Caktohet data dhe ora e raundit të katërt për zgjedhjen e Presidentit

516
Nesër do të mbahet raundi i 4 për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës .Ky vendim vjen pas deklaratës së ashpër të kreut të grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Po ashtu, bëhet e ditur se Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet nesër në orën 17:00.
Ruçi, nga foltorja e Kuvendit i lëshoi sot mesazhe ‘kërcënuese’ kreut të Kuvendit, Ilir Meta, duke kërkuar që nesër të mblidhet konferenca e kryetarëve dhe të zgjidhet Presidenti, në të kundërt ka paralajmëruar futjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Pavarësisht se theksoi që “PS nuk do të donte kurrsesi që të shkelte mbi moralin e një force politike”, Ruçi e tha prerë: Nëse Presidentin nuk zgjidhet mes PS-LSI, vendi do shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Ju takon juve si forcë politike që jeni vendosur edhe si ndërmjetës dhe keni kaq kohë, se thashë që do flas troç që keni anuar nga pala tjetër, dhe jo të arrini tek pikësynimi që kemi të gjithë. Dua që dhe ju të reflektoni për të mos e mbyllur parlamentin vetëm për hatër të çadrës. Kërkoj që të thirret konferenca e kryetarëve dhe nesër të zgjidhet Presidenti ose përndryshe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme për 45 ditë”, – paralajmëroi kreu i grupit parlamentar të PS-së nga foltorja e Kuvendit.
Ndër të tjera, Ruçi paralajmëroi Metën se PS i ka 71 votat edhe pa aleatin e saj qeverisës për të zgjedhur presidentin e ri të republikës. Deputeti i PS theksoi se pavarësisht kësaj, PS nuk do të donte kurrsesi që të shkelte mbi moralin e një force politike. “Duhet të zgjedhim presidentin e vendit nga ky parlament. Ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona, që i kemi dhe 71 vota dhe pa LSI. Por unë shpresoj që të mos na detyroni dhe as e marrim përsipër që të shkelet mbi moralin e një forcë politike. PS nuk dëshiron që të zgjedh presidentin me kompromis.”, tha Ruci.
Sigal