Igli Totozani: 1 Maji nuk është ditë feste, të mendojmë për punësimin

383
Sigal

Avokati i Popullit, Igli Totozani, në një mesazh për 1 Majin shprehet se, kjo është një ditë pushimi, por jo ditë feste. “Është më së paku një ditë reflektimi për shoqërinë tonë dhe për të gjithë ata vendimmarrës, të cilët në një mënyrë, apo një tjetër janë të lidhur me të drejtat e punëtorëve”,- thekson Totozani. Sipas tij, është rasti të mendojmë për punësimin, për hapjen e vendeve të reja të punës që do të mund t’i japë më parë se frymëmarrjen ekonomisë sonë, shpresën për një jetë më të mirë qytetarëve tanë. Është pra koha të përkrahim çdo nismë, e cila do të synojë të reduktojë këtë plagë që rëndon sot mbi shumë qytetarë tanë. Mos harrojmë, shton Avokati i Popullit se, një qytetar i papunë është sot një familje që ka humbur shpresën dhe një familje e pa shpresë është një shoqëri pa të ardhme. “Por, sot është gjithashtu dita kur mendimi dhe vullneti ynë duhet të drejtohet tek mbrojtja e marrëdhënies shoqërore të punës. Është sfidë hapja e vendeve të reja të punës, por më shumë se kaq mbetet sfidë mbrojtja e kësaj marrëdhënie për të gjithë ata qytetarë, të cilët e kanë një të tillë. Për këtë lipset zbatimi me rigorozitet i legjislacionit dhe të gjithë atyre mekanizmave dhe instrumenteve, të cilët mbrojnë punëmarrësit tanë nga çdo dhunim i të drejtave të tyre të parashikuara deri në nivel kushtetues. Askush nuk qëndron mbi ligjin dhe askush nuk duhet të ndjehet i lirë në shkeljen e parimeve të tillë universalisht të mbrojtur, siç është siguria juridike. Askush nuk meriton ta humbë një punë për shkaqe që nuk kanë lidhje me performancën e tij. Dhe kjo vlen për çdo qytetar, kudo ku punon, në administratë, në ndërtim, në minierë”, -shprehet Totozani në mesazhin e tij. “Qytetarët tanë, si çdo qytetar europian meritojnë të gëzojnë një jetë të parashikueshme, pra një të ardhme personale dhe familjare sa më të sigurt”, përfundon Avokati i Popullit, Igli Totozani.