Institucioni i akuzës po komandohet nga politika

468
Sigal

Intervistë nga Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Në Shqipëri vazhdon tradita e ‘komandimit” . Tashmë në PS, të akuzuarit nga prokuroria, janë sekretar të saj dhe shëmbëlltyra mediatike e shtetit të kapur nga bandat. Kryeministri nuk ka ndërmend të pranojë zgjedhje të parakohshme pa blinduar Kodin Zgjedhor. Opozita dhe pse intelektualët duhet të mendojnë për Shqipërinë dhe jo partitë

 

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së

Tashmë në PS, të akuzuarit nga prokuroria, janë sekretarë të saj, dhe shëmbëlltyra mediatike, që moralizojnë çdo ditë për vlerat e “shoqërisë se re”! Me sa kuptohet nga politikat që ndiqen, amoraliteti është moral i qeverisjes në PS

Tradita e “komandimit” të Institucionit të Akuzës nga politika krijon mosbesim tek SPAK

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se personat me rekorde kriminale, po bëhen kryebashkiakë dhe deputetë dhe vëren se “amoraliteti është moral i qeverisjes në PS”. Prof. Sherifi shpreh bindjen se kryeministri Rama nuk do të dorëhiqet, por pasi të ndryshohet Kodi Zgjedhor, paralajmëron se do të ketë zhvillime të reja politike. Prof. Sherifi thotë gjithashtu se, Tradita e komandimit që bëhet në Institucionin e Prokurorisë, krijon mosbesim edhe për SPAK-un.

-Prof. Sherifi, e kujt është përgjegjësia që kryebashkiakë po dalin persona me rekorde kriminale?

– Nuk jam i befasuar me “fenomenin” e ri, kur edhe disa kryebashkiakë po largohen “pa u ulur me karekëll”, ose me “dëshirë” si rasti i Shkodrës, ose me kërkesë të prokurorisë, rasti i Vorës. Të tjerë mund të shfaqen në ditët që vijnë dhe askush në PS nuk do të befasohet si unë. Tashmë në atë subjekt politik të akuzuarit nga prokuroria, janë sekretarë të saj, dhe shëmbëlltyra mediatike, që moralizojnë çdo ditë për vlerat e “shoqërisë se re”! Me sa kuptohet nga politikat që ndiqen, amoraliteti është moral i qeverisjes në atë parti.

Kryeministri Rama, duke bërë fajtor Presidentin Macron për “JO”-në e mos hapjes së negociatave, a premton që Shqipëria të plotësojë kushtet e Gjermanisë?

– Për debatin publik, pse nuk u hapën negociatat, mendoj se mediat elektronike dhe ato të shkruara kanë rënë në “kurthin” e ngritur nga “strategu i europianizimit”. Merret me tepëri me deklaratat e Makronit, për t’u harruar deklaratat e “strategut” që ka thënë me zë e figurë, se negociatat me BE janë hapur që në qershor 2018! Nderi që ka bërë Makron është mosndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria! Synimi i dytë është “harresa mediatike” nga kushtet që ka vendosur Merkel. Kushtet tregojnë hapur se qeveria dhe qeverisja, nuk i ka kryer “detyrat e shtëpisë”. Thjesht, kamuflohet me mjeshtëri dështimi, duke akuzuar Makron dhe Francën.

– Pse zyrtarët e Bashkimit Evropian , kur nuk përmendin korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin e organizuar, për mungesën e Shtetit të së Drejtës, kanë kaq qëndrim të kundërt me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë për reformat në Shqipëri?

-Tani kanë ikur nga drejtimi i Institucioneve të BE “Garda” që nuk kishte”sy” të konstatonte atë qe ju thoni, lidhjet e politikës me krimin, dhe se sa larg është qeverisja e Shqipërisë, nga standardet e shtetit të së Drejtës. Nuk duhet të habitemi me inkoherencën e Parlamentit Evropian, me qeveritë e tyre. Shumë nga vlerat e qeverisjes demokratike kanë deformime thelbësore edhe në disa vende evropiane. Evropa është ende pa Kushtetutë dhe pa president të BE. E rëndësishme është të krijohet bindje se standardet e qeverisjes demokratike duhet t’i kërkojnë inteligjenca e Shqipërisë. Është dëshpëruese kur intelektualët ende, nuk i shërbejnë Shqipërisë, por partive politike. Partitë politike kanë menduar e do të mendojnë vetëm për pushtetin e tyre dhe të lobeve që ju shërbejnë.

– Kohët e fundit shtohen zërat e personaliteteve socialistë kundër keqqeverisjes së kryeministrit Rama, madje i kërkojnë dorëheqjen. Mendoni se kjo do të reflektohet edhe në elektoratin socialist?

– I kam dëgjuar edhe unë “zërat kritike”. Jam larguar nga ajo parti se nuk isha dakord me filozofinë e qeverisjes dhe moralin qeverisës. Krijova Lidhjen për Drejtësi e Progres si shkollë politike që promovon Shtetin e së Drejtës dhe nuk dua t’u jap mend socialistëve se ç’duhet të bëjnë. Kam qenë dhe jam kritike i keqqeverisjes.

– Prof. Sherifi, janë denoncuar e provuar krime elektorale me protagonistë ministra të qeverisë, korrupsione me koncesione dhe prokuroria nuk vepron. Sa shpresë mund të sjellë SPAK dhe BKH?

– E kam trajtuar disa herë se në Shqipëri nuk mungon vetëm Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Por ka funksionuar as prokuroria si organ i vetëm i akuzës. Prokurorja e Përkohshme, ka vite në detyrë dhe ka vërtetuar se nuk ka guximin shtetëror dhe aftësitë profesionale të rizgjidhet Kryeprokurore. Nëse ndodh, meqenëse është zgjedhur si konkurruese nga KKP, do vazhdohet tradita e “komandimit” te Institucionit të akuzës nga politika, duke krijuar premisa për të mos besuar në “drejtësinë e re” të SPAK dhe BKH.

– Si e vlerësoni veprimin opozitar?

– Opozita në Shqipëri është tepër e vështirë, sepse qeverisjet mandatin e dytë kanë prirje autoritare. Opozita e bashkuar shkoi në veprime ekstreme institucionale kur dorëzoi mandatet parlamentare dhe duke mos marrë pjesë në votimet e 30 qershorit. Kjo lëvizje nuk u mirëprit nga faktori ndërkombëtarë, por pa e bërë pyetjen normale, si është e mundur që sakrifikohet mandatin, paga personale, dhe “dhurohet” pushteti vendor? Mendoj se strategjia e opozitës ishte denoncimi i qeverisjes autokratike, e cila rezultatet i jep ngadalë ngadalë. Ky veprim besoj u krye, edhe sepse faktori ndërkombëtar nuk i vlerësonte nismat opozitare për dekriminalizimin e parlamentit, e cila largoi disa deputetë nga parlamenti dhe nuk u mbështet publikisht për faktet e shumta të kanalizimit dhe tenderëve korruptive nëpërmjet PPP. E konsideroj të drejtë përfshirjen në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, si përgjegjësi për plotësimin e kushteve që vendosi Gjermania, si një partner i rëndësishëm dhe mbështetës për hapjen e negociatave me BE.

– A mund të detyrohet Kryeministri Rama të bëjë zgjedhje të parakohshme përmes bisedimeve e marrëveshjeve, apo duhen protesta masive?

– Rama nuk ka ndërmend të pranojë zgjedhje të parakohshme. Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, mendoj se mund të ndërmerren lëvizje të reja për rivendosjen e normalitetit institucional të deformuar thelbësisht.

Faleminderit!