Edi Rama dorëzohet me dorëheqjen e Saimir Tahirit

480
Petraq Barjami
INTERVISTA: Flamur Noka, anëtar i Komisionit Parlamentar Hetimor të çështjes “Tahiri”
Flamur Noka anëtari i Komisionit Parlamentar Hetimor të çështjes “Tahiri” në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se dorëheqja e Tahirit e çon përgjegjësinë te kryeministri Rama, ndaj hetimet e këtij komisioni parlamentar do të vazhdojnë. 
– Zoti Noka, çfarë do të thotë për ju dorëheqja e e Tahirit nga mandati i deputetit?
– Dorëheqja ishte Pazar me garanci nga Edi Rama, nuk ishte e rastësishme, sepse po të ishte çështje vullneti, nuk do të ishte mbrojtur që në fillim. Ky është një turp. Ne nuk ndalemi këtu. Komisioni Parlamentar Hetimor do të vazhdojë punën, sepse tani, pas Saimir Tahirit, përgjegjësi kryesor, që duhet të marrë faturën që e meriton, që duhet të qërohet, është Edi Rama.

– Institucionet shtetërore, çfarë dokumente ju kanë sjellë në Komisionin Parlamentar Hetimor dhe çfarë nuk kanë sjellë për çështjen “Tahiri”? 
– Asnjë dokument nuk kanë sjellë, nga ato që kemi kërkuar ne. Përralla, përralla dhe vetëm përralla. Nuk kanë sjellë asnjë informacion nga ato që ne kemi kërkuar. Kjo do të thotë që të gjitha institucionet janë në duart e Edi Ramës. Kjo do të thotë që kryeprokuroren e Përkohshme Marku, e ka futur në xhep Edi Rama dhe do të mbyllë hetimet.

– Konkretisht, çfarë kërkuat ju dhe nuk morët përgjigje?
– Ne kërkuam të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me drogën për Saimir Tahirin dhe përfshirjen e tij zyrtare dhe shtetërore në këtë trafikimin ndërkombëtar të drogës. Asnjë gjë nuk na është dhënë.

– A shkarkohet nga përgjegjësia kryeministri Rama me dorëheqjen e Tahirit?
– Dorëzohet, nuk shkarkohet. 

– Socialistët mund të kërkojnë që Komisioni Hetimor Parlamentar e kreu misionin, derisa tani u dorëhoq Tahiri?
– Ne e kërkuam dhe u ngrit Komisioni Hetimor Parlamentar për të gjetur përgjegjësit kush e mbuloi Saimir Tahirin, prandaj nuk e vendosin dot socialistët çfarë do bëjmë. Ne do të hetojmë, kush janë urdhëruesit dhe garantuesit e Saimir Tahirit dhe të trafikantëve të tjerë të drogës. Deri te Edi Rama. 
Sigal