42 shefa bujqësie e ushqimi me biznese… në bujqësi dhe ushqim!

640
Sigal

Disa kohë më parë, po bëja një investigim në Fier, lidhur me problemet e ushqimeve që konsumojmë… ne populli! Kisha marrë nxitje, nga një informacion i ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, për një linjë prodhimi ushqimesh e pijesh alkolike, e cila, (sipas informacionit), punonte duke përdorur afro 50% lëndë të parë produktet e mbetuara, pa shitur nëpër supermarkete e tregje, prej kalimit të afatit të skadencës.

 Drejtorë të AKU-së dhe në Ministri me biznes …ushqimi

Shkova në atë fabrikë, si blerës shumice. Sa hyra, konfirmova faktin, që aty përdoreshin produkte të pa shitur, të mbledhura nga dyqanet, mbasi një aneks ishte mbushur plot me të tillë të hedhur rrëmujë! Për ta testuar, i thashë:- Dua mall me çertifikatë garancie, se më mbetet pa shitur dhe më gjobitin ata të AKU-së, ndaj e dua që të jetë i kontrolluar edhe nga këta të AKU-së, se na hap probleme me shtetin. Në moment ai hapi një sirtar, nxorri prej andej një dosje. E hapi, nxorri disa letra e m’i dha t’i lexoja. Ishin një tufë “akte kontrolli”, të bërë nga AKU-ja, dega Fier, në të cilët thuhej se, në këtë linjë prodhimi, lënda e parë, lëndët ndihmëse dhe prodhimi që dilte, ishin në parametra të lartë sigurie e cilësie, të standartizuar sipas ligjit të ushqimit!

 

Drejtorët e AKU-së i japin vetvetes certifikata cilësie mallrave tëskaduara që përdorin në bizneset e tyre

 Pas verifikimit të informacionit, bëra takim me personin që kishte dërguar letrën në gazetë. I thashë: – Ai ishte kontrolluar 17 herë nga AKU-ja, gjatë vitit 20014 dhe në të 17 kontrollet që i ishin bërë, rezultonte në rregull me sigurinë dhe cilësinë e produkteve që prodhonte, madje me edhe çertifikatë sigurie lëshuar nga AKU-ja, për të dalë në treg me ato prodhime! Personi që kishte bërë denoncimin në gazetë, më tha: – “Me letrat në rregull është gjithnjë ai, se ajo fabrika është e atyre të AKU-së, ndërsa ai ka vetëm emrin formalisht”. U interesuam në disa burime të tjera informacioni, që kemi në Fier dhe rezultoi, se linja e prodhimit të ushqimeve, e cila në afro 50% të prodhimit përdorte si lëndë të parë produkte të skaduara, ishte e njerit prej shefave të AKU-së, në ortakëri me një prej shefave të bujqësisë të qarkut. Mjaftoi kaq, për ta shtrirë investigimin tonë edhe në Tiranë, ku janë shefat e mëdhenjë të AKU-së dhe bujqësisë. Çfarë rezultoi? A kanë “shefat” e mëdhenj të bujqësisë dhe ushqimit, biznese shërbimesh e prodhimesh, që kanë lidhje me sektorët që ata drejtojnë, menazhojnë, kontrollojnë e ndëshkojnë?

 Zyrtarët më të lartë dhe gjithë piramida e ministrisë së Bujqësisë me biznese ushqimi

Në AKU dhe në Ministrinë e Bujqësisë, kur u thamë për këtë shkelje ligji mbi konfliktin e interesit, na e mohuan me “irritim”, duke deklaruar se nuk ka asnjë drejtues të lartë, të mesëm e të ulët të administratës së sektorit të bujqësië e ushqimit, që të këtë biznes, që lidhet me sektorin ka ata punojnë e drejtojnë. Kështu na thanë edhe në 12 drejtoritë e Bujqësisë e të AKU-ve të prefekturave! Por, ato që fshehin zyrtarët, i nxjerr “populli”. Në 5 tregjet kryesore të Tiranës psh, mësuam se pothuaje të gjithë shefat e AKU-së dhe të bujqësisë në ministri e në drejtorinë rajonale të qarkut Tiranë, kanë biznese tregëtie e prodhimi ushqimesh. Po kështu, mësuam se këta shefa, kanë fabrika prodhimi produktesh ushqimore, jo vetëm në Tiranë, por edhe në zonat nga janë me origjinë familjare, madje shefat e mëdhenjë fare, kanë biznese ushqimesh e bujqësie edhe në qytetet kryesore, ku ka treg e konsum të madh. Po kështu, mësuam se shefa të lartë të bujqësisë dhe AKU-së në qendër e në rrethe kanë edhe restorante, bar-kafe, linja përpunim-prodhim agrobiznesi, biznese import-eksporti dhe fabrika prodhimi pijesh alkolike, ferma bagëtish të imta e të trasha, ferma derrash, fabrika mielli, furra buke e pasticerie, qendra kasaperi, dhoma frigoriferike, dyqane shitje produkte mishi, import-eksporte produktesh të gatshme e lëndësh të para, ose mbetjesh shtazore, që i përpunojnë në Shqipëri dhe i eksportojnë produkt të gatshëm në Itali e vende të tjera. Ka shefa bujqësie e ushqimi, që kanë ferma kafshësh e shpendësh. shërbime veterinarie, fidanishte pemëtoresh, drurësh e shkurresh dekorative, pyjesh. Gazeta “TELEGRAF” disponon emrat e tyre dhe të bizneseve, që ata kanë, listë, të cilën do ta publikojmë pa asnjë diferencim personash. Sipas listës, janë  42 shefa të lartë të bujqësië e AKU-së dhe 35 shefa të lartë e të mesëm brenda ministrisë së Bujqësisë (edhe 1 zv/ministër, 3 këshilltarë e 5 drejtorë drejtorie), të cilët kanë biznese bujqësie e ushqimi! Ndërkohë, që në të gjitha qarqet e vendit, janë të 12 drejtorët, që kanë biznese në sektorët, që drejtojnë, si dhe 374 zyrtarë e inspektorë bujqësie e ushqimi, që kanë biznese, që lidhen me sektorin ku ata punojnë. Sipas ligjit dhe pozicioneve zyrtare që kanë, ata kanë për detyrë të kontrollojnë edhe veten e tyre dhe natyrisht, ta nxjerrin në rregull me letrat e me standarte cilësie dhe sigurie, siç veprojnë  shefat e AKU-së e të bujqësisë në Fier, me fabrikën e tyre, ku në praktikë prodhohet me mallra të skaduar, ndërsa me letra, prodhohet me “mallra cilësorë e të sigurtë”!