Prej dy vitesh, fondet IPARD për bujqësinë shqiptare janë të bllokuara për shkak të korrupsionit me fondet e IPARD. Më herët OLAF, deklaroi se pa hetuar e zbardhur plotësisht abuzimin 33 milionë euro me fondet e BE-së për fermerët shqiptarë, 112 milionë eurot e tjera të IPARD do të mbeten të bllokuara. Prof. Edmond Panariti në intervistën për “Telegraf” u shpreh se fondet IPARD kanë qenë oksigjeni i investimeve në bujqësi, dhe se skema me garanci sovrane për të cilën flet qeveria është e paarritshme për shumicën e fermerëve, pasi bankat kërkojnë kolateral, ndërsa fermerët nuk kanë asnjë garanci reale.Për Prof Panaritin : 2026 do të jetë viti i paralizës së prodhimit bujqësor, ndaj duhet të rikthehet transparenca në menaxhimin e fondeve dhe reformuar AZHBR.Ja intervista e plotë:
Me pezullimin e tyre dhe me konfirmimin se nuk do të zhbllokohen as për vitin 2026, Shqipëria humbet jo vetëm financimin, por edhe besimin e partnerëve europianë. Kjo është një goditje e dyfishtë: nga brenda me buxhet mjeran , dhe nga jashtë me mungesë mbështetjeje.
Intervistoi: Biora Vojka
Intervistë me Prof. Dr. Edmond Panariti, ish-Ministër i Bujqësisë dhe ekspert i politikave agrar.
-Prof. Panariti, si e lexoni financimin buxhetor për Ministrinë e Bujqësisë në rishikimin e fundit për vitin 2025?
Mos ndryshimi i masës së financimit për mua është sinjal i qartë se bujqësia nuk është më prioritet strategjik. Në një kohë kur ky sektor përbën burimin kryesor të të ardhurave për mijëra familje, një stanjacion i tillë buxhetor është jo vetëm i padrejtë, por edhe i rrezikshëm. Ai dëmton subvencionet, investimet dhe mbështetjen teknike për fermerët, duke e lënë fshatin në mëshirë të fatit.
-Si ndikon kjo ulje në kontekstin e bllokimit të fondeve IPARD nga Bashkimi Evropian?
Ndikon thellësisht. Fondet IPARD kanë qenë oksigjeni i investimeve në bujqësi për agroturizmin, agropërpunimin, infrastrukturën rurale. Me pezullimin e tyre dhe me konfirmimin se nuk do të zhbllokohen as për vitin 2026, Shqipëria humbet jo vetëm financimin, por edhe besimin e partnerëve europianë. Kjo është një goditje e dyfishtë: nga brenda me buxhet mjeran , dhe nga jashtë me mungesë mbështetjeje.
Nëse nuk ndryshon kursi, 2026 do të jetë viti i paralizës së prodhimit Bujqësor . Pa IPARD, pa rritje buxheti, pa akses real në kredi, bujqësia do të mbijetojë vetëm në formën e vetëprodhimit. Do të kemi më pak investime, më pak eksport, më pak agroturizëm.

-Qeveria ka propozuar një skemë me kredi të garantuara për fermerët. A është kjo zgjidhje?
Absolutisht jo. Skema me garanci sovrane është e pamjaftueshme dhe e paarritshme për shumicën e fermerëve. Bankat kërkojnë kolateral, ndërsa fermerët nuk kanë asnjë garanci reale. Për më tepër, mungon edukimi financiar, mungon asistenca teknike, dhe mungon vullneti politik për ta bërë këtë skemë funksionale. Në vend që të ndihmojë, kjo skemë rrezikon të krijojë borxhe të pamenaxhueshme dhe zhgënjim të thellë.
-Çfarë pritet të ndodhë në vitin 2026?
Nëse nuk ndryshon kursi, 2026 do të jetë viti i paralizës së prodhimit Bujqësor. Pa IPARD, pa rritje buxheti, pa akses real në kredi, bujqësia do të mbijetojë vetëm në formën e vetëprodhimit. Do të kemi më pak investime, më pak eksport, më pak agroturizëm. Dhe më shumë migrim nga fshati. Kjo nuk është thjesht krizë buxhetore—është krizë strategjike dhe sociale.
-Çfarë duhet të ndodhë?
Duhet të rikthehet transparenca në menaxhimin e fondeve. Duhet reformë në AZHBR. Duhet rritje e buxhetit me fokus në subvencione direkte, jo kredi të pamundura. Duhet rikthim i besimit të BE-së për të zhbllokuar IPARD. Dhe mbi të gjitha, duhet një politikë e re për fshatin jo si zonë e harruar, por si motor zhvillimi.




















