Bujar Nishani betohet mbi Kushtetutë: “President mbi palët”

647
Sigal

24 korrik 2012/ Orë pas ore me ceremoninë e marrjes së detyrës nga Presidenti Bujar Nishani

  Bujar Nishani mori sot zyrtarisht detyrën në krye të shtetit. Ai u betua si Presidenti i 6-të i Republikës së Shqipërisë. Me dorën në Kushtetutë, Nishani u betua se do t’i bindet ligjeve të vendit. Në fjalën e parë të tij, ai premtoi reformimin e drejtësisë, bashkëpunimin me të gjitha forcat politike që vendi të marrë statusin kandidat në BE. “Ta bëjmë jetën tonë më të lirë”, deklaroi ai, duke thënë se do jetë një president mbi palët. Nishani: Sot u betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, për të mbrojtur lirinë dhe interesat e qytetarëve dhe vendit tim. Fjalimi zgjati rreth 30 minuta, ndërsa ceremonia u zhvendos në presidencë ku Bamir Topi i dorëzoi zyrtarisht detyrën Bujar Nishanit në prani të 500 të ftuarve. Gjithçka nisi me dorëzimin e Kushtetutës tek pasardhësi dhe më pas një takim kokë më kokë në zyrën presidenciale mes Bamir Topit dhe Bujar Nishanit. Pas fjalës së Presidentit të ri, Bamir Topi u largua përfundimisht nga Presidenca, por me protokollin e ndryshuar ai nuk mbajti fjalim lamtumire. Ceremonia e dorëzimit të detyrës ndryshe nga 2007, u mbajt në oborrin e Presidencës dhe jo të Pallatit të Brigadave. Ceremonia u përmbyll me një koktej në ambientet e brendshme të Presidencës. Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, të Parlamentit, ish-Presidenti Alfred Moisiu, ish-deputetë, kryetarë të partive politike, përfaqësues të Trupit Diplomatik si dhe përfaqësues nga fusha të ndryshme. Në ceremoni ishte edhe kreu i PS-së, Edi Rama.

 Presidenti Nishani betohet para Kuvendit të Shqipërisë

 Ora 18:45- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bëri dje betimin para Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti Nishani u betua duke vënë dorën mbi Kushtetutë, sipas formulës së lexuar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: “Betohem, se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”. Pas procesit të betimit, u bë ekzekutimi i Himnit Kombëtar. Në seancën e betimit të Presidentit ishin të pranishëm edhe deputetët socialistë dhe të grupeve të tjera parlamentare. Në ceremoni morën pjesë kryeministri Berisha dhe përfaqësues të qeverisë, të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtues të institucioneve shtetërore, bashkëshortja dhe dy fëmijët e Presidentit Nishani, si dhe të ftuar të tjerë.

