Tahiri: Armëmbajtja pa leje do dënohet maksimalisht

449
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tha sot gjatë inspektimeve të punimeve të repartit të FNSH-së, se armëmbajtja pa leje do të dënohet maksimalisht. Ai u shpreh se do ti propozojë ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjanit, dhe Kuvendit të Shqipërisë, që kjo vepër penale të dënohet maksimalisht. Ai nënvizoi se kërkesa për diçka të tillë vjen me qëllimin për të dekurajuar personat të cilët mendojnë se mund të zgjidhin konfliktet nëpërmjet armës.
“Ajo që ne do bëjmë me urgjencë është propozimi për kolegun tim, ministrin e Drejtësisë dhe për Kuvendin, propozimi i amendamenteve për të dënuar maksimalisht “armëmbajtjen pa leje”. Do të fokusohemi që të mbledhim praktikat më të mira botërore, duke bërë çmos që “armëmbajtja pa leje” të jetë një vepër shumë e dënueshme. Ne duhet të bëjmë çmos që të dekurajojmë të gjithë ata që e çojnë në mend se mund të zgjidhin konflikte duke pasur një armë në dorë. Po shikojmë modele. Ka modele shumë të mira. Një ndër to parashikon ndarjen e armëmbajtjes nga armëmbajtje në trup në armëmbajtje në mjedise, qoftë kjo makinë, qoftë kjo shtëpi. Po shikojmë disa modele që janë mjaft pozitive. Unë kam nxitur edhe ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të vlerësojmë të gjitha variantet. Një variant është që armëmbajtja pa leje në trup mos të konsiderohet si armëmbajtje pa leje, por përgatitje për sulm me armë që dënohet shumë më shumë. Ndërkohë armëmbajtja pa leje në makinë apo në shtëpi të konsiderohet nga pikëpamja e Kodit Penal vetëm si armëmbajtje pa leje dhe të dënohet po shumë, por jo aq sa armëmbajtja pa leje në trup, që sipas nesh duhet të konsiderohet si përgatitje për sulm me armë.”, tha Tahiri
Sigal