OSBE/ODIHR publikon raportin për 11 majin: Partia-shtet krijoi avantazh të padrejtë, gara ishte e pabarabartë, pati presione, stimuj dhe blerje votash .Votuesit u frikësuan dhe mazhoranca përfitoi nga përdorimi i administratës
U vunë re akuza për presion mbi punonjësit publikë, raste intimidimi ndaj mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorim i rrjeteve të patronazhit, gjë që është e papajtueshme me standardet ndërkombëtare. Raporti i OSBE-ODIHR rekomandon: Parandaloni keqpërdorimin e funksioneve publike dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale
INFO
Raporti i vë vulën që Karta e Kopenhagës u shkel.
KQZ është organizëm turpi që ka bekuar krimin zgjedhor të partisë në pushtet.
Prokurori dhe SPAK kanë lejuar hapur konsumimin masiv të krimit elektoral.
Administrata publike me mijëra patronazhistë kanë ushtruar kërcënime dhe terror.
Qindra milionë euro të shtetit u grabitën për zgjedhje nga qeveria.

Misioni i OSBE-ODIHR-it ka përgatitur një prej raporteve më të errët për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri. Vendi, i cili sipas kryeministrit Edi Rama, është bërë gati për të hyrë në Bashkimin Europian, nuk siguron standardin më minimal të zgjedhjeve politike.Në vijim janë paragrafët më pikantë, ku flitet se si nuk shihet më vijë ndarëse mes partisë dhe shtetit, se si partia-shtet përdori gjerësisht administratën dhe burimet shtetërore në favor të saj, frikësimi i eksponentëve opozitarë dhe përdorimi masiv i mediave të mëdha në fushatën pro-qeveritare.
- “…Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të personave në detyrë (paragrafi 2, fq.2)
- “Votuesit kishin mundësi të zgjidhnin midis alternativave politike dhe garuesit në përgjithësi gëzonin liri fushate, por fusha e lojës ishte e pabarabartë me partinë në pushtet që përfitonte nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimit institucional, duke e zbehur vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë.” (pararafi i fundit, fq.3).
- “Shumica e mediave perceptohen si të lidhura me partinë në pushtet” (paragrafi 4, fq.4).
- “Zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në një mjedis politik shumë të polarizuar. Procesi i pranimit në BE zuri një vend të spikatur në diskursin politik, me Partinë Socialiste (PS) në pushtet që bëri fushatë për objektivin e anëtarësimit në vitin 2030 dhe theksoi momentet e negociatave. Partitë e opozitës kritikuan përdorimin e retorikës së integrimit në BE si një shpërqendrim nga çështjet e brendshme, siç janë standardi i jetesës, korrupsioni dhe prapambetja demokratike. Futja e sistemit jashtë kontrollit”. (paragrafi 5, fq.6).
- “Ndërsa garuesit bënë fushatë lirisht dhe votuesit kishin mundësi të zgjidhnin midis alternativave politike, fusha e lojës ishte e pabarabartë, me partinë në pushtet që përfitonte nga përdorimi i burimeve administrative dhe i ndikimit institucional. Ligji ndalon përdorimin e burimeve shtetërore për fushata, por lejon që fushatat të kryejnë detyrat e tyre zyrtare gjatë fushatës. Pak para dhe gjatë periudhës së fushatës, ministrat dhe kryeministri u angazhuan në ngjarje zyrtare, zhvilluan inspektime të objekteve, promovuan dhe nisën projekte investimesh dhe infrastrukturore, duke kontribuar në përgjithësi në avantazhin e partisë në pushtet dhe ndonjëherë duke bërë fushatë në mënyrë të qartë. Përveç kësaj, disa ngjarje në shkallë të gjerë gjatë periudhës së fushatës u përdorën për të përmirësuar imazhin publik të partisë në pushtet.” (paragrafi i fundit, fq.16).
- “Përdorimi i gjerë i aktiviteteve të tilla publike për qëllime zgjedhore përforcoi më tej avantazhin e padrejtë të partisë në pushtet dhe e zbehu vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990.” (paragrafi i fundit, fq. 17).
- “…Për më tepër, ODIHR-i mori gjithashtu akuza për votues që kishin frikë nga hakmarrja për pjesëmarrjen në aktivitete të partive opozitare, dhe raste të frikësimit të kandidatëve të opozitës dhe disa partive në pushtet”. (paragrafi 3, fq.18).
