“Peshkaqenët” e pronave “çajnë” rrjetat e drejtësisë

638
Jakup B. GJOÇA
Ndërkohë, që ligji dënon qytetarin edhe për disa qindarka borxh ndaj shtetit….
Gjykata e Lezhës ka vendosur të lërë në masën “arrest shtëpie” kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj i akuzuar për “shpërdorim detyre” për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit. Edhe për 11 zyrtarët e tjerë, gjykata ka vendosur “arrest shtëpie”. Frrokaj ka dalë sot para gjykatës ku u rivlerësimi i masës së sigurisë, të dhënë më parë “arrest me burg”. Në gjykatë kanë qenë edhe 11 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lezhës të arrestuar për të njëjtën akuzë. Por prania e qindra mbështetësve ka bërë që nga ana e policisë të kishte masa të rrepta sigurie. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lezhës dëshmon qartë se “peshkaqenët” e tjetërsimit të pronave, të shpërdorimit të detyrës, të korruptuarit e “çajnë” (si përherë) “rrjetën” e drejtësisë, sepse gjykata u dha të pandehurve pafajësinë, ndërsa akuzat penale janë shumë të rrezikshme, saqë nuk mund të justifikohet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. 
Ligji burgos qytetarin, liron zyrtarin
Cilido qytetar, pasi dëgjoi vendimin e gjykatës së Lezhës, për zbutjen e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Lezhës, me të drejtë percepton dhe mendon se ligji në Shqipëri zbatohet me dy standarde. Qytetari që i ka borxh shtetit, qoftë edhe qindarka, burgoset, ndërkohë, që zyrtarët dhe pushtetarët, sado të rënda të akuzohen, për shpërdorim detyre, korrupsion, falsifikim, tjetërsim pronash, ligji nuk i prek ose, në rastin më të pakët, zbut masën e sigurisë, duke mos i burgosur, por u jep masën e sigurisë: “Arrest me burg”. Para disa muajsh, një qytetar nga fshatrat e Lushnjës, u burgos për shkak se kishte pa paguar fatura të OSHEE-së, edhe pse familja e tij nuk kishte të ardhura dhe jetonte në varfëri dhe nga depresioni, i burgosuri, ende pa dalë në gjyq, u vetëvar në burgun e Rrogozhinës. 

Arrestime selektive me dy standarde
Para disa muajsh, dolën në dritë fakte që rëndonin mbi kryebashkiakun e Kavajës, po për të njëjtat çështje shpërdorimi detyre dhe tjetërsim pronash, sikurse u paditën edhe zyrtarët e Bashkisë së Lezhës. Mirëpo, prokuroria nuk veproi njësoj, sikurse veproi me zyrtarët e Bashkisë së Lezhës. Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdimisht ka dërguar pranë Prokurorive raporte kontrolli, ku qartazi evidentohen raste shpërdorimi të detyrës për kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë të pushtetit, por deri tani, prokuroria këto raporte i mban në sirtarë, pa i hetuar. Edhe për shpërdorimet dhe tjetërsimin e pronave në Bregdet nga zyrtarë të Bashkisë Lezhë KLSH-ja i ka dërguar para disa vjetësh prokurorisë raportet, mirëpo, vetëm pardje veproi prokuroria, gjë që të bën të mendosh, se drejtësia vepron me dy standarde, duke bërë arrestime selektive. Pyetja e vetme, që cilido qytetar bën tani është: Nuk ka më asnjë tjetër kryebashkiak, zyrtarë të pushtetit vendor që kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë tjetërsuar pronat në Bregdet? Derisa prokuroria nuk vepron, përgjigja rëndon mbi drejtësinë. 
Flasin për gazetën “Telegraf”

