Gjermania, 8 kushtet e reja ndaj Shqipërisë

961
Sigal

Merkeli, do të vendosë Bundestagu! Kushtet e reja: Kodi Zgjedhor, inkriminimi, Kushtetuesja, Liria e Medias etj. Reagojnë mediat gjermane pas hapjes së ekspozitës: Rama erdhi në Berlin, për negociata, apo si tregtar pikturash?

Shqipëria në varfëri, Kryeministri Rama udhëton në Gjermani, për të negociuar apo si tregtar pikturash

8  kushtet e Gjermanisë ndaj Shqipërisë. Nga Kodi Zgjedhor, tek hetimi i lidhjeve të politikës me krimin

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama në Berlin

Kryeministri Edi Rama hoqi atletet, me të cilat u shfaq në Pragë në samitin e katër vendeve të Vishegradit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veshi këpucët në takimin me Kancelaren Angela Merkel në Berlin. Me mision bindjen e Gjermanisë se Shqipëria meriton hapjen e negociatave në tetor, Kryeministri Rama hyri në këtë takim me një libër me piktura në vend të dosjes së integrimit dhe progresit të vendit. Takimi zgjati rreth 50 minuta dhe në fund të tij, bashkë me arsyet se përse duheshin hapur negociatat me vendin tonë, Merkel mori dhuratë edhe librin në fjalë, por mbetet e paqartë nëse argumentet e dhëna nga Kryeministri Edi Rama për hapjen e negociatave janë pranuar me të njëjtën kënaqësi apo jo. Në përfundim të takimit, Kryeministri ka shpërndarë në rrjetet sociale videon ku Merkel e buzëqeshur e përcjell. Videoja shoqërohet me një shënim të shkurtër të Kryeministrit, ku çuditërisht mungon fjala “negociatë”, edhe pse negociatat ishin misioni i Ramës në Berlin. “Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel”, – shkruan Rama. Më shumë se me fjalë, takimin me Merkel, Kryeministri shqiptar publikon një fotogaleri nga momentet e këtij takimi. Por a është e mjaftueshme dhurata që Rama i bëri Merkelit  dhe fotogaleria që Bundestagu gjerman të bindet se Shqipërisë i duhen hapur negociatat muajin e ardhshëm? Sinjalet nuk janë fort pozitive. Muajt e fundit, zërat pesimistë për negociatat me Shqipërinë janë shtuar ndjeshëm dhe kjo edhe falë ndihmës së dhënë nga kriza e gjatë politike në Tiranë. Thelbi i të gjitha deklaratave të bëra nga deputetët gjermanë ka qenë një: ai që kriza politike aktuale nuk ndihmon në përmirësimin e pozicionit të Shqipërisë sa i takon hapjes apo jo të negociatave të anëtarësimit në tetor.

8 kushtet e Gjermanisë ndaj Ramës për negociatat

Reforma zgjedhore dhe funksionimi në tërësi i sistemit të drejtësisë, paralajmërohen nga mediat gjermane, si parakushtet kryesore, që Bundestagu do i vendosë Shqipërisë për hapjen e negociatave. Bundestagu do të votojë më 27 shtator lidhur me vendimin. Në një draft-vendim deputetë të CDU/CSU, që është grupimi më i madh në Bundestagun gjerman, kanë shprehur shqetësime për sa i takon lidhjeve të krimit me politikën, ndaj pritet të kërkohet që krahas luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të ketë edhe një progres domethënës në të gjitha nivelet, dhe nëse vijon ndjekja penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të dyshuar për lidhje me mafien. Në draft-vendimin përfshihet 8 kushte që janë:

8 kushtet e Gjermanisë për negociatat

  1. Reforma zgjedhore
  2. Procedimi i gjyqtarëve të shkarkuar
  3. Krijimi i SPAK e BKH
  4. Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
  5. Funksionimi i Gjykatës së Lartë
  6. Përparim në luftën kundër korrupsionit
  7. Rezultate në goditjen e Krimit të Organizuar
  8. Progres në reformën administrative