Konstatimi tronditës i ODIHR: Organizuan 4522 evente, KQZ ndaloi vetëm 18 prej tyre
Raporti i OSBE/ODIHR bën disa konstatime tronditëse për mënyrën se si u zhvillua procesi i 11 majit. Duke theksuar disa herë se gara ishte e pabarabartë dhe se opozita kandidonte përballë partisë shtet, në raport thuhet se qeveria e Edi Ramës organizoi plot 4522 evente me ndikim elektoral.Por sipas raportit, KQZ ndaloi vetëm 18 prej tyre.“Për më tepër, në periudhën katër mujore para ditës së zgjedhjeve, institucionet publike dhe entitetet shtetërore duhet të raportojnë çdo aktivitet publik pranë KQZ-së të paktën pesë ditë më parë. KQZ-ja mund të ndalojë disa evente nëse ato konsiderohen si një përdorim i mundshëm i burimeve shtetërore, të cilat nuk mund të raportohen më pas në media.Nga 4.522 evente zyrtare të regjistruara gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja ndaloi vetëm 18, duke ngjallur dyshime mbi kapacitetin e saj për të shqyrtuar të gjitha dorëzimet dhe interpretimin e saj të ngushtë të ligjit. Megjithëse shumë nga këto aktivitete formalisht përputheshin me dispozitat ligjore, volumi i tyre krijoi mundësi fushate për të zgjedhurin aktual, veçanërisht përmes institucioneve në nivel lokal në rajone ku zyrtarë të lartë qeveritarë shërbenin si koordinatorë politikë të PS-së. Mes këtyre eventeve, për të cilat u shpenzuan miliona e miliona euro të taksapaguesve shqiptare ishte edhe Giro D’Italia, për të cilën zyrtarisht u dhanë 7 milionë euro nga Rama.
Gazetarët u përballën me intimidim
Raporti i OSBE/ODIHR zbardh skemën e manipulimit elektoral përmes kontrollit masiv mbi median dhe ndalimin e Tik Tokut. Raporti evidenton qeveria shkeli standardet ndërkombëtare me ndalimin e përkohshëm të aksesit në Tik Tok duke patur një ndikim të dëmshëm për konkurentët, për të bërë fushatë.
Gazetarët u përballën me intimidim dhe pengesë në punën e tyre ndërsa agjencia për Media dhe Informacion (AMI),centralizoi dhe filtroi informacionin që lidhet me qeverinë dhe institucionet publike. Po kështu pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve të disponueshme për votuesit u dëmtua nga varësia e shumicës së mediave nga financimi jo transparent nga interesa politike dhe biznesi, shpesh të varura nga kontratat qeveritare.
REKOMANDIME:
- Për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të ODIHR-it, si dhe paqartësitë dhe mospërputhjet e ndryshme, kuadri ligjor zgjedhor duhet të reformohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes një procesi konsultues gjithëpërfshirës shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare.
- Për të garantuar stabilitetin e administratës zgjedhore, duhet të merret në konsideratë depolitizimi i procedurës së emërimit të administratës zgjedhore në nivelet më të ulëta, si dhe kufizimi i zëvendësimeve arbitrare dhe në momentet e fundit të anëtarëve të komisioneve, në mënyrë që të sigurohet trajnim i duhur dhe në kohë për të gjithë anëtarët.
- Për të forcuar kapacitetin dhe profesionalizmin e Ekipeve të Numërimit të Fletëve të Votimit, KQZ-ja duhet të zhvillojë seanca specifike trajnimi mbi procedurat e numërimit, të hartojë një kurrikulë trajnimi të standardizuar, që të përfshijë manuale dhe fletë informuese të kuptueshme për procesin e numërimit.
- Përpjekjet për edukimin e votuesve mbi votimin elektronik (e-voting) duhet të intensifikohen, me fokus në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve për procedurat e votimit elektronik dhe në sigurimin që të gjithë votuesit të jenë në gjendje të votojnë në mënyrë të pavarur.
- Për të eliminuar paqartësitë në legjislacion në lidhje me fushatën zgjedhore, përdorimi i burimeve administrative për qëllime elektorale duhet të ndalohet nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit.
- Për të garantuar kushte të barabarta gare, autoritetet duhet të marrin masa për të parandaluar keqpërdorimin e funksioneve publike dhe burimeve shtetërore. Duhet të vendosen sanksione proporcionale dhe dekurajuese, të cilat të zbatohen në mënyrë të shpejtë ndaj shkeljeve të tilla.
- 7. Në përputhje me praktikat e mira, ligji duhet të përcaktojë qartë se cilat aktivitete parazgjedhore përbëjnë shpenzime fushate, duke siguruar që ato të jenë subjekt i raportimit të duhur, mbikqyrjes dhe sanksioneve të mundshme.
- Materialet audiovizive të përgatitura nga partitë politike ose autoritetet qeveritare duhet të etiketohen qartë si reklama politike dhe për këtë arsye të ndalohen nga programet e lajmeve dhe ato editoriale. Duhet të ekzistojnë masa efektive për adresimin e shkeljeve, të cilat të zbatohen në kohë.






















