Ministrja Kushi: “Kemi në fokus kryesor rritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë mes universiteteve shqiptare dhe atyre prestigjioze ndërkombëtare”

189
Sigal

Në seancën e sotme plenare, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi është përgjigjur në lidhje me partneritetin mes universiteteve publike shqiptare dhe ato prestigjioze ndërkombëtare.

Duke nënvizuar fillimisht se reformat e para 6 viteve nuk kanë dhënë ende rezultatet e pritshme, Ministrja Kushi përmendi në fjalën e saj disa prej mekanizmave që janë ndjekur së fundmi dhe po bëhen aktualisht për të rritur cilësinë në Arsimin e Lartë, ku në fokus kryesor është bashkëpunimi i ngushtë me universitetet më prestigjioze ndërkombëtare.

Një ndër to, – shprehet Znj. Kushi, – është zhvillimi i takimeve me drejtuesit më të lartë të Universitetit “Boku” në Vjenë në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) për të realizuar programe studimi të përbashkëta apo programe të dyfishta.

“Iniciativa të ngjashme kemi nisur edhe me universitete të ndryshme italiane, kryesisht në Rajonin e Puljas, për të mundësuar një partneritet konkret më Universitetin e Vlorës, sikurse me Universitetin e Janinës dhe atij të Gjirokastrës. Pra, jemi duke punuar intensivisht në bashkëpunim me universitetet publike shqiptare për të krijuar pikërisht këto partneritete”, – tha ajo, ndërsa nënvizoi edhe mbështetjen ndaj hapjes së filialeve të universiteteve më të mira këtu në vendin tonë.

“Rasti më konkret, për të cilin po punojmë dhe shpresoj shumë shpejt të kemi rezultat, është ‘Universiteti Teknik i Stambollit’ që të gjithë e dimë se është një prej universiteteve të renditura në listën e universiteteve më të mira botërore”- shtoi Ministrja.

Ndër të tjera, ajo theksoi se bashkëpunimet nuk do të jenë vetëm në kuadrin e programeve të studimit të përbashkëta apo të dyfishta, por do të shtrihen në të gjitha aspektet e jetës universitare dhe akademike me projekte të përbashkëta, me shkëmbime studentësh e pedagogësh dhe lidhjen me tregun e punës etj.
Në fund, Ministrja Kushi përmendi edhe ngritjen së fundmi të Bordit të ri të Akreditimit në Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL):

“Aty kemi përfshirë profesorë të nderuar shqiptarë dhe të huaj që punojnë në universitetet më të mira evropiane e përtej. Janë të gjithë profesionistë e akademikë shumë të mirë, njerëz me integritet, për të cilët ne besojmë se do të japin kontribut për rritjen e cilësisë dhe akreditimin e universiteteve, por edhe për të krijuar ura bashkëpunimi me universitetet që ata përfaqësojnë”, teksa cilëson gjithë angazhimin e vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të pasur shumë shpejt akoma më shumë rezultate për reformat në arsimin e lartë.