Mediat gjermane: Bundestagu do t’i vendosë shumë kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave

Rrjeti i Redaksive në Gjermani, që përfshin me dhjetëra gazeta në vend, ka publikuar një shkrim ku thuhet se Shqipërisë do i vendosen kushte të forta. “CDU/CSU dhe SPD duan t’i vendosin Shqipërisë shumë kushte për negociatat e pranimit në BE. Pengesat janë shumë të larta. Fillimi i negociatave mund të vonojë për vite të tëra në vazhdim”, theksohet në shkrim. Koalicioni i Madh në Berlin dëshiron të parandalojë nisjen e shpejtë të negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë duke vendosur pengesa të larta. Në fund të shtatorit, grupet parlamentare të CDU/CSU dhe SPD do bien dakord në thelb se duhet të ketë negociata të pranimit mes BE-së dhe vendit të Evropës Juglindore. Përpara të ashtuquajturës konferencë e parë e pranimit, siç njihet ndryshe edhe nisja e negociatave në zhargonin e BE-së, Shqipëria duhet të reformojë ligjin zgjedhor dhe të vendosë në kapacitet aftësinë për punë të sistemit gjyqësor. Përpara se të hapen kapitujt e parë të bisedimeve, Shqipëria ka një numër të tërë kushtesh për të përmbushur.

Rama në Berlin, për negociatat apo si tregtar pikturash?

Qeveria dhe Partia, PS-ja kanë më shumë se dy javë që reklamojnë vizitën e kryeministrit në Gjermani. Sipas PS-së, kreu i qeverisë do të nisë një fushatë takimesh me politikanë të njohur gjermanë për të marrë çeljen e negociatave, më 18 tetor. Kryeministri  Rama në Berlin dje takoi kancelaren Merkel dhe kreun e Bundestagut, por pa marrë asnjë mbështetje të fortë për çeljen e negociatave. Angela Merkel deklaroi se qëndrimi i saj për Shqipërinë do të varet nga ajo që do të vendosë Bundestagu, në fund të muajit shtator.  Teksa të gjithë presin përgjigjen e Gjermanisë, prej së cilës varet dhe vota e shumë vendeve të tjera, Edi Rama duket se e ka marrë jo shumë seriozisht çështjen e negociatave. Një fakt që e dëshmon këtë është agjenda e kreut të qeverisë në Berlin. Takimet kryesore ishin sot, ndërsa kryeministri ka vendosur që të rrijë në Berlin për disa ditë dhe të merret me krijimtarinë e tij artistike. Pas takimit me Merkel, Edi Rama ka vrapuar për në galerinë “Art Berlin Fair” ku do të prezantojë, më datën 15 shtator, librin e tij të ri. Në këtë ceremoni Edi Rama prezantohet vetëm si artist. Bashkë me të janë dhe artisti Anri Sala, si dhe  Martin Herbert, kritik arti. Aktiviteti moderohet nga Silke Hohmann. Nuk dihet sesi financohet aktiviteti i kreut të qeverisë në këtë galeri arti. Sipas informacionit që kanë në faqen zyrtare, hyrja në galeri është 36 euro për person. Ndërkohë një tjetër faqe e shitjeve online news.artnet.com të veprave të artit, paraditen e djeshme ka nxjerrë treg një vepër të kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për një pikturë në formatin A4, ku kryeministri ka zhargavitur gjatë takimeve me n e Brazilit dhe disa takime të tjera. Kjo vepër arti kushton 3500 euro. Nga agjenda në galeritë dhe muzetë e Berlinit duket se kreu i qeverisë ka më shumë punë si artist, sesa si politikan. Nuk kuptohet, nëse Edi Rama ka shkuar në Gjermani për negociatat apo si tregtar pikturash.