Erion Veliaj: Familjet që strehoheshin tek godina 15 në Qytetin Studenti do të marrin bonus qiraje

288

 

U dëmtua rëndë nga tërmeti, Këshilli Bashkiak miraton vendimin për shembjen godinës Nr. 15 në “Qytetin Studenti”

 

Veliaj: “Familjet do të marrin bonus qiraje për një vit; Padi penale për këdo që pengon evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve”

 

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka pranuar akt-konstatimin e Institutit të Ndërtimit, i cili e ka shpallur të pabanueshme godinën nr. 15 në Qytetin Studenti, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit dhe ka vendosur ta shembë atë për të mos rrezikuar jetën e banorëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se për shkak të amortizimit ndër vite godina nr. 15, ashtu si edhe dy godina të tjera në “Qytetin Studenti”, kanë pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i javës së shkuar, çka i ka detyruar inxhinierët e Institutit të Ndërtimit ta shpallin si të pabanueshme dhe një rrezik potencial për banorët që jetonin aty.

 

Ai shpjegoi se ashtu siç po veprohet me shumë ndërtesa të tjera që kanë pësuar dëmtime në strukturë, edhe kjo godinë do të prishet. “Kemi marrë tre akt konstatime nga Instituti i Ndërtimit, të cilat dëshmojnë se godinat nr. 15, 18 dhe 19 në “Qytetin Studenti”, janë dëmtuar përtej asaj se ç’mund të riparohet, kanë dëmtime në strukturë. Janë tre godina të cilat nuk banohen nga studentë, janë tejet të amortizuara, të zaptuara prej 30 vitesh, që nga viti 1991. Kanë qenë në plan të ribëhen të reja nga Bashkia e Tiranës me projektin e KFË-së, por nuk mund të presin deri në fund të vitit tjetër, kur të jemi gati për zbatimin e projektit. Kush ka parë pamjet, e ka parë sesi duket edhe nga jashtë, çarjet që janë bërë, ndërhyrje në mure. Një portal kishte zbuluar një pemë që dilte nga muret, dhe pema dilte nga brenda jashtë, pra bëhet fjalë për një skenar të denjë për vende dhe popuj. Kjo është arsyeja pse dua që të kërkoj miratimin e Këshillit Bashkiak për çmontimin e kësaj godine”, tha Veliaj.

 

Sa i përket familjeve që e kanë zaptuar dhe që janë strehuar në të, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se ato do të trajtohen me bonus qiraje, si të gjitha familjet e tjera të prekura nga tërmeti. “Shumica prej tyre më rezulton se i kanë plotësuar formularët e qirasë; do t’ua kalojmë qiranë njësoj si familjet e prekura nga tërmeti, pavarësisht se nuk janë pronarë të asaj godine, pavarësisht se e kanë zaptuar atë godinë, dhe pavarësisht se një pjesë e madhe as nuk paguan detyrimin minimal, ujë, drita dhe qira Qytetit Studenti”, tha Veliaj.

 

Ai paralajmëroi me ndjekje penale të gjithë ata që do të pengojnë uniformat e shtetit në evakuimin e banorëve nga godinat e klasifikuara të rrezikshme prej tërmetit. “E kuptoj se në një vend si Shqipëria, edhe kur je në ditë të fatkeqësisë, edhe kur je në një situatë të vështirë emergjence dhe fatkeqësie natyrore, politika e vjetër nuk heq dorë; skenat që pashë mbrëmë, ku një ish-deputete shkonte dhe therej me policinë dhe zjarrfikësen, ishin të pashembullta. Ky nuk është momenti për të bërë politikë. Do të vijnë në 2023 zgjedhjet lokale dhe le të fitojë më i miri, nëse nuk e bëjmë mirë këtë punë. I bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë, deputetë, ish-deputetë, çfarëdo qofshin, na lini të bëjmë punën, ky është menaxhim i emergjencës, kjo nuk është fushatë elektorale, kështu që nëse më parë këta personazhe i kam çuar dhe i kam paditur në gjykatë për shpifje dhe i kam fituar ato beteja, kësaj here do t’i padis penalisht, nëse dikush pengon zjarrfikësen apo policinë që të bëjë evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve do të paditet penalisht. Lini forcat e rendit, zjarrfikëset dhe stafin me uniforma të bëjë detyrat sipas ligjit dhe të respektojë vendimet e Këshillit Bashkiak, pastaj bëni politikë sa të doni”, tha Veliaj.

 

Ai nënvizoi se përfaqësuesit e opozitës që sot dalin edhe shfaqen sikur po mbrojnë banorët e godinës Nr.15 në Qytetin Studenti, kishin 30 vite që t’i sistemonin me banesë këta qytetarë, por nuk e bënë.