Ish-kryetari i Bashkisë së Himarës që u arrestua dy ditë para zgjedhjeve së 14 majit 2023 nga SPAK duket se po “tërheq” drejt SPAK edhe Artan Gaçin, Olta Xhaçkën dhe Jorgo Goron. Beleri iu drejtua nga burgu, prokurorisë së posaçme përmes një kallëzimi që daton në 21 gusht 2023 me objekt: “Ndjekje penale” ndaj tre të sipërpërmendurve. Sipas objektit të kallëzimit penal të bërë nga ai thuhet: “Jorgo Goro, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Himarë, për veprën penale “Shpërdorimi detyrës”, “Falsifikimi i dokumentave” ndërsa telegraf zbardh disa pre elementëve të kallëzimit:
5. Kryetari i Bashkisë Himarë Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja tokës bujqësore në kooperativën Gjilek – Dhermi. Bashkia Himarë disponon këtë hartë kadastrale dhe verifikimi i përputhshmërisë së numrit dhe vendosjes së ngastrës me sipërfaqe 5512 metra katrorë së paraqitur në planvendosjen e pronës, që kërkohej të regjistrohej me atë të hartës kadastrale 1:5000 të kooperativës bujqësore Gjilek – Dhermi është e detyrueshme. Përse është marrë e mirëqënë vetëm nëpërmjet deklaratës së përfituesit Stavri Mehilli vendndodhja e pronës që kërkohej të regjistrohej si edhe masa e pronës, e cila duhej përllogaritur nëpërmjet normës për frymë dhe gjendjes familjare të subjektit Foto Mëhilli në datën 1.8.1991?
- Të gjitha veprimet e kundraligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të tretëve dhe mbi këtë pronë pasi është blerë është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.
- Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjik shtetasi Artan Gaçi etj.
- Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.




















