Fatmir Toçi*/Ka filluar organizimi për manipulimin e votës

468
Sigal

*Deputet i PS-së në Qarkun e Vlorës

Alarm i mësuesve të tronditur nga Vlora, Bregu, Lumi i Vlorës dhe gjithë vendi. Ultimatumi i drejtorëve: “Dorëzoni të dhënat personale ose do të largoheni nga puna!”,  u bëhen personave të punësuar në sistemin shtetëror për zgjedhjet e 23 Qershorit. Sot, në mënyrë të organizuar në të gjitha shkollat u është kërkuar mësuesve nga drejtorët militantë të shkollave dhe “inspektorët” e Drejtorive Arsimore, që çdo mësues dhe i punësuar në shkolla të deklarojë “me përgjegjësi” të dhënat e tij personale sipas kartës së identitetit, numrin e kartës së identitetit, adresën e banimit, si dhe qendrën e votimit, ku do të votojnë me 23 Qershor!  Kur dikush nga mësuesit, i habitur nga kjo kërkesë e paligjshme nga instanca që nuk kanë të drejtë të marrin informacione të tilla, përgjigjja ka qenë standarde dhe prerë: “Bëjini, në të kundërt mos u paraqitni më në punë!”.  Ky është një presion i hapur që u bëhet shtetasve shqiptarë për të votuar sipas orkestrës së qeverisë, por edhe një shprehje e qartë e frikës dhe panikut që ka përfshirë këtë lloj maxhorance për verdiktin e sovranit në zgjedhjet e ardhshme.  Sipas informacioneve të shumta, ky lloj presioni ka filluar dhe do të intensifikohet më shumë në ditët në vazhdim, edhe në sektorët e tjerë ku shqiptarët janë të punësuar në institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, duke i kërcënuar me humbjen e vendit të punës. Përveç arsimit, kështu po ndodh në shëndetësi, në administratën publike, në polici dhe gjithë sektorët e tjerë. Madje, po kërkohen të dhëna edhe për të gjithë familjarët e të punësuarve që aktualisht jetojnë e punojnë në emigracion, të dhëna të detajuara për vendndodhjen, pjesëtarët e familjeve të tyre në emigracion dhe, sidomos numrin e saktë të kartave të tyre të identitetit.  Kuptohet qartë se përse i duhen drejtuesve të institucioneve shtetërore këto të dhëna. Kujtojnë (dhe e shohin si rrugë të vetme shpëtimi) aplikimin e skemave të vitit 2009 me kartat dhe tjetërsimin e votës të atyre emigrantëve që nuk mundën të vijnë për të votuar në dy zgjedhjet e fundit, të përgjithshme dhe për pushtetin vendor.  U bëjmë thirrje këtyre njerëzve të veshur me pushtet, apo të vënë verbërisht në shërbim ndaj pushtetit të sotëm për përfitime të vogla apo të shtyrë nga përpjekjet e tyre për mbijetesë: Hiqni dorë nga skema e forma të tilla, të cilave u ka dalë boja dhe janë të dështuara. Lëreni të lirë shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre për forcën politike që preferojnë ta drejtojë vendin në vitet e ardhshme! Jemi në shekullin e lirisë së fjalës dhe shprehjes së vullnetit të pavarur dhe jetojmë në mes të shteteve më demokratike të Globit, atje ku prej kohësh të gjitha aspirojmë të integrohemi. U bëjmë thirrje mësuesve dhe gjithë punonjësve të inkuadruar në ndërmarrjet dhe çfarëdo strukture shtetërore: Nuk ka vend e arsye të trembeni e ligështoheni nga presionet e dëshpëruara të elementëve kriminalë, kamikazë të një kauze antidemokratike që përfaqësojnë një qeveri në ikje, të cilën e ka përfshirë prej kohësh paniku për shkak të mënyrës se si e ka degraduar totalisht këtë vend.