INTERVISTA/ Aleksandër Çipa: Klasa politike është e korruptuar dhe e lidhur me krimin. Bllokimi i Reformës në Drejtësi dhe largimi i ministrave

709
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Do të largohen shumë ministra si “anonimë të njohur”

Ne kemi një klasë politike të korruptuar, e cila ka tejzgjatur bashkëjetesën me krimin dhe korrupsionin. Tashmë ka një kontekst të ri dhe një konjukturë tjetërsisht të ndryshme. Do të bjerë partitokracia e 30 vjetëve të fundit dhe do të ndryshohen elitat. Kjo është e pandalshme dhe e papengueshme

Aleksandër Çipa, opinionist në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh mendimin se për reformën në drejtësi shumëkush u investua për pengim dhe për vonim të reformës dhe sidomos për zbatim të saj. Ndërsa financimin e digjitalizimit të televizioneve private me fonde publike, e cilëson absurd. Zoti Çipa arsyet reale të sistemit dhe brendisë së korrupsionit të shoqërisë dhe republikës i shikon te zgjedhjet parlamentare. Sipas zotit Çipa, nuk ka reformë zgjedhore, ka vetëm skema rimashtrimi politik, që mundësojnë rotacion të korruptuar dhe qeverisës që ndryshojnë. Sipas zotit Çipa, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE do të sjellë rënien e partitokracisë së 30 vjetëve të fundit dhe do të ndryshohen elitat. Kjo është e pandalshme dhe e papengueshme.

– Zoti Cipa qëllimisht apo aksidentalisht u krijua kolapsi i pezullimit të Gjykatës Kushtetuese?

– Ky kolaps u krijua si pashmangshmëri dhe si rrethanë për disa procese të ndryshme politike, diplomatike dhe reformuese. Të gjitha duket se janë pa lidhje me njëra-tjetrën, por që në kontekstin e tyre kanë lidhje dhe kuptim, duke qenë të gjitha të grumbulluara në një moment. Kolapsi do të krijohej, pasi ishte paraparë nga arkitektët dhe oponentët e reformës kushtetuese për ndryshimin e arkitekturës së sistemit të drejtësisë. Kur nisi debati dhe procedimi për amendimet kushtetuese, kishte shumë zëra që u shprehën se do të kishim një periudhë kolapsi për “republikën juridike”. Mirëpo, askush nuk ndërhyri dhe askush nuk inicioi, ndërsa shumëkush u investua për pengim dhe për vonim të reformës dhe sidomos për zbatim të saj, në kushtet e Kushtetutës së ndryshuar. Pezullimi i Gjykatës Kushtetuese është në vetvete një bllokim i përkohshëm i plotësimit të saj me anëtarë të rinj dhe të kaluar nëpër procesin e ashtuquajtur veting.

– Pse duhet që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë digjitalizimin e televizioneve private, derisa ato janë biznes privat?

– Ky propozim është absurd, madje tipik alla shqiptar në gjithë Evropën Juglindore. Janë bëma që tentojnë t’i shtohen praktikës shqiptare, ku media dhe gjeneron kaosin e vet. Një propozim, që i jepet entit të vetëm rregullator, AMA-s, në tryezën e të cilit mungojnë të gjitha shoqatat e gazetarëve dhe kreu i saj paradoksalisht shprehet për status të gazetarit. Janë tentative bajraktareske për të mbyllur median publike, duke u kapur pas pretekstit se ajo nuk është dhe nuk po bëhet dot e tillë. Por disa prej projektuesve të këtij projektligji për vjelje të taksave publike nga privatët, janë penguesit e vetëm dhe shfrytëzuesit e aseteve të medias publike në më shumë se dy dekada e gjysmë. Ky është propozim nga ata që në këtë periudhë të pluralizmit tonë kaotik, lirinë e medias e kanë mbajtur dhe mbajnë në regjimin e kaosit dhe të anarkisë mosrregulluese.

– A është anashkalim apo shpërfillje e institucioneve të shtetit që platforma digjitale www.shqipëriaqëduam.al të japë zgjidhje qytetarëve për çdo shqetësim?

– Platforma digjitale e komunikimit të institucioneve qeverisëse me qytetarin nuk është abuzim, përkundrazi, është infrastrukturë lehtësuese dhe alternativë efikase komunikimi mes qytetarit, pavarësisht ku gjendet ai, dhe administratës. Problemi është se kjo alternativë mund të përdoret si alibi për mosdokumentim dhe injorim të administratës. Ka dhjetëra projekte të shoqërisë civile që kanë ekspozuar abuzime me fondet publike, me procedurat e tenderave apo me prokurimet publike dhe mediat flasin dendur për pamundësi të vënies në dispozicion të tyre të dokumenteve autentike. Ky është problem, jo fakti pse ka një platformë të tillë.

