Zbulohet skema/ Ja si Mërtiri dhe Zoto qarkullonin miliona euro me kompaninë në Maltë, që lidhi kontrata me tre inceneratorët

28

Në 2017 Mirel Mërtiri krijon kompaninë e radhës në Maltë të quajtur “Sien Group LTD”, nëpërmjet së cilës lidhi kontrata me të tre inceneratorët, atë të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës në vlera marramendëse.

Sigal

Në vazhdën e denoncimeve të vazhdueshme për inceneratorët, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, denoncoi të martën sërish nga selia e Partisë Demokratike kokat e aferës së inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, duke thënë se qarkullojnë përmes një skeme dhjetëra miliona euro, ndryshe nga sa pretendonte Prokuroria shqiptare se paratë kanë lëvizur kesh me çanta. Sipas Këlliçit në 2017 Mirel Mërtiri krijon kompaninë e radhës në Maltë të quajtur “Sien Group LTD”, nëpërmjet së cilës lidhi kontrata me të tre inceneratorët, atë të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës në vlera marramendëse. “Kontrata e Fierit për shembull është në vlerën e 23 milionë eurove për blerjen e të gjithë makinerive dhe pajisjeve. Në Elbasan është për mirëmbajtjen; kurse në Tiranë kontrata është për biznesin e ri të Erion Veliajt ku do të detyroheshin të gjitha subjektet tregtare të pajiseshin me qese të specializuara për mbetjet”, -shprehet Këlliçi. Ai sqaron se arsyeja përse u krijua kompania në Maltë, është për të ndërtuar një skemë trekëndore për qarkullimin e parave jashtë Shqipërisë. “Kjo faktohet edhe përmes një komunikimi elektronik të datës 17 tetor 2018. Vetëm 16 ditë pas nënshkrimit të kontratës me Inceneratorin e Fierit, përfaqësuesja e kompanisë konsulente të Sienit, i thotë Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos: veçanërisht pas verifikimeve të bëra me doganat e Shqipërisë nga Eltoni (Bualli), kontrata e vendosur prej jush, mund të procedohet. Siç na keni thënë, makineritë duhet të udhëtojnë me sistemin trekëndor, por të gjithë furnitorët duhet të njoftohen paraprakisht, pasi dokumentacioni origjinal do të mbahet në Maltë, sepse kompania Sien është subjekt kontrolli i Departamentit të TVSH të doganës malteze”, u shpreh ai. Thirrja ndaj SPAK e Këlliçit: U bënë disa muaj që vazhdojmë të denoncojmë me dokumente, të përcjella zyrtarisht tek Altin Dumani, Drejtues i SPAK, dhe ende nuk kemi asnjë zhvillim të ri, apo hetime të thelluara për aferën më të madhe të shekullit. Pyetja që me të drejtë bën sot çdo shqiptar është: Përse nuk kërkon SPAK anulimin e kësaj kontrate korruptive, e cila vijon të vjedhë miliona euro të taksapaguesve shqiptarë çdo muaj? Përse nuk merren masa konkrete për bllokimin e aseteve financiare të përfituara në mënyrë të paligjshme nga biznesi i dherave, që vazhdojnë të ushqejnë me para avokatët publikë, që ende kanë kurajo të mbrojnë inceneratorët që nuk ekzistojnë, por edhe linçojnë e baltosin çdo individ që denoncon këtë skemë kriminale? Për sa kohë SPAK nuk vepron, automatikisht bëhet palë me autorët e kësaj skeme. Është në përgjegjësinë e këtij të fundit të provojë të kundërtën. Provat dhe faktet e pakundërshtueshme, i kanë çdo ditë në tavolinën e tyre të punës.