Dështimin dhe turpin e saj për  kazinotë, qeveria kërkon ta ligjësojë

466
Sigal

Aksioni i parë politiko-policor, që ndërmori qeveria e Ramës, sapo ngrohu karriket qeveritare, ishte goditja dërmuese (selektive) që u dha kazinove në gjithë Shqipërinë. Madje, që të bëhej sa më spektakulare, duke konkurruar edhe shoë televizivë, pasi ( ishin të përditshme, ndaj vështirë të besosh se ishin të zakonshme dhe normale), aksionet e qeverisë ndaj kazionove bëheshin vetëm në prani të kamerave, edhe natën, edhe ditën, dhe buletini kryesor qeverisës i atyre ditëve, ishin sa copë kompjuterash të kazinove u sekuestruan, sa salla u mbyllë, që nga Konispoli vinte haberi e deri në Vermosh, sikurse thuhen buletinet e një lufte. Sa janë të vrarët, sa janë robërit! Të vrarët, e këtij aksioni policor, ishin ata pronarë të cilët shkonin në qeli të policisë, ngaqë, kazinotë i kishin të paligjshme, ndërsa robërit e kësaj lufte policore janë kompjuterit e sekuestruar.

Aksion politiko-policor kundër kazinove, në emër të ligjit!

Kaq shumë zhurmë e propagandë u bë për të justifikuar aksionin politiko-policor kundër kazinove, (pasi pati edhe skeptikë, që këtë aksion qeveritar kundër kazinove, e krahasuan të ngjashëm me maninë e Enverit kundër kishave dhe xhamive), saqë gjithkush, duke parë turma policësh që shqyenin edhe dyert e kyçura të kazinove dhe kontrollonin një për një çdo skutë salle, për të gjetur aoftë edhe një kompjuter të …paligjshëm,  ( skena të tilla i kemi parë në kinematografi, ku fashistët bastisnin baza partizane për të gjetur trakte), kujtoi se tani, njëherë e mirë, (më në fund) do të mbylleshin çdo kazino e sallë kumara.

Dhe qeveria, që të dilte e larë nga kritikat, e justifikoi aksionin e saj politiko-policor me këto arësyetime politike:

o Informalitetit të lartë të evidentuar në këtë industri;

o Evazionit fiskal;

o Pasojave sociale negative te kategoritë e prekura dhe qytetarët;

o Moszbatimi i kuadrit ligjor nga subjektet dhe organet shtetërore;

o Përafrimi i legjislacionit.

Borë e ditëprilli ishte…

Mirëpo, kur mileti numëronte edhe sa akoma kazino kishin mbetur në këmbë dhe me hamendje llogariste se kur do vinte shteti dhe polici, që të ngarkonin kompjuterat dhe të mbyllnin me dry derën e kazinove, për çudi, aksioni politiko-policor i qeverisë u la në mes. Njësoj, si ajo borë, që bie në ditë prilli, nga ulja e menjëhershme e temperaturës atmosferike, atje lart në kaptinën e qiellit, dhe ende pa zënë akoma shtresën e bardhë, shkrihet, pasi temperatura këtu, në tokën, ku shkelin këmbët është e lartë, kazinotë, jo vetëm që nuk u shuan, por, ngadalë-ngadalë, pa zhurmë, filluan të “lulëzojnë”, por në tokë tjetër, që të mos …indentifikohen. Dhe, tani, pas shumë muajsh, kazinotë në numër janë edhe më të shumta se ato të mëparshme.

Le të na tregojë dogana sa kompjutera kazinoje kanë hyrë në Shqipëri

Kjo puna e “mbylljes” të kazinove, na qënka si puna e asaj femre, që pasi makiazhohet, të duket se është tjetër. Kazinotë e reja u hapën nga pronarë të rinj, të paindentifikuar, por, tashmë,  të paprekur nga qeveria. Pavarësisht se gojët e përdala, thonë që njerëzit e qeverisë hapën kazinotë e tyre, unë nuk e vë dorën në zjarr që t’u besoj (këtyre) thashethemeve, ama, në gojë të gjuhës e kam pyetjen, kuptohet për transparencë, siç është edhe logoja e qeverisë: A mund të na dëftojë dogana sa kompjutera kazinoje janë importuar në Shqipëri, pas aksionit politiko-policor për mbylljen e kazinove? Kush i importoi dhe kush i përdor tani? Po ata kompjutera të sekuestruara, ku shkuan? Përse u dëmtuan, nëse u dëmtuan? Që të importonin të tjerët kompjuterat e tyre? Që, pasi të na japin këto përgjigje, natyrisht në emër të transparencës,  pastaj,  të na bëjnë krahasimin, sa kompjutera sekuestruan dhe sa, pastaj, u importuan?  Shuma, e anuar nga kompjuterat e importuar, është turpi dhe fassada politike e atyre që ndërmorën dhe ashtu siç e propaganduan, aksionin politiko-policor për mbylljen e kazinove.

Projektligji për Lojrat e Fatit, hipoteka e pazareve

Që biznesi i ri i kazinove, që u ndërmor pas aksionit policor, të ketë “tapinë” e ligjit, qeveria sjell projektligjin për Lojrat e Fatit. Ky projektligj i Lojrave të Fatit, së pari nuk ka premtimin elektoral të qeverisë, se do të zhbënte koncensionin e Lotos Kombëtare, siç u zotua. Ky projektligj, rrëzon ato aksioma politike të qeverisë, me të cilat justifikoi aksionin policor kundër kazinove. Ky projektligj, së treti, u jep “tapinë” dhe “hipotekën” e ligjit, atyre kazinove që u hapën si të reja ( nga pronarë të rinj). Dhe së fundi, ky projektligj i qeverisë për Lojrat e Fatit, thjesht sistemon llogaritë e njerëzve ( pranë qeverisë) mbi gjithë sistemin e Lojrave të Fatit, për të monopolizuar në duart e hekurta kontrollin ndaj tyre.

Petraq Barjami