Zaçe Islami, jurist: (Pa)drejtësia e dyfishtë shqiptare

Praktikisht sot u vërtetua katërçipërisht se drejtësia shqiptare ka 2 masa e 2 qëndrime.
Para 3 ditësh prokuroria e Lezhës arrestoi me bujë kryebashkiakun e Lezhës me akuzën e falsifikimit të dokumenteve të hipotekës së bashku me një numër nëpunësish të bashkisë dhe të ZVRPP Lezhë. Sot gjykata e rrethit gjyqësor Lezhë ndryshoi masën e arrestit për kryebashkiakun dhe 5 të tjerë me arrest shtëpie sepse është sëmurë me zemrën. Këtu duhet parë fakti që si gjithmonë në Shqipëri nëpunësit e vegjël që u binden shefave mbyllen në qeli ndërsa shefat sëmuren nga zëmra dhe i çojnë në shtëpi. Jemi në një situatë kur pretendohet se po funksionon vetingu, e thënë shqip reforma në drejtësi. Kam mbi 2 vjet që kam thënë se reformë në drejtësi me këtë kontingjent juristësh nuk do bëhet dhe, sot praktikisht shqiptarët e panë konkretisht që gjyqtarët tallen me ligjet dhe me të pambrojturit. Unë pyes. Kur gabuan me këto arrestime? Kur i arrestuan apo kur i liruan?
Praktikisht sot e 75 vjet drejtësia shqiptare nuk po ndryshon një procedurë kriminale në dëm të qytetarëve: Arreston cilindo qytetar të dyshuar për një krim PA SIGURUAR ASNJË PROVË, PA PASUR FAKTIN PENAL. Kjo situatë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, sepse dyshimi është në favor të të akuzuarit dhe nuk përbën fakt penal për ta arrestuar. Ndërkohë, për këto arrestime duhet të përgjigjet prokuroria e Lezhës, e cila ose nuk ka siguruar prova dhe fakte për arrestimin e atyre personave, ose menjëherë duke pasur prova të pakontestueshme të apelojë vendimin e gjykatës për ata 6 vetë që u ndryshua masa e arrestit sot. Përditë shikojmë një përplasje të policisë dhe prokurorisë me gjyqtarët e korruptuar, të cilët përfitojnë nga një ligj absurd, i cili i mbron dhe nuk japin llogari për vendimet e pa ligjshme që marrin në gjyqet e përditshme dhe efektin e këtij ligji e pamë sot. Personalisht, në punën time si avokat, këtë situatë e kam ndeshur si në çështjet penale, ashtu edhe ato civile. Ajo që mund të them është që, ose të bëhet reformë në themel, ose situata do vazhdojë të rëndohet më tepër në dëm të qytetarëve.
Avokat Sokol Hazizaj: Arrestimet dhe burgimet janë show i radhës
Është absolutisht e vërtetë që për pasojë të deformimit të Ligit nr.7501 “Për tokën”, datë 19.07.1991, i cili ka ndryshuar rreth katër herë, janë bërë ndryshime më shumë se katër herë, pa relatuar dhe numrin e madh të akteve nënligjore, të cilat nga ana e tyre, jo vetëm që kanë ndryshuar thelbin e ligjit, por dhe vetë natyrën për të cilën u draftua ai si ligj. Gjithsesi, po kaq të vërteta janë dhe veprimet joligjore të autoriteteve lokale dhe qeverisëse mbi tokën, të cilat nga ana e tyre e kanë çuar deformimin e tokë-mbajtjes dhe posedimit në ekstremet e mbajtjes ligjore, duke abuzuar tejskajshmërisht me burimin natyror të tokës. Në këtë kuptim e them me bindje se toka në vendin tonë e tejkalon historinë e shigjetave dhe hedhësve të tyre në Mesjetë, duke qenë gjithmonë pre e të fortëve me pushtet, ose grupeve pse jo dhe kriminale. Kjo është tërësisht e vërtetë, sepse ligjbërësi e ka krijuar mundësinë me akte ligjore dhe nënligjore. Në këtë vështrim, duhet të identifikohet dhe procesi i hetimit dhe më tej gjykimit të çdo rasti, dhe këtij të fundit, me të cilin lidhet pyetja juaj. E them me bindje që procesi i uzurpimit të tokave në Shqipëri i tejkalon kufijtë ligjorë dhe kushtetues për faktin e thjeshtë se nuk ka të pafajshëm, por ka bashkëpunëtorë të “ligjshëm” në faj. Referuar këtij kuptimi sqaroj se Kryetari i Bashkisë Lezhë, dhe kushdo tjetër nuk duhet konsideruar si i zënë në faj, për veprën penale të shpërdorimit, apo diçka tjetër, por duhet konsideruar si pjesë e një faji, sa social dhe ligjor gjithashtu. Duke arsyetuar më tej, jam i qëndrimit se duke u nisur nga ky koncept, si dhe parashikimet e kodit të procedurës penale mbi masat e sigurimit, të cilat nuk parashikojmë vetëm burgimi, por dhe masa të tjera ndaluese dhe shtrënguese, organi procedural i hetimit ka gabuar kur konsideron aktet e kryetarëve të bashkisë si akte flagrante të shkeljes së ligjit, sepse thellë thellë shkeljet janë detyruese për shkaqe ligjore. Bazuar në këtë qëndrim dhe arsyetim ligjor, sqaroj gjithashtu se arrestimet dhe burgimet nuk janë mjeti më efektiv i zgjidhjes problemit, përveçse rrisin koston sociale të shoqërisë, ndaj dhe janë të tepërta dhe janë show i radhës. Nuk dua ta pranoj, por më duket se sa herë mazhorancat janë nga fundi i tyre, përdorin të njëjtin mjet, ose kalojnë nga e njëjta rrugë, burgu. Uroj që të paktën hetimi dhe gjykimin të mos e zërë e njëjta sëmundje, se do të jemi përpara të papriturave.
Sigal