Dashamir Shehi:“Ne u drejtohemi shqiptarëve me alternativën për të bërë shtet dhe jo pushtet”

460
Sigal

*Kryetar i LZHK-së

Dashamir Shehi, Kryetari i LZHK-së, në intervistën për “Telegraf”,  duke bërë analizën politike, pas regjistrimit te koalicioneve, pranon disa të vërteta politike. Së pari, varfërinë e alternativave politike, për të ofruar një besueshmëri elektoratit, për të ndryshuar në të mirë situatën, pas 23 Qershorit, pasi qëllimi i palëve politike është marrja e pushtetit. Gjithashtu, zoti Shehi, kritikon edhe ndërkombëtarët, të cilët, me delikatesën e diplomacisë politike, nuk kontribuojnë, por përkundrazi, edhe keqësojnë rrethanat dhe konfliktet politike.

– Zoti Shehi, aleanca e maxhorancës, e krahasuar me 2009-n është më e tkurrur, derisa tani ka 26 parti, nga 35. A mund ta shprehë forcën e koalicionit numri i partive aleate?

– Unë mendoj se, kjo është pak abuzive, po ta mendojmë kështu. Megjithatë, unë them, se edhe 25 parti, më duken shumë. Unë, gjithë-gjithë, do të kisha mbledhë vetëm 10 parti, që sjellin votat. Duhet të kishte një kusht. Që kush sjellë më shumë se 2.500-3.000 vota, mirësevjen në aleancë. Se partitë me 200-300 vota, vërtet mund të ketë ndonjë efekt teknik në ndonjë qark, që për 500 vota mund të humbasësh një deputet, unë do t’i kisha shkurtuar nga lista.

– Përshtypja e parë që të lind nga përbërja e të dy koalicioneve, është konglomerata politike. Parti me interesa krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën, do të jenë në të njëjtën aleancë. Këto koalicione  a kanë baza politiko-ideologjike, apo vetëm ngrihen për të mbushur thesin e votave?

– Rreshtim ideologjik në koalicione nuk ka. Dëshira politike, për të mbledhë çfarëdo lloj fundërrine që ndodhet mbi tavolinën politike, kjo ka bërë që brenda koalicioneve të ketë edhe situatë groteske. Parti çame bashkë me minoritarët, komunistët bashkë me të persekutuarit. Kjo tregon se, mbizotërojnë interesat elektorale mbi interesat ideologjike, ose programore, që të jemi edhe më të saktë. Koalicionet kanë një bazë të ulët morale dhe bazë të lartë interesi elektoral.

A është dëmtuar procesi zgjedhor me këtë KQZ?

Sigurisht që është dëmtuar dhe unë uroj që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë, sepse unë besoj se me këtë KQZ, me 4 anëtarë nuk mund të shkohet në zgjedhje. Kemi një paragjykim, që në fillim, të procesit zgjedhor. Dhe, unë gjykoj, se do të vijë një moment që do të jetë teknikisht e vështirë për të bashkëpunuar, për t’u marrë vendime. Deri më sot, vendimet kanë qenë sipërfaqësore, teknike. Por do të vijë momenti, kur duhen marrë vendime të një natyre tjetër, që me këtë formulë, me 4 anëtarë, nuk mund të merren.

– Cila mund të jetë zgjidhja, sipas jush? Riformatimi i KQZ-së?

– Këtë do ta shikojmë në ditët në vijim, por koha nuk pret, mundësisht, brenda javës që vjen.

– Mos vallë kjo vjen nga përplasja e prioriteteve e interesave? Sepse partitë kanë prioritet pushtetin, ndërkombëtarët kanë ndërtimin e procesit demokratik.

Sigurisht, që ka konflikt interesash midis palëve politike me ndërkombëtarët. BE-ja, SHBA-të, kërkojnë proces zgjedhor sa më demokratik, kërkojnë më shumë se me ç’mjete do të merret pushteti. Ndërsa partitë janë shumë interesaxhinj për marrjen e pushtetit, pa u bërë merak, me çfarë mjete do ta arrijnë. Prandaj, unë këmbëngul, që ndërkombëtarët për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duhet të jenë më të qartë  dhe më të vendosur, se çfarë kërkojnë nga ne.  Duhet të dimë, ku kemi bërë miq, ku kemi bërë armiq, ku kemi të drejtë. Sepse, ndryshe, është vështirë në këtë mjegullnajë deklarimesh sipërfaqësore, këto lloj mesazhesh politiko-morale, nuk vlejnë shumë në ambientin shqiptar.

– Edhe pse konflikti parazgjedhor po kaloi vijën e kuqe, vërejmë se kemi pak qasje alternativash politike. Përse ndodh kjo?

– Sigurisht, që nuk ka shumë alternativa, e ca më pak, me një ligj elektoral të tillë, zor se do të kishim alternativa. Ne, si LZHK jemi angazhuar, kemi afruar alternativë, por për faj të ligjit të keq zgjedhor, nuk është  se ka patur një rezultat politik. Megjithatë, LZHK afrohemi në alternativën e djathtë, me një frymë më të lartë morale, sepse jemi forcë jashtëqeverisjeje prej shumë vitesh, edhe me një alternativë politiko-konstitucionale. Ne u drejtohemi shqiptarëve me alternativën për të bërë shtet dhe jo pushtet. Dhe shpresoj, se për shqiptarët që besojnë në këto ideale, do të mbështesin këtë alternativë.

