Gazeta Telegraf/ Konventa Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste
për Integrim në Përmet rizgjodhi si kryetar të saj z. Elton Ismaili si dhe
zgjodhi Komitetin e ri drejtues.
Në këtë Konventë mori pjesë Nën/Kryetari
i LSI, z. Endrit Braimllari, deputeti i Qarkut të Gjirokastrës,Vangjel Tavo si
edhe anëtarët e strukturave drejtuese të LSI Gjirokastër dhe Tepelenë.
Në fjalën e tij përpara anëtarëve të
kësaj force, Endrit Braimllari vlerësoi se LSI rritet sepse kjo parti politike
ka në qelizën e saj stabilitetin, qëndrueshmërinë, mirësinë dhe shërbimin ndaj
qytetarëve.
Braimllari: Sfida jonë e përbashkët është Shqipëria, se si ne do t’i shërbejmë
me politika konkrete, me rritje ekonomike, me përmirësimin e sistemit arsimor.
Ndaj dhe kjo garë e LSI është një garë ku përballen platforma, është një garë
që i shërben LSI-së sepse e përmirëson atë, vazhdon rrugën e hapjes së LSI.
Ne kemi nevojë për mendimin e
çdo qytetari jo vetëm mbi funksionimin e partisë, por dhe mbi qeverisjen e
vendit sepse jemi ne që përballemi çdo ditë me probleme nga më të ndryshme. Ne
kemi nevojë për një politikë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, për një
politikë që dëgjon dhe punon në shërbim të qytetarëve.
Deputeti i Qarkut të Gjirokastrës, z.
Vangjel Tavo u shpreh se LSI është një parti dinamike dhe e energjive
integruese jo vetëm për anëtarët e saj, por për mbarë qytetarët në të gjithë
vendin.
Tavo: Ju të dashur miq, qytetarë të Përmetit, ata të mbarë Gjirokastrës
dhe të mbarë Shqipërisë, tashmë e kanë kuptuar që LSI nuk është një parti
formale, por është një grupim politik dinamik, një grupim politik progresist,
që ecën me ritme të shpejta. Liria e çdo anëtari të LSI për të zgjedhur dhe për
t’u zgjedhur në forumet drejtuese, për të ndarë mendimet, për të kontribuar me
ide dhe platforma, që përbëjnë esencën e familjes sonë të madhe politike.
Ne jemi një parti dinamike dhe
e energjive integruese jo vetëm për anëtarët tanë, por për mbarë anëtarë e LSI
dhe qytetarët në të gjithë vendin. Kjo konventë duhet të na shërbejë si moment
reflektimi për atë çfarë jemi duke lënë pas dhe për atë që na pret në muajt në
vazhdim.