Fjala para Kuvendit

Ora 18:50- Në fjalën e tij të parë si Presidenti Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u shpreh se do jetë President i shtetit 100-vjeçar, ndërsa konfirmoi vullnetin për të zbatuar me përpikëri ligjet e vendit. Reforma në drejtësi, ishte një pikë kyçe, ku kreu i ri i shtetit, njëherësh edhe kreu i KLD, premtoi se do ta bënte sistemin e drejtësisë funksional dhe transparent. “Dëshiroj t’ju shpreh falënderimet dhe nderimin tim së pari për praninë tuaj në këtë ceremoni të marrjes së detyrës si dhe për të gjitha vlerësimet dhe besimin që më keni kushtuar! Nga ky podium i nderuar, më lejoni njëherësh të shpreh mirënjohjen për mesazhet dhe përshëndetjet e dërguara për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë nga ana e Sekretares amerikane të Shtetit, zonja Klinton; Presidentit të Komisionit Evropian, zotit Barrozo dhe gjithë homologët e tjerë, të cilët më nderuan me urimet e tyre! Sot u betova në Kuvendit të Shqipërisë. U betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, për të mbrojtur lirinë e interesat e qytetarëve dhe vendit tim. Këtë detyrë të nderuar po e marr përsipër në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar. Rruga e jonë nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sakrifica dhe herë-herë edhe me pengesa, por së fundmi ia kemi dalë dhe jemi në rrugën e duhur. Gjatë njëzet viteve të fundit, përpjekjet e bëra kanë sjellë ditë pas dite e hap pas hapi një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri më të lirë, një Shqipëri më demokratike dhe më të zhvilluar ekonomikisht. Sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s falë angazhimit dinjitoz të shqiptarëve dhe partneritetit të ofruar nga aleatët tanë, liria jonë është e sigurt. Sot shqiptarët lëvizin pa pengesa në hapësirën “Shengen”, ku falë seriozitetit të provuar të vetë shqiptarëve por dhe dashamirësisë së miqve tanë, liritë tona janë reale e të prekshme. Detyra jonë është të shohim e të dëgjojmë çdo ditë e të kuptojmë atë çfarë duan qytetarët tanë të gëzojnë në vendin e tyre: në vendin ku po rrisim fëmijët tanë dhe të cilin duam t’ua lëmë trashëgim nipërve dhe mbesave. Të gjithë jemi të bindur se do të dëgjojmë nga çdo bashkëqytetar të njëjtat kërkesa për paqe, mirësi, mirëqenie ekonomike, për ligj dhe rend, për drejtësi sociale, për liri dhe zhvillim. Secili prej nesh ka një mundësi të japë kontributin e vet për t’u garantuar qytetarëve tanë të gjitha këto, çdo ditë e më shumë. Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrave të tij kushtetuese, ka një angazhim të rëndësishëm për të realizuar reformën në fushën e drejtësisë. Për fat të keq, aktualisht ne konstatojmë një raport të theksuar mosbesimi midis qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Rivendosja e këtij besimi do të jetë matësi dhe vlerësuesi më i mirë i funksionimit ligjor të sistemit. Konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është baza e vetme mbi të cilën mund të ngrihet suksesshëm çdo nismë e ndërmarrë në kontekstin e reformave. Së bashku me bashkësinë e gjyqtarëve dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kam përgjegjësinë dhe konfirmoj angazhimin për përcaktimin dhe konsolidimin e një sistemi vlerësimi të gjithëdiskutuar e të pranuar publikisht mbi nevojën e vlerësimit dhe vendimmarrjes për karrierën, promovimin dhe gjykimin administrativ të gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit. Ofroj të gjithë vullnetin dhe angazhimin e Institucionit të Presidentit të Republikës, në konsultim dhe bashkërendim kushtetues edhe me Kuvendin e Shqipërisë në përzgjedhjen dhe emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe atyre të Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar këtë proces si më jetësorin në konsolidimin e asaj trupe, e cila orienton dhe garanton tërë veprimtarinë profesionale dhe ligjore të të gjithë sistemit tonë gjyqësor. Institucioni i Presidentit të Republikës do të garantojë që vlera e lartë e dekretit presidencial t’u kushtohet vetëm atyre prokurorëve, të cilët e kanë vërtetuar kurajon, nivelin profesional dhe integritetin e tyre moral”, tha ai. Marrja e statusit të vendit kandidat në vjeshtë, ishte një nga prioritetet e presidentit të ri, Bujar Nishani. “Siç edhe na janë adresuar vazhdimisht miqtë tanë nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, si dhe ata nga Departamenti amerikan i Shtetit duke na e vënë në dukje, sot Shqipëria ndodhet përballë çasteve shumë të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e saj.  Synimi, përpjekjet tona si dhe krijimi i të gjitha kushteve të nevojshme për të marrë në mënyrë të merituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, janë interesi madhor i qytetarëve tanë – interes i lidhur drejtpërdrejtë me arritjen dhe plotësimin e atyre standardeve që shqiptarët meritojnë të kenë. Dymbëdhjetë përparësitë kryesore, të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian, përbëjnë reformat kyçe që duhet të ndërmerren nga ne dhe dëshiroj të vë në dukje se në këtë drejtim një seri rezultatesh pozitive janë arritur tashmë. ”, tha ai. Bashkëpunimi me të gjitha palët politike ishte një nga premtimet e kreut të ri të shtetit. “Në këtë ditë solemne, dëshiroj të konfirmoj të gjithë vullnetin dhe gatishmërinë time për të qenë një partner i sinqertë për maxhorancën qeverisëse dhe për opozitën politike! Institucioni i Presidentit të Republikës, në respekt të vullnetit të qytetarëve të vendit dhe në bindje ndaj frymës së Kushtetutës, do t’i ketë të hapura dyert e tij gjatë pesë viteve të ardhshme si për maxhorancën, ashtu edhe për opozitën për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe për vlerësimin e qëndrimeve të përbashkëta në interes të vendit dhe kombit. Misioni ynë është i njëjtë dhe i pandryshueshëm: ta bëjmë vendin tonë më të lirë, më demokratik, më të zhvilluar dhe gjithnjë e më shumë të dashur për të jetuar. Ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë gjithnjë e më të qetë, më të sigurt, më njerëzore dhe besimplote, duke shtuar përditë e më shumë garancitë për një jetë dinjitoze dhe paqe sociale”, tha ai.

Nishani në Presidencë, takon Topin

Ora 19:32 Presidenti i Republikës Bujar Nishani mbërrin në Presidencë. (Hyrja u bë nga krahu i zyrave të Presidencës). Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me ish-Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

Nishanit i dorëzohet Kushtetuta

Ora 19:35- Ish- Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dolën nga zyra dhe u drejtuan drejt hyrjes kryesore të Presidencës. Të dy Presidentët zunë vend në krye të shkallëve të Presidencës shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit sipas skemës përkatëse. Ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, Flamuri Kombëtar qëndroi i ngritur. Truproja e Nderit parakaloi para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, lëvizi drejt Presidentit të Republikës Bujar Nishani, për t’i dorëzuar në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha: I nderuar z.President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Z.Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën, Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

Nishani zyrtarisht President

Ora 19:40- Pasi mori zyrtarisht detyrën si President i ri i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i’u drejtua 500 të ftuarve të nderit me fjalët: “Sot ndihem njeriu më i privilegjuar dhe më i nderuar, duke qenë i zgjedhur në postin më të lartë të Shtetit, në atë të Presidentit të Republikës, por që nga ky çast mbaj mbi vete përgjegjësinë më të madhe të mundshme që mund të ketë në jetën e tij një individ në lidhje me vendin, me shoqërinë dhe me shtetin, në lidhje me miqtë dhe partnerët. Në këto çaste solemne, më lejoni t’ju paraqes tërë ndjenjën e përgjegjshmërisë time për të mbajtur betimin e bërë mbi Kushtetutën e vendit se: nëpërmjet integritetit, drejtësisë, bindjes ndaj ligjit, respektit ndaj vullnetit të popullit tim, bashkëpunimit dhe vendosmërisë si dhe besimit tek Zoti, do të përmbush çdo detyrë dhe përgjegjësi kushtetuese”, tha ai.

Bamir Topi largohet nga Presidenca

Ora 19:44- Pas fjalës së Presidentit të Republikës Bujar Nishani, Bamir Topi përshëndetet me Bujar Nishanin me shtrëngim duarsh. Bamir Topi sipas protokollit të ndryshuar nuk mbajti fjalim. Sh.T.Z.Bamir Topi u përcoll deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit. Shoqërohej nga bashkëshortja. Makina e ish-Presidentit shoqërohej nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndeti me dorë të gjithë të ftuarit.

Trokitje gotash dhe urime

Ora 19:50- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zunë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali, duke pasur kështu mundësi për foto. Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizën drejt sallës ku u mbajt pritja me rastin e marrjes së detyrës. Të ftuarit u priten në hyrjen e Sallës “Skënderbeu” të Presidencës nga Protokolli i Shtetit, ku përshëndesin dhe urojnë Presidentin e Republikës.

 Kush është Presidenti i ri, Bujar Nishani

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, vjen nga strukturat e Partisë Demokratike. Në CV-në e tij, karriera e tij është e ndarë në dy drejtime, deri në 1997 në pozicione të lidhura me Forcat e Armatosura dhe nga viti 2001 nis ngjitjen në hierarkinë e PD-së. Në 1989, Nishani ka qenë pedagog në akademinë ushtarake “Skënderbej”; në 1993 ka mbuluar marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes; në 1994, marrëdhëniet me NATO-n në Ministrinë e Jashtme, në 1996 ka qenë në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes dhe në 1997, kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë. Pas katër vjetësh, në 2001-n, ka marrë detyrën e sekretarit të degës së PD-së së Tiranës dhe dy vjet më vonë është zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Tiranës nga lista e selisë blu. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, ai u caktua në një prej zonave bastion të PS-së, në Kombinat, ku garonte përballë ministrit të Rendit të asaj kohe, Igli Toska. Nishani mori mandatin e deputetit në këto zgjedhje dhe dy vjet më vonë u bë ministër i Brendshëm. Në zgjedhjet e vitit 2009 u bë sërish deputet në qarkun e Tiranës dhe deri në 2011-n mbajti postin e ministrit të Drejtësisë. U rikthye në Ministrinë e Brendshme pas zgjedhjeve të 8 majit, deri ditën kur u votua si President i Republikës.

Kush është Kreu i ri i Shtetit?

Familja

Z.Bujar Nishani është i martuar me znj. Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani

 Arsimimi

Z. Bujar Nishani është diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988

 • Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni/SHBA, në “Menaxhimi i Resurseve të Mbrojtjes” në vitin 1996

 • Në vitin 2004 diplomohet “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

 • Në vitin 2005 merr titullin Master, në Studimet Europiane

 – Eksperienca ne pune

1988 – Pedagog, Akademia Ushtarake “Skënderbej”;

 • 1993 – Ministria e Mbrojtjes, Marrëdhëniet me Jashtë;

 • 1994 – Ministria e Jashtme, Marrëdhëniet me NATO-n;

 • 1996 – Ministria e Mbrojtjes, Kabineti i Ministrit;

 • 1997 – Në profesion të lirë; Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë;

 • 2005 – Zgjidhet deputet ne Kuvendin e Shqipërisë

 • Mars 2007 – Shtator 2009 Ministër i Brendshëm

 • Shtator 2009 – Prill 2011 Ministër i Drejtësisë

 • Prill 2011 e ne vazhdim Ministër i Brendshëm

Jeta dhe veprimtaria politike

Bujar Nishani anëtarësohet në Partinë Demokratike në vitin 1991

 • Në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën

 • Në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike

 • Në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj Partie

 PD-PS draft konsensual për imunitetin, por PS nuk e voton në 6 gusht

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë rënë dakord sot për një draft të përbashkët për heqjen e imunitetit, por opozita duket se nuk do ta votojë atë në 6 gusht, me pretendimin se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhet të bëhen vetëm për imunitetin dhe palët duhet t’i mbrojnë opsionet e tyre në debat publik.
Dy relatorët, Pandeli Majko dhe Edi Paloka bënë të ditur se është arritur konsensusi mes palëve për të pranuar draftin e propozuar nga PS-ja për çështjen e imunitetit. Në një prononcim për mediat pas takimit, relatori i PD-së Edi Paloka deklaroi se, maxhoranca ka pranuar 90% te propozimeve të PS-së me qëllim që në 6 gusht të votohet për heqjen e imunitetit. “Kemi pranuar 90% te propozimeve te PS për çështjen e imunitetit me qëllim që në 6 gusht ta votojmë këtë draft për të cilin është rënë dakord përfundimisht mbrëmë mes meje dhe zotit Majko. Unë nuk përfaqësoj Palokën, por PD-në dhe shpresoj që PS të respektojë dhe ruajë dinjitetin e zotit Majko e votojë në 6 gusht”,- deklaroi Paloka. Nga ana e tij, relatori i PS-së, Pandeli Majko nënvizoi se palët kanë përmbyllur një fazë me shumë rëndësi sa i përket ndryshimeve të Kushtetutës për imunitetin. “Sot kemi një dokument të pranuar edhe nga pala tjetër, e cila përfundimisht mbyll kapitullin për çështjen e imuniteteve. Jemi të gatshëm edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese dhe shpresojmë të merremi vesh si dy palë për ndryshimet e tjera. Kushtetuta nuk i përket partive politike, por publikut” – deklaroi Majko në mbledhjen e grupit të PS-së. Por sipas Majkos, PS nuk mund të votojë në 6 gusht për ndryshimin kushtetutës për imunitetin dhe në shtator të votojë sërish për ndryshime të tjera të Kushtetues. “Procesi i ndryshimit të Kushtetutës nuk mund të diskutohet si një ligj dosido. Nëse do të ecim me atë që dëgjojmë sot nga PD, i bie që ne duhet të shkojmë si grup parlamentar të votojmë në 6 gusht për imunitetin dhe në shtator të votojmë disa ndryshime të tjera. Ne nuk jemi ulur në tavolinë me PD, për të thënë votoni nenet që propozojmë ne. I vetmi kusht që ne kemi përballë PD është se ne duam debat publik. T’i mbrojnë në publik opsionet e tyre, ne jemi të hapur të mbrojmë opsionin tonë”,- u shpreh Majko.
Imuniteti, propozimet e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës
Në mbështetje të nenit 177/1 dhe nenit 77/a të rregullores së Kuvendit ne, një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që përbëjmë më shumë se një të pestën e anëtarëve të Kuvendit propozojnë amendamentet e mëposhtme lidhur me projektligjin në proces shqyrtimi në Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Amendamentet tona konkrete janë :
Amendamenti 1 : Neni 1 i projektligjit të riformulohet si vijon:
Neni 1
Neni 73 ndryshohet si vijon : “Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit dhe përmbushjes së të drejtave dhe detyrave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e kryera jashtë ushtrimit të funksionit dhe përmbushjes së të drejtave dhe detyrave të tyre si deputetë të Kuvendit.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij/saj të ushtrohet kontroll personal ose banesës, pa autorizimin e Kuvendit.“
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë të mbyllur për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të fshehtë, me votat e shumicës së të gjithë deputetëve.
Amendamenti 2. Neni 2 i projektligjit të riformulohet si vijon :
Neni 2
Neni 126 ndryshohet si vijon : “Neni 126
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mban përgjegjësi për mendime dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tij. Procedurat lidhur me përgjegjësinë e tyre për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre, në kushte të njëjta si përgjegjësia e deputetëve, rregullohen në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.”
Amendamenti 3. Neni 3 i projektligjit të riformulohet si vijon :
Neni 3
Neni 137 ndryshohet si vijon : “Neni 137
1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mban përgjegjësi për mendime dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tij si gjyqtar. Procedurat lidhur me përgjegjësinë e tyre për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre, në kushte të njëjta si përgjegjësia e deputetëve, rregullohen në ligjin organik të Gjykatës së Lartë. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.”
2. Gjyqtarët e tjerë nuk mbajnë përgjegjësi për opinione dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore. Gjyqtari nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.”