tij, poezinë antologjike, por edhe gdhendjen e personazheve si komandanti Rrapo, Mato Gruda, apo e romaneve si Arka, që fsheh satirën e rebelimin ndaj pushteteve autoritare. Prandaj që në gjallje të tij, vepra e Dritëroit u pranua klasike, dhe ajo do të vazhdojë të jetë e përjetshme në letërsinë mbarëkombëtare shqiptare. Ju përqafojmë familjarisht. 
Sigal