-Kur shtetet e BE si Gjermania, Holanda, Franca etj., i kërkojnë Shqipërisë të thellojnë reformat e Luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për kë bien këto kambana?

– Unë jam disi skeptik për fryrjen e kësi kërkesash stigmatizuese të vendit tonë nga parlamentarë apo përfaqësues të administrative të vendeve të BE-së. Nuk është Shqipëria një përjashtim në hartën e problemeve kriminale të Evropës së sotme. Secili prej vendeve ka problem serioze. Tjetërkush quhet atdhe, apo perandori e mafies dhe krimit të organizuar në rajon, në Evropë apo në Botë. Mos i japim vetes merita të paarritshme në nivel global, qoftë edhe për të keqen! Ne kemi një klasë politike të korruptuar, e cila ka tejzgjatur bashkëjetesën me krimin dhe korrupsionin. Tashmë ka një kontekst të ri dhe një konjukturë tjetërsisht të ndryshme. Do të bjerë partitokracia e 30 vjetëve të fundit dhe do të ndryshohen elitat. Kjo është e pandalshme dhe e papengueshme, pasi parathënie paralajmëruese e saj është ai që Kierkegard e quan “dëshpërimi shkallëzues”.

– Sa vërtetësi politike ka akuza e kryeministrit se opozita nuk e do reformën në drejtësi?

-Ky është një pohim që bëhet nga pozita e atij që ka konflikt interesi. Reforma në drejtësi është e lidhur me një sistem të ri drejtësie që do të ketë shumë më tepër mëvetësi nga modeli i shkuar. Pasi arkitektura e tij nuk po ngrihet vetëm nga dy palët partiake, por nga katër aktorë të ndryshëm, heterogjenë vendimmarrës.

A mendoni se mazhoranca ka vullnet për Reformë në drejtësi, apo kërkon të kapë drejtësinë?

– Mazhoranca ka detyrimin e imponuar për reformën në drejtësi. Mjafton të vëresh se sa vonesa dhe pengesa ka në rrugë e sipër zbatimi i kësaj reforme, për ta lexuar qartazi bashkëpërkimin e vullneteve penguese dhe vonuese për reformën dhe institucionet e reja të drejtësisë. Tendencat për çdo kapje janë të destinuara të mos kenë jetëgjatësi nga kushdo, si nga ai që qeveris, ashtu edhe nga tjetërkush, që projektohet për qeverisës i ardhshëm.

– A mund të quhet Reformë zgjedhore pa ndryshuar sistemin zgjedhor dhe pa depolitizuar Administratën Zgjedhore?

– Kushdo që ka dëshirë, apo kureshtje të njohë arsyet reale të sistemit dhe brendisë së korruptuar të shoqërisë dhe republikës sonë, arsyen e vetme duhet ta kërkojë tek zgjedhjet. Aty është rrënja e kancerit tonë shoqëror. Nuk ka reforma zgjedhore në Shqipëri, ka vetëm skema rimashtrimi politik, që mundësojnë rotacion të korruptuar dhe qeverisës që ndryshojnë, por nuk ndërrojnë të keqen. Pengesat dhe vonesat për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë janë të lidhura pashmangshmërisht edhe me riciklimin e një procesi zgjedhor të korruptuar dhe të deformuar. Vetëm konsistenca me ndërhyrje e SHBA dhe e teknokratëve ligjorë të BE-së mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga kjo kapje dhe degradim i demokracisë zgjedhore. Në të kundërt , do të kemi një proces shtesë zgjedhjesh si “thumb të ri të ngulur në qelbin tonë të ndenjur”.

– Risi apo shkelje e ligjit është ERTV?

Vetëzgjedhje. Ligji mund të jetë i shkelur, nëse provojmë që stafi i zënë me këtë kanal televiziv virtual, mbahet me buxhet publik dhe të padeklaruar.

– Mendoni se mazhoranca i ka kryer detyrat e integrimit për hapjen e negociatave?

– Natyrisht jo. Por detyrat e integrimit nuk janë detyra vetëm të mazhorancës. Integrimi është destinacion i vendit, shoqërisë, por më së pari shumicës që qeveris, opozitës dhe krejt institucioneve. Mungesa e përgjegjësisë, përgjegjshmërisë dhe pamja kritike e një unitariteti të munguar institucional, janë arsyet dhe e pakryera jonë në funksion të integrimit si anëtar të BE. Unë mendoj se do të hapen negociatat, por me disa kushtëzime. Do të ketë disa specifikime të cilat mund t’i vlejnë dhe t’i përdorë qeveria për justifikim, ndërsa kryeministri si një arsye për ta ndryshuar kabinetin e vet ministror për herë të parë në masë gati radikale. Në këtë akt të pritshëm, fatmirësisht ai mund të heqë nga ministra disa anonime të njohur.