Blushi: Dhuna në Elbasan buroi nga selia e PS

68
Deputeti socialist Ben Blushi, ka folur pas mbledhjes së grupit parlamentar për dhunën e ushtruar ndaj tij në ceremoninë e anëtarësimeve të reja në Elbasan. Në një prononcim për mediat, Blushi tha se ngjarja e Elbasanit e ka burimin nga selia e PS-së. Për këtë arsye ai tha se i ka falur ata që ushtruan dhunë ndaj tij, ndërsa i ka kërkuar partisë së tij të distancohet nga dhuna.
“Ngjarja e Elbasanit e ka burimin në këtë seli. Unë nuk kam asgjë me ata të Elbasanit. I kam falur dhe më takon ti fal sepse janë nën ndikimin e kësaj selie. Sulmuan një njeri patëdrejtë që kishte shkuar për të kërkuar zgjedhje në parti. Do doja që PS të distancohej nga dhuna sepse ky nuk është problemi im, por i partisë që jo vetëm qeveris por ka edhe një rol edukimi. Njerëzit po nxiten të ushtrojnë dhunë ndaj personave që nuk mendojnë si ta.”, tha Blushi
Deputeti Blushi foli edhe për të inkriminuarit në parti. Ai mendon se në PS ka persona me precedentë penalë sepse përndryshe ligji i dekriminalizimit nuk do të kërkohej me forcë dhe nuk do votohej.
“PS ka votuar dekriminalizimin e kërkuar nga BE dhe SHBA. Nëse nuk ka pasur kriminel pse e ka votuar ? Kjo është pyetje për PS dhe prokurorinë”, u shpreh ai
Në mbledhjen e sotme, deputetëve të PS-së u është dorëzuar një dokument me ndryshimet e statutit të partisë. Blushi tha se nëse ndryshimet nuk lejojnë zgjedhjen e kryetarit, sigurisht që rrëzohen.
“Nëse ky statut i ndryshuar i heq partisë të drejtën e zgjedhjes sigurisht që për mua rrëzohet. Nëse i heq të drejtën për të kryer zgjedhjet për kryetarin, këto ndryshime bien”, përfundoi Blushi.