Asgjë e mirë nuk ndodh pa larguar Berishën!

527
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi: “Asgjë e mirë nuk mund të ndodh në Shqipëri, pa ndryshuar qeverinë e Berishës”

Dje, u arrit edhe kompromisi i PD-PS për një draft të përbashkët për reformën e heqje-kufizimit të imunitetit. “Vështirësia”, në qoftë se do të pranohet se ka, është gushti apo shtatori. Kjo lojë e kungulleshës politike, do të përbëjë edhe “esencën” politike të ditëve në vazhdim, për të na kujtuar që nuk jemi në vapën e beharit, por në ethet e politikës. Dhe, përshtypja, sidomos pas arritjes të kompromiseve të të mëdhenjve, është se dita e nesërme do të jetë e re, në kuptimin që nuk do të ketë më korrupsion. Mirëpo, a përbën kompromisi, drafti i përbashkët i PD-PS atë vullnet politik, atë heqje të imunitetit politik, në luftën kundër imunitetit? Kjo është e vështira, që nuk mund të shpresosh, nga kompromiset e të të mëdhenjve. Kryetari i PSD-së, zoti Skënder Gjinushi në intervistën ekskluzive  për “Telegraf”, thotë për kompromisin e reformës zgjedhore: Reformë me hajdutin, që të mos vjedhë hajdutin nuk ka”.  Ndërsa për reformën e heqje-kufizimit të imunitetit, zoti Gjinushi shprehet: “Sa kohë që institucionet janë në dhunën e një pushteti, aq më tepër të një klani mafioz, kufizimi i imunitetit, kur klani mafioz ka pushtuar institucionet, është armë që i jep këtij klani, nuk i jepet institucioneve. Kjo është e vërteta e imunitetit”.

– Zoti Gjinushi, produkti i kompromisit të reformës zgjedhore, të cilin Kryetari i PS-së e vlerësoi si një garanci për zgjedhjet e 2013-s, vërtet, a mund të na bëjë që të besojmë, edhe ne të tjerët, se do të kemi zgjedhje të besueshme dhe të ndershme, të paktën për opozitën?

Ne kemi vlerësimin tonë për gjithçka ndodh në Shqipëri dhe vlerësimi i parë është që asgjë e mirë nuk mund të ndodh në Shqipëri, pa ndryshuar qeverinë. Kriza shqiptare, që është krizë e gjithanshme, ka vetëm një emër: Qeverinë dhe Sali Berishë! Gjithë kursi qeveritar shkon në totalisht, në drejtim të kundërt me ato që quhet rekomandime të BE, apo me detyrimet që ka çdo qeveri për të plotësuar standardet demokratike të Europës. Paradoksi i parë shqiptar është që sa më shumë flitet për standardet europiane, aq më shumë i afrohemi standardeve afrikane. Dhe flasim për vendet problematike të Afrikës, se tashmë, Afrika e Veriut ka filluar të na i kalojë.  E kjo vjen pikërisht për shkakun se më para dështon qeveria, në atë që është rezultati i qeverisjes të një vendi europian, pra në marrjen e statusit kandidat, dhe për çudi nuk kërkohet largimi i qeverisë, për të sjellë një ndryshim të kursit qeverisës, por bën presion për ndryshim të kursit opozitar. E dyta, kërkohen të ndahen përgjegjësitë pozitë-opozitë. Opozita nuk dështon kur nuk mbështet qeverinë, dështon vetëm atëherë kur nuk ndalon dot gjëmat, aferat korruptive të qeverisë, manipulimet e qeverisë.

Çfarë kërkuam nga bërja e reformës zgjedhore?

