Bujar Nishani: Të hapen për politikanët dosjet e Sigurimit të Shtetit

562
Sigal

Gazeta Telegraf/

Presidenti i Republikës merr pjesë në përkujtimin e
“Tetorit gjerman”

Përkujtimi i
“Tetorit gjerman” prej 25 vjetësh, kur mes dy Gjermanive ra perdja e hekurt
ideologjike, është momenti i reflektimit të gjithë Evropës Lindore për raportin
e saj me të kaluarën komuniste. Për Presidentin Nishani, i përfshirë së fundmi
në debatin historik, por edhe politik të dekorimit të disa ballistëve, ishte
momenti më i mirë për t’iu përgjigjur sulmeve ndaj tij nga e majta. “Me
keqardhje konstatoj se pas 26 vitesh modeli gjerman, Shqipëria nuk është ndarë
plotësisht nga e kaluara komuniste. Dosjet se sigurimit të shtetit në Shqipëri
nuk janë ende të aksesueshme dhe lustracioni as që merret në konsideratë.
Simbolet e diktaturës dhe regjimit komunist, po rikthehen fatkeqësisht dukshëm
e shpesh të kamufluara me elementë artistikë”, deklaroi kreu i shtetit. Presidenti
Nishani e thelloi sulmin e tij ndaj kritikëve. “Klasa politike shqiptare sot ka
për detyrë të marrë seriozisht dënimin e krimeve të komunizmit dhe respektimin
e rezolutave të Këshillit të Evropës të viteve 1996-2006”, shtoi ai. Debati
duket se vjen sërish në një moment delikat, kur raportet mes lindjes dhe
perëndimit janë acaruar, sidomos pas ashpërsimit të linjës ruse në Ballkan.
Ndonëse presidenti Nishani këtë nuk e tha, përmendja e termit nostalgjik prej
tij, duket, se më shumë sesa me komunizmin e dikurshëm, lidhej me aktualitetin
e sotëm. “Shtimi i zërave nostalgjikë, shpeshherë dhe nga politikanë në
mbrojtje të hapur të krimeve të kryera nga komunizmi dhe sigurimi i shtetit,
duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për gjithë shoqërinë shqiptare”, u
shpreh ai.