Reforma në Drejtësi, Manjani takim me Forumin e Shoqërisë Civile

457
Forumi i Shoqërisë Civile për Reformën në Drejtësi, përmes të zgjedhurve dhe përfaqësuesve të tij, gjatë një takimi me Ministrin e Drejtësisë, z. Ylli Manjani kanë parashtruar ditën e sotme një sërë propozimesh lidhur me reformën në drejtësi.  Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Ministri Manjani u shpreh se mbetet përkrahës i bashkëveprimit mes shoqërisë, politikës dhe ekspertëve duke e cilësuar këtë bashkëveprim si një mundësi që do të krijonte klimën e besimit të publikut, veçanërisht tek gjyqësori.

Në vijim të takimit,  Manjani është ndalur edhe në propozimin për ngritjen e Gjykatës së Pajtimit, duke vlerësuar se ky proces do t’i shërbente organizimit gjyqësor por në radhë të parë do t’i shërbejë organizimit të shoqërisë shqiptare. Manjani ka theksuar rëndësinë e konceptimit dhe artikulimit konkret të një procesi që nënkupton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rrugë jo detyrimisht gjyqësore, por të asistuara nga gjykatës profesionistë, nga njerëz të cilët kanë aftësinë e nevojshme për të negociuar dhe për të zgjidhur konfliktin e vogël apo mosmarrëveshjen e ditës. 

“Kam qënë dhe mbetëm përkrahës dhe do ta suportoj shumë idenë e krijimit të Gjykatave të Pajtimit. Unë besoj që paqja është në traditën e shqiptarit. Neve na intereson për efekt të organizimit shtetëror, që ta lirojmë gjykatën normale nga ngarkesa ose nga mbingarkesa me çështje të cilat në thelb zgjidhen shumë më mirë apo shumë më thjeshtë. Të paktën në çdo bashki