Edi Rama në Librazhd: “Rilindja urbane”, një proces i pandalshëm

109

Gazeta Telegraf/ Kështu e ka vlerësuar kryeministri Edi Rama
projektin për “Rilindjen urbane” të qyteteve, këtë herë nga Librazhdi, ku pa
nga afër transformimin e qendrës dhe të disa zonave të banimit.

“Unë e kam shumë të qartë që këtu ka ende shumë nevoja, por është e
rëndësishme që të gjithë njerëzit duhet të kuptojnë se ky është një proces i
pandalshëm dhe shumë i shëndetshëm i zhvillimit urban. Përmirësimi i cilësisë
si nata me ditën i hapësirës publike, në qytetin bazë të bashkive të reja,
është një mesazh shumë i qartë për çdo banor të bashkive në fshatin më të
largët. Nga ana tjetër është e vetmja mundësi për të krijuar komunitet,
bashkëjetesë, sens përkatësie dhe për t’u shkëputur psikologjikisht nga ndarja
dhe izolimi në shumë copa, me 400 komuna e me 400 mijë plagë, që në vend që të
kuroheshin, vetëm sa u agravuan dhe u infektuan”, tha kryeministri Edi Rama.

Rama shprehu bindjen se transformimi urban po shoqërohet edhe me rritje
të aktivitetit të biznesit, aty ku është ndërhyrë.

“Ajo që njerëzit nganjëherë nuk e perceptojnë, për shkak të propagandës
së kazanit, është që kjo lloj qasjeje sjell rritje të ekonomisë lokale, sepse
sjell rritje të dëshirës për të bërë biznes të vogël. Sjell rritje të dëshirës
për të konsumuar, e patjetër edhe rritje të vetëpunësimit, ose të punësimit të
vogël”, shtoi më tej kryeministri Rama.

Kryebashkiaku Kastriot Gurra e njohu kryeministrin me ndryshimet që i
janë bërë qytetit, duke nisur nga sheshi i ridimensionuar i qytetit, ndërhyrjet
në rrugë, prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa aktualisht ka nisur
rikualifikimi urban i hyrjes së qytetit, e cila ndër vite është degraduar për
shkak të përmbytjeve nga lumi Shkumbin.