Flamur Golemi: Gjirokastra ka nevojë për vlera të shtuara

1352
Sigal

Flet kandidati për kryetar Bashkie në Gjirokastër, Flamur Golemi: Pafuqia e opozitës për ta mundur Ramën në zgjedhje bën që ajo të dalë me kërkesa absurde

Si kryebashkiak, dua t’i jap Gjirokastrës qeverisjen vendore të munguar

Gjirokastra, ka shumë mundësi, që kësaj here të ketë kryebashkiak një mjek. Është Flamur Golemi, një djalë që u rrit dhe u burrërua duke u shërbyer qytetarëve gjirokastritë me humanizmin e tij. Flamur Golemi, kandidati për kryebashkiak i Gjirokastrës, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se qëllimi i tij është t’i japë vendlindjes, qeverisjen vendore të munguar.

Zoti Golemi, sa ndikuan protestat e opozitës për imazhin e Shqipërisë në vendimmarrjen e BE-s për të mos hapur negociatat tani në qershor?

Komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn, ishte shprehur se situata politike në Shqipëri pati ndikim tek disa vende të caktuara, për të shtyrë në kohë vendimin për hapjen e negociatave. Natyrisht që sulmet me molotov të opozitës mbi institucionet, aktet e dhunës dhe qesëndisja e Shqipërisë në çdo kancelari në Evropë dhe mediat e huaja, në çdo rast kontribuojnë për keq në procesin e integrimit.

Në këto situata që degjenerojnë në konfrontime fizike të qytetarëve me policinë e Shtetit, a do zhvillohen normalisht zgjedhjet në 30 qershor pa opozitën?

Zgjedhjet nuk janë të partive, por janë të qytetarëve. Ato që pamë në Tropojë, Shkodër e Kavajë janë skena të turpshme. Unë nuk arrij ta konceptoj dot se si një parti që lindi si shpresë për shqiptarët dhe solli pluralizmin, sot është katandisur të djegë shkolla. Ky është dëshpërim i madh që ke kapur opozitën. Pavarësisht incidenteve të cilat me thënë të drejtën ishin të pritshme nga opozita e rrugës, 30 qershori është i pakthyeshëm.

Sipas jush, a mund të kushtëzojnë opozita dorëheqjen e Ramës nga kryeministër, për të zgjidhur krizën politike?

Çdo opozitë është në të drejtën e vet të kërkojë largimin e qeverisë dhe sigurisht që “shënjestra” kryesore është Kryeministri. Opozita jonë që humbet nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, ka një arsye më tepër për ta përqendruar të gjithë sulmin tek Kryeministri. Pafuqia e saj për ta mundur në zgjedhje bën që opozita të dalë me kërkesa absurde të tipit: nuk dialogoj unë me Edi Ramën. Rama është Kryeministër legjitim, ka marrë mandat dy vjet më parë dhe askush s’ka të drejtë të ndërpresë këtë mandat pa u zhvilluar zgjedhje. Për zgjedhjet opozita duhet të presë verën e vitit 2021.

Reforma në Drejtësi a ecën në rrugën e duhur?

Fakti që sot kemi plot gjyqtarë dhe prokurorë jashtë sistemit pa diskutim që është lajm i mirë. Vettingu po e pastron sistemin e drejtësisë nga kasta e të korruptuarve. Mbetet ende shumë për t’u bërë. Ngritja e strukturave të reja si SPAK de BKH brenda këtij viti, e kompleton të gjithë arkitekturën e re të sistemit tonë të drejtësisë. Kjo është një reformë historike të cilën e inicioi PS, e mbështetën partnerët tanë ndërkombëtar dhe u votua në mënyrë unanime në Kuvend nga të gjitha palët.

Çfarë ju bën optimist, në fushatën tuaj elektorale, për kryetar bashkie për Gjirokastrën?

Fushata në Gjirokastër ka ecur shumë mirë. Unë jam përditë në takime derë me derë, lagje më lagje e fshat më fshat. Kërkoj një mandat si kryebashkiak për t’i dhënë Gjirokastrës qeverisjen vendore të munguar. Sezoni turistik sigurisht që ka nisur. Pavarësisht dëmit ndërkombëtar që i është bërë vendit me protestat e dhunshme të opozitës këto muaj, ka turistë që vijnë në Gjirokastër. Sfida jonë e përbashkët dhe e imja si kryebashkiak pas 30 qershorit do të jetë, të zgjasim sezonin turistik në Gjirokastër. Potencialet janë të shumta, thjesht duhet pak më shumë punë dhe koordinim në këtë drejtim. Besoj se Gjirokastra ka një perspektivë të shkëlqyer në turizëm dhe do të jetë shumë shpejt një nga polet kryesore turistike në Shqipëri.