Ndarja nga jeta e historianit të njohur, Meta: Ruaj respektin më të thellë si ish-studenti i tij

89

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të pedagogut të Historisë, Llambro Filo, i cili ishte shtruar në spitalin Infektiv pasi kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Meta thotë se Filo ka qenë profesori i tij i dashur, duke vlerësuar komunikimin e ngrohtë dhe aftësitë e spikatura pedagogjike.

“Një tjetër lajm i trishtë më hidhëroi sot, ndarja nga jeta e njërit prej Profesorëve të mi të dashur, Llambro Filo, pedagogut veteran të Departamentit të Historisë.

Si ish-student i Tij ruaj respektin më të thellë për komunikimin e ngrohtë dhe njerëzor si mësimdhënës, për aftësitë e spikatura pedagogjike, por edhe si një intelektual me vlera të larta shoqërore dhe qytetare, me kontribut të shquar në fushën e Historisë, së cilës i kushtoi gjithë jetën e Tij.

Duke ndarë dhimbjen me familjen Filo, të afërmit, komunitetin e nderuar të historianëve dhe të gjithë studentët e shumtë të Tij, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Lamtumirë i dashur Profesor!
I paharruar kujtimi!”, shkruan Meta.