Hetim mungesës së shifrave të censusit

30
Sigal

Mesazhi tronditës, Shqipëria ka rreth 1.4 milion banorë, punonjësi: Po punojmë me orë të gjata për ta falsifikuar. Të dhënat vënë në dyshim rezultatet e zgjedhjeve, pasi dalin 200 mijë vota mbi numrin e qytetarëve ,dhe procesin ku u morën mbi 16 mln. euro për numërimin e popullsisë

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, bëri publik një mesazh që sipas tij vinte nga një specialist i Censit 2023. Në mesazh thuhet se popullsia në Shqipëri është më pak se 1.5 milionë banorë. Në mesazhin me titull “Republika e mashtrimit” Berisha tha: “Shqipëria me 1.478.126 banorë. Sipas regjistrimit të përgjithshëm të popullatës numri i popullatës në Shqipëri krahasuar me vitin 2011 është përgjysmuar! Lexoni mesazhin e qytetarit digjital. Mirëmbrëma doktor! Jam një specialist tek censusi dhe ju keni denoncuar me të drejtë fshehjen e rezultateve katastrofë të këtij censusi që po punojnë me orë të zgjatura për të falsifikuar. Ju keni plotësisht të drejtë, desha t’ju informoj që: sipas kalkulimeve përmbledhëse të regjistrimit të popullsisë, rezultoi se u regjistruan gjithsej 1.478.126 qytetarë në Republikën e Shqipërisë, por me urdhër nga sipër nuk u bë publike për faktin se kemi të bëjmë me një SKANDAL mafioz të organizuar që ka të bëjë edhe me zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku në shkallë vendi kanë hedhur votën rreth 1.7 milionë qytetarë, ose me saktë 1.667.352 votues, që do të thotë se nga regjistrimi i CENSUS-it dalin mbi 200 mijë vota tepër nga popullsia, pa llogaritur këtu edhe pjesën e qytetarëve nën 18 vjeç.”- tha në mesazhin e tij Berisha. Më herët, drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, u shpreh në një konferencë për mediat se të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave do të publikohen në muajin qershor të 2024. Censi 2023 si proces u ka kushtuar shqiptarëve 16.9 milionë euro. Procesi i Censit në Shqipëri nisi më 18 shtator, dhe për kryerjen e tij u angazhuan në terren mbi 700 punonjës që kanë mbledhur të dhënat.