Flet ish-kryenegociatorja Edita Tahiri: Kryeministri shqiptar bën lojë djallëzore me Cakajn për ndarjen e Kosovës. Bushati u shkarkua, se ishte kundër ndryshimit të kufijve

473
Sigal

Edita Tahiri: Rama bën lojë djallëzore me Cakajn për ndarjen e Kosovës

Ish-kryenegociatorja e Kosovës me Serbinë: Rama bën lojë djallëzore me Cakajn për ndarjen e Kosovës. Bushati u shkarkua, se ishte kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ish-ministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka komentuar ndryshimet në diplomacinë shqiptare. Ajo tha se ideja e ndryshimit të kufijve është e gabuar dhe Edi Rama nuk duhet të bëhet pjesë e lojërave djallëzore. “Kandidimi i këtij personi nga z. Rama ishte djallëzor. Nuk është problemi te individi, por te qëndrimet e Z. Rama. Ideja e ndryshimit të kufijve është rrezikshme për gjithë shqiptarët”,- tha Tahiri. Ajo shtoi se “Edi Rama duhet të shprehet qartë kundër ndryshimit të kufijve. Nuk janë shqiptarët ata që duhet të japin toka për të krijuar Serbinë e Madhe”.

Tahiri: Ne shqiptarët nuk mund të ndihmojmë agjendat serbo-ruse

Edita Tahiri ka vlerësuar vendimin e Presidentit Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme. Ajo është shprehur se ky vendim i Presidentit ishte kombëtar dhe vizionar. “Ne shqiptarët gjithmonë jemi cenuar. Nuk jemi në pozitën që të japim toka për Serbinë e madhe dhe të ndihmojmë agjendat serbo-ruse”, tha ajo.

Bushati u shkarkua se ishte kundër Ramës

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, tha se Ditmir Bushati u shkarkua si Ministër i Jashtëm, për shkak të qëndrimit të tij kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një qëndrim që binte ndesh me dëshirën e Kryeministrit Rama. “Shqipëria është prononcuar për idenë e ndryshimit të kufijve, vetë Presidenti Meta, Partia Demokratike, ish-Ministri i jashtëm Bushati, i cili jo vetëm që ishte i qartë, por më duket se humbi detyrën për këtë punë”, – tha Tahiri.

Rama ka detyrim kushtetues të mbrojë Kosovën

Shqipëria ka obligim ndaj Kosovës. Në Kushtetutën e Shqipërisë thuhet se Shqipëria ka detyrime dhe obligim kombëtar. Z. Rama e ka detyrë kombëtare dhe detyrim Kushtetues që të dalë kundër ndryshimit të kufijve”,- tha Tahiri. Duke kritikuar idenë e ndarjes (copëtimit) të Kosovës nga ana e Presidentit Hashim Thaçi, Tahiri tha se Edi Rama nuk duhet t’u japë mbështetje projekteve të tilla, por t’i ndalojë. “Kemi më shumë se 100 vite që jemi vrarë nga serbët, tani duhet t’u japim edhe tokë?! Gjaku i shqiptarëve është në themelet e Kosovës, nuk lejohet kush t’i prekë. Ndarja nuk zgjidh probleme, destabilizon. Ata që e njohin mirë Ballkanin e dinë se, prekja e kufijve nuk sjell stabilitet, sjell luftë”,- tha Tahiri.

Elida Tahiri: Rama të dalë kundër ndryshimit të kufijve, ja skenarët e Serbisë

Edita Tahiri i bëri thirrje Kryeministrit Rama që të dalë publikisht kundër ndryshimit idesë së ndryshimit të kufijve dhe për të qëndruar larg agjendave serbo-ruse. “Unë e ftoj Kryeministrin Rama që të dalë publikisht kundër ndryshimit të kufijve të ndryshimit të Kosovës, në raportin Kosovë-Serbi në dialog, sepse ne shqiptarët gjithmonë jemi cunguar historikisht. Ishte viti 1999, kur e çliruam Kosovën, atëherë ne bëmë kthesë gjeopolitike, i bëmë dy shtete shqiptare, por ne ende jetojmë në 5-6 shtete. Kështu që nuk jemi ne në pozitë të japim toka për të krijuar Serbinë e madhe dhe për të plotësuar agjendat serbo-ruse”, – tha ish-kryenegociatorja e Kosovës, duke komentuar edhe lojën e Serbisë për përfituar territore të reja në Ballkan dhe për të rikthyer dominimin e dikurshëm. “Edhe Veriu i Kosovës, edhe Lugina Preshevës janë toka shqiptare dhe nuk këmbehen tokat shqiptare, pse Serbia dëshiron që të kthejë rikthejë dominimin në Ballkan, sepse gjysmën e Bosnjës e ka marrë dhe dëshiron edhe pasurinë që ka veriu i Kosovës dhe më pas ne të mbetemi të ndarë siç jemi. Veriu i Kosovës është integruar në sistemin juridiko-kushtetues të Kosovës, kemi shtrirë sovranitetin falë dialogut 7-vjeçar, të cilin e kam udhëhequr unë. E di që ka një prirje në opinion për të mos i parë këto rezultate, por ne kemi shtrirë shtetin në Veri, në drejtësi, në polici, në dogana, kemi vendosur kufirin ndërshtetëror me Serbinë, madje me Komisionin Evropian dhe komision trepalësh. Pra, Veriu është i integruar në fushat kryesore. Kur Serbia e pa që me dialog u integrua Veriu në sistemin e Kosovës, braktisi këtë qasje dhe dialogun e doli në skenarë gjeopolitike. Sepse ne kemi biseduar tre herë me Serbinë, ka synime gjeopolitike, por ne shqiptarët nuk jemi më të shtypur, por jemi një komb shumë më i fuqishëm, kemi vizion, i kuptojmë gjërat. Ka një propagandë prej këtyre aktorëve që janë të përfshirë si Thaçi dhe Rama, të cilët thonë se kur bëhet ky shkëmbim ne bashkohemi. Nëse po bashkohemi, çfarë u duhet njohja e Kosovës? Çfarë i duhet Kosovës të jetë anëtare e OKB-së, nëse bashkohet me Shqipërinë? Por një bashkim i Shqipërisë me një Kosovë të cunguar, ky nuk është bashkim”, – u shpreh Tahiri.