Keni ndjesinë, që me ngjarjet e KQZ-së, ne kemi bërë hapa mbrapa, në përpjekjet për ndërtimin e shtetit të së drejtës?

Këtu ka elementë, që të themi të drejtën, ka 20 vjet që kanë mbetur në vend, por ka edhe nga ato që kanë bërë regrese. Për të ndërtuar shtetin e së drejtës, për të ndërtuar institucione të pavarura, për t’i hapur rrugën një republike të re shqiptare, në të gjithë komponentët e vet,  ne si LZHK kemi identifikuar tre shtylla kryesore.

– Dhe cilat janë?

– Reformimi, ndryshimi kushtetues. Domethënë, vendosja e limiteve për mandatet politike e administrative, dhe disa defekte të tjera, që Kushtetuta jonë i ka prodhuar.

– Për shembull?

Moszbatimi i Kushtetutës dhe i ligjit për  çështjen e pronave, disa boshllëqe më emërimet e mëdha në shtet. Kur ikën një kryeprokuror, si emërohet, raportet e Presidentit, që gjatë viteve kemi patur konflikte e nuk kemi mundur t’i zgjidhim. Ndryshimi i fundit në Kushtetutë, i cili ishte drastik dhe dramatik, që Presidenti u reduktua me 71 vota. E dyta, kemi thënë për ligjin zgjedhor, i cili e ndan Shqipërinë në kartele dhe principata të vogla elektorale, të cilat sjellin ndasitë që kemi patur në Shqipëri dhe ka prodhuar këtë matrapazllëk politik, i cili lejon kalimin nga e majta në të djathtë dhe nga e djathta në të majtë, vetëm në funksion të qeverisjes. Dhe e fundit, reformimi i pushteteve administrative. Një vend i vogël  si Shqipëria ka 400 bashki e komuna, 12 qarqe e 12 prefektura. Domethënë, një mizëri administratorësh, këta rufjanë e abuzues me paratë e shtetit. Duhet një bashkëpunim mbarëkombëtar, kushdo qoftë fitimtarë të zgjedhjeve për të riformuar republikën, nëse duam të kemi një Shqipëri më të mirë.

A mund të kemi një Shqipëri më të mirë, kur, me largimin e LSI-së nga maxhoranca, ka filluar fshesa e nëpunësve mbi bindjet politike partiake? Kjo analogji, do të  thotë: Votomëni mua, që t’ju punësojë në administratë.

Këtu ka elementë të së drejtës, siç thoni, por ka edhe elementë abuzivë. Kur thoni, që do heqim një palë militantësh, që të emërojmë palën tjetër militantë, unë nuk shoh asgjë të keqe, këtu. Të keqen unë e shoh, që janë vënë militantë në pushtet.

– Kush është e keqja tjetër?

Po të hiqnim militantët eLSI-së e të vinim militantët e krahut tjetër, do të ishim shumë të kënaqur. Këtu e keqja është më e thellë. Shteti nuk ka nevojë për militantë. Shteti ka nevojë për nëpunës, administratorë, njerëz korrektë. Unë kam parë shoferë që drejtojnë institucionet, në emër të partive.

Si mund të fitohet besimi i elektoratit, se pas 23 Qershorit, gjërat do të ndryshojnë për të mirë?

– Të shpresojmë që Kuvendi i ri të ketë një kualitet më cilësor. Në qoftë se do të vazhdojmë me këta deputetë biznesmenë, që ne e dimë sesi ka mbërritur biznesi shqiptar, fatkeqësisht, nuk është shumë i pastër, dhe nga këta individë që kapërcejnë nga njëri krah në tjetrin, unë them, se nuk do të kemi shpresa e rritje.

– Cili është objektivi elektoral i koalicioneve: E mira e Shqipërisë, apo marrja e pushtetit me çdo mjet?

–  Për fat të keq unë shikoj që objektivi është marrja e pushtetit, sepse kanë parasysh thënien e Leninit: “Të gjitha forcat për pushtetin, për të marrë pushtetin”.

Ndërkombëtarët, arbitrat e politikës shqiptare

Ju si e gjykoni sjelljen e palëve politike, të cilat shpërfillin edhe rekomandimet e ndërkombëtarëve, për normalizimin e funksionimit të KQZ-së?

–  Faktori ndërkombëtar ka patur dhe do të ketë zë në zgjedhjet tona. Unë shpresoj, që ndërkombëtarët, idetë e veta, t’i shprehin pak më qartë. Diplomacia elegante dhe delikate, në ambientet shqiptare, nuk ka efekt. Shumë herë, diplomacia e ndërkombëtarëve keqinterpretohet, sipas interesave të secilës palë politike, derisa ata vetë nuk shprehen qartazi e prerë. Dhe, në vend që të bëjnë mirë në procesin zgjedhor, ata dëmtojnë më keq, me sjelljen e tyre. Duhet të qartësojnë pozicionet e veta përpara zgjedhjeve, sepse pas zgjedhjeve, është gjithmonë vonë.

 – Faleminderit!