Që në nisje, ne kërkojmë të bëjmë reformë zgjedhore, për të dhjetën herë, me qeverinë që vjedh votë. Shumë pak mund të shpresonim që mund të bëhej ndonjë gjë e re. Ne kemi dhënë alarm me kohë. Reformë me hajdutin, që të mos vjedhë hajdutin nuk ka. Këtu bëhet fjalë që të bëjmë presion që të plotësojmë vetëm ato që do Berisha. Janë 12 rekomandime? U tha fraza e “madhe”, më hipokrite nuk ka. “Epo, mirë, plotësojini një e nga një”. Ato kanë të bëjnë me qeverisjen. Pra, lufta me korrupsionin, forcimi i institucioneve, zgjedhje të standardeve, administrata civile e me radhë. Si t’i plotësosh këto një e nga një? Dhe pas një nga njëshi, kemi mbetur vetëm te njëshi. Flitet vetëm për reformën zgjedhore, e janë harruar të tjerat. Pra, që është qeveri e korruptuar, që korrupsioni është kthyer në virtyt nga qeveritarët. Që të zbardhet 21 janari, që cenohet Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, që të kthehet vota e fshehtë në Parlament. Të tëra këto harrohen. Kur vetë  reforma zgjedhore, cilësia e zgjedhjeve varet nga cilësia e qeverisë, nga klima politike, nga niveli i pavarësisë të medias, nga niveli i pavarësisë të Gjyqësorit, nga niveli i pavarësisë të administratës, nga roli pozitiv i shtetit, varet nga shkalla e korrupsionit në shoqëri e në qeveri. BE, përveç se ka 12 rekomandime, ka edhe një të dytë për zgjedhje që thotë, të garantojmë standarde zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme. Asnjë nuk e zbërthen këtë pikë të BE-së, i kanë vënë kryq.

– Qëllimisht?

– Qëllimisht, patjetër!

– Edhe ndërkombëtarët?

– Gjithkush! E bëjnë qëllimisht, sepse ka dy pika për zgjedhjet dhe 2 rekomandime. Një, udhëzimet e rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që janë kryesisht teknike, por në to mund të futësh edhe ca rregulla të tjera, siç është numërimi elektronik, që ka efekt edhe mbi infrastrukturën, dhe e dyta është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ky është detyrimi i qeverisë. Nga kjo burojnë shumë gjëra. Kjo kërkon vullnet politik.

Duke patur problemin numër një, vullnetin politik, atëhere ky vullnet nuk varet nga ligji, mbartet nga personat. Reforma duhet të zhveshë ndikimin e njerëzve. Në shoqëritë reale demokratike, jo si jona, vullneti politik për të vjedhë votën është zero dhe zgjedhjet i organizon Ministria e Brendshme.

Cili është roli i opozitës, pikërisht në këtë stad të zhvillimit të procesit integrues të Shqipërisë?

– Roli i opozitës është të afrojë alternativë të re për të qeverisur. Dhe jo të bëhet palë me pozitën. Loja më e keqe bëhet që për të fshehur këto dështime, për të fshehur këtë realitet, shmangen edhe rekomandimet e BE-së. Ne jemi në harkun e një viti, pas dy dështimeve radhazi.

– Ku jemi me 12 rekomandimet e integrimit të Shqipërisë, pas 2 dështimeve radhazi?

Përgjigja është e thjeshtë. Do të ishte ajo që pohojnë ambasadorët holandezë dhe danezë, që qeveria ka ecur mbrapsht në plotësimin e 12 rekomandimeve, duke filluar nga e para dhe me kryerekomandimin, që është lufta e korrupsionit dhe këto ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e shqiptarëve. Pra, jetesa e shqiptarëve jo vetën në atë të lirive, por edhe të mirëqenies, vetëm është përkeqësuar. Ne për të fshehur këtë, në mënyrë hipokrite, bëjmë sikur urojmë që të na japin status.

– Ç’do të thotë kjo?

– Që e dimë shumë mirë që situata është më e keqe, se një vit më parë, e dinë që shqiptarët jetojnë më keq, pra i janë larguar standardeve të Europës,  por ishalla Europa thotë që jemi më mirë, duke marrë edhe statusin. Është si ata që urojnë që marrin një diplomë false. Europa thotë që qeveria duhet të realizojë standarde, në radhë të parë jo për ne, por për qytetarët e saj dhe ne themi: “Standardet nuk i kemi plotësuar, por i jepni statusin qeverisë, se mbase, pastaj,  ajo do të detyrohet të na qeverisë më mirë”.

Shtrohet pyetja. Qeveria është  vetëm e paaftë, që të realizojë standardet  demokratike të rekomandimeve të BE-së për integrim?

– E kjo është një alibi shumë e shëmtuar, absurde,  që i jepet qeverisë. Nuk duan të thonë të vërtetën e madhe, që një qeveri e dështuar dy herë dhe qartazi, në realitet, ka dështuar edhe  për herë të tretë, jo se ka dështuar, se nuk arriti t’i bëjë, por nuk do t’i bëjë, se është në interes të kundërt, me mënyrën sesi qeverisin këta.

Derisa sot (dje) PS-PD ranë dakord për draftin e  përbashkët të imunitetit, a mund të shpresojmë që (të njëjtët) politikanë që janë përgjegjës për korrupsionin, të jenë po ata që me hartimin e një drafti ligjor, do të luftojnë korrupsionin?

– Që të luftosh korrupsionin, duhet të fillosh me largimin e të korruptuarve. Duhet të largojë veten Sali Berisha dhe gjithë të tjerët. Të pranosh standarde të barabarta, do të thotë të humbësh zgjedhjet për këtë qeveri.

Ç’do të thotë të japësh pavarësi institucioneve, kur ndërkohë, nga sot kemi një President, ish-militantin partiak të Berishës? Të shpresojmë këtë pavarësi, vetëm në zemërgjerësinë e Presidentit, mbase Presidenti nuk do të zbatojë qorrazi urdhrat e ish-shefit partiak?

– Të japësh pavarësinë institucioneve, do të thotë të humbasësh pushtetin abuziv dhe korruptiv, deri në mafioz. Sali Berisha është në konflikt interesi me standardet europiane. Ky është impakti shqiptar.

Pse thuhet që te ne, problem është vullneti politik?

– Sepse vullneti është negativ. Derisa është negativ, duhet ta zhveshësh këtë qeveri. Ose duhet ta heqësh këtë qeveri,

Përse nuk e thotë këtë opozita?

– Nuk e di përse nuk e thonë, që është mbrojtja që i bëjnë Sali Berishës. Pra, shumica “harrohen”, pjesa më e madhe ka nisur negativisht, nuk e thotë njeri, i gënjejnë shqiptarët me deklarime, që në tetor do të marrim statusin. Si mund të gënjesh që do të mbërrish në një pikëmbërritje progresive, kur ti ecën mbrapsht.  Urimi padashje, nuk është as urim, por është fshehje e së vërtetës. Populli në tërësi, që nuk i kupton gjërat, kur dëgjon që unë uroj që të marrim statusin e quan të mundshme dhe mendon me intelektin e vet që shumicat e gjërave janë bërë, derisa uron. Dhe kur gjërat nuk janë bërë dhe ti uron, ky është minimumi, tallje. Ose, ndryshe, është alibi për qeverinë. Te ne zgjedhjet bëhen me një broshurë. Madje, sa më i komplikuar të jetë ligji, aq më hapësira i jep  për manovrim. Sepse zgjedhjet varen nga vullneti politik.

Derisa PD-PS, siç thonë,  nuk kanë vullnet politik të vjedhin, nga kush ruhen që vënë rregulla mbi rregulla në ligj?

 – Kjo nuk thuhet. Ruhen nga hajduti.

Kush është hajduti?

– Qeveria, kjo është. Një palë vjedh, nuk vjedhin të dy palët. Se vjedh ai që nuk ka, tek ai që ka. Më thuaj një vend demokratik, që ka problemet të jenë në masën 10 %  që ka Shqipëria dhe nuk është ndërruar qeveria?

Nuk ka demokraci, që të pranohet të qeveriset nga një qeveri që ka vrarë.

– Po rolin e ndërkombëtarëve, si do ta vlerësonit?

– Në Shqipëri ndodh edhe kjo çudi. Gjoja ditën e parë distancohen nga ata që kanë vjedhë e manipuluar votën dhe të nesërmen venë dhe e urojnë atë që ka vjedhë mandatin. Dhe indirekt mbështetin manipulimin.

– A mund ketë vullnet politik që të luftohet korrupsioni?

– Jemi me një qeveri, që nuk bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, sepse ka 7 vjet që betohen se do të luftojnë korrupsionin dhe ka çdo ditë nga një skandal qeveritar. Nuk ka privatizim të rëndësishëm, që nuk është bërë me korrupsion. Nuk ka privatizim që nuk ka dështuar. Nuk ka ministër, nuk ka anëtar qeverie që nuk është akuzuar.

Si e vlerësoni kërkesën për heqjen e imunitetit, tani, që Kryeministri nga dje, me Presidentin, ka në dorë, de facto, gjithë pushtetet?

Është alibi për qeverinë. Kjo qeveri ka dështuar në luftën kundër korrupsionit. Nuk ka dështuar, se nuk e ka patur qëllim ta luftojë korrupsionin. Madje, kjo qeveri është bërë ricikluese edhe e korrupsionit të majtë. Për të mbuluar këtë dështim, për të dhënë përshtypjen e rreme që qeveria ka vullnet, në mbyllje të mandatit të saj, kërkohet gjoja të hiqet imuniteti, për të thënë: Ja qeveria ka vullnet ta luftojë korrupsionin.

– Po kur thotë Kryeministri, opozita nuk do se mbron miliarderët e saj?

– Edhe kjo është alibi, që do të thotë, se më pengon opozita për imunitetin, se po ta kisha hequr më parë, do të kisha bërë namin.

– Sa mund të pengohet qeveria të heqë imunitetin, nëse e dëshiron vërtet?

Vetëm qeveria nuk pengohet për të hequr imunitetin. Sepse është ajo që e kanë dorë me shumicën parlamentare. Të gjitha vendet e kanë imunitetin, tani kërkohet ky eksperiment vetëm në Shqipëri.

– Cila është ajo që duhet të kuptuar nga ky eksperiment?

– Imuniteti nuk është vënë të mbrojë korrupsionin. Imuniteti është vënë për të mbrojtur institucionet dhe individët e caktuar nga abuzivizmi i pushtetit. Se shkalla më e lartë është kur pushteti jo vetëm nuk e lufton korrupsionin, por lufton atë që nuk ekziston te të tjerët dhe mbron dhe promovon të superkorruptuarit e vet. Dhe kjo është shumë e vërtetë në Shqipëri.

– Ajo që kultivojnë, PD-PS,  me arritjen e kompromisit, është se një reformë ligjesh e ndryshimesh në Kushtetutë, do të sjellë rezultatin në luftën kundër korrupsionit. Sa  duhet të shpresojmë?

Qartazi shqiptarët kanë kuptuar, që lufta kundër korrupsionit, reale, fillon me largimin e të korruptuarve dhe jo heqjen e imunitetit. Me kufizimin e pushtetit abuziv, e jo me kufizimin e imunitetit. Sepse imuniteti real që mbron korrupsionin është mbrojtja politike.  Ajo që quhet, imuniteti politik.

– Na e ilustroni, që ta kuptojmë.

Fatos Nano ishte me imunitet në 1993-n dhe u dënua për bizele dhe nuk i shërbeu dot imuniteti për t’u dënuar edhe për bizele, duke qenë edhe kryetar opozite. Nga 2005-a e këtej, i shpallur, sipas Berishës, kampioni i korrupsionit, nuk është prekur pa imunitet, sepse Nano rregulloi marrëdhëniet me Berishën.  E njëjta gjë edhe me Metën. Meta ishte me imunitet dhe u çua në dyert e Prokurorisë, se përkrahu popullin e zonës në protesta. Ndërsa, sa u bë me Saliun, Ilir Floriri mbrohet në daç me floririn, se është në krah me Berishën. Imunitet politik, Berisha i ka dhënë 21 janarit; i ka dhënë Gërdecit; i ka dhënë rrugës së Kukësit dhe manipulimit të votës. Shumica e aferave kanë dështuar se kanë imunitetin politik.

– Po BE-ja përse e kërkon me kaq ngulm, sa thotë, që po nuk e votuat në 6 gusht, nuk ka status?

Nuk është e vërtetë. Së pari BE-ja, kjo kërkesë fillon që nga 2005-a. Dhe alibia është absurde, sepse Sala thotë erdhëm te kërkesa juaj, që ta bëjmë me Kushtetutë.

– Si erdhi pikë e rekomandimeve të BE-së heqja e imunitetit?

– Ngaqë Sala thoshte që më pengon opozita ta heq imunitetin, kjo u fut si rekomandim i BE-së. Heqja është nënpikë, se te korrupsioni është pikë e rekomandimeve, e kur zbërthehet kjo, futet ndëshkueshmëria, këtu është pavarësia e gjyqësorit, pavarësia e prokurorit, dhe është kufizimi i imunitetit, jo heqja. Saliu, të gjitha këto të tjerat i ka shkatërruar. Përpiqet të rrëzojë prokurorinë, ka dënuar pavarësinë e gjyqësorit, nuk iu bind thirrjes për President konsensual, se BE-ja pikërisht tha, duhet President konsensual, se pas atij vjen Prokurori i Përgjithshëm. Sala merr gjyqësorin dhe prokurorin, e thotë: Më jepni pak edhe imunitetin, t’ju tregoj unë …qejfin!

– Cila është mundësia e luftimit të imunitetit politik?

– Përvoja e ndërkombëtarëve është kjo. Forcimi i pavarësisë të institucioneve, forcimi i luftës ndaj korrupsionit, çon drejt kufizimit të imuniteteve, sepse është një mjet rolin e institucioneve të pavarura në luftimin e korrupsionit politik. Sa kohë që institucionet janë në dhunën e një pushteti, aq më tepër të një klani mafioz, kufizimi i imunitetit, kur klani mafioz ka pushtuar institucionet, është armë që i jep këtij klani, nuk i jepet institucioneve. Kjo është e vërteta e imunitetit.

Pse PS-ja nuk e shtron dhe e kundërshton kështu, por futet në grackën e afatit të gushtit?

Në fillim kishte një pozicion të tillë, meqë nuk ishim dakord. Ne kemi thënë, në qoftë se hiqen imunitetet pa asnjë kusht, ajo, absolutisht, është një veprim shumë, shumë i gabuar, do të ishte një gabim si ndryshimi i Kushtetutës në 2008-n. Pra, kjo quhet zhbalancim pushtetesh. Heqja e imunitetit, në kushtet kur Saliu ka në dorë gjithë pushtetet, është vetëvrasje. Jo aq për opozitën, se opozita  tërë ditën është e pambrojtur imuniteti, e ka në dorë Saliu, por për pak ato institucione, apo individëve që kanë mbetur. Tani ka një reflektim më të drejtë nga PS-ja, për kufizimin dhe jo heqjen e imunitetit, në kuadrin e një reforme në drejtësi. Kjo përputhet në rekomandimin e BE-së. Kjo shënon hapin e parë, jo në luftën e qeverisë kundër korrupsionit, por në luftën e institucioneve kundër korrupsionit qeveritar dhe politik. Futja e 3/5 në gjyqësor, është futja e 3/5 që i hoqe Presidentit. Kthimi i votës së fshehtë në Kuvend është një nga bazat e pavarësisë të institucioneve që zgjedh Kuvendi. Kur ti forcon imunitetin e institucioneve, heqja e imunitetit është në dorën e këtyre institucioneve kundër politikës.  Lufta kundër korrupsionit e pavarësia e institucioneve shkojnë paralelisht. Ose ushqejnë njëra-tjetrën, ose pengojnë njëra-tjetrën. Imuniteti politik është mbrojtja politike. Pushteti ka mjete në çdo rast, që të mbrojë personat, të vetët ndaj gjyqësorit, ndaj prokurorisë. Kur Prokuroria nuk i preku dot vrasësit e Gërdecit, gardistin e 21 janarit, që ishin pa imunitet, se kishin mbrojtjen e Saliut, ky është imuniteti politik. Po nuk e zgjidhe këtë, bëj çfarë të duash me imunitetin  juridik.

Si e cilësoni reformën e imunitetit?

– Një eksperiment i madh është, që nga një qeveri hajdute, të kërkojmë që, të luftojë korrupsionin që, me një qeveri manipuluese të votës, kërkojmë të zgjedhje të ndershme, me një qeveri anti-integrim, kërkojmë të integrohemi.

 – Ju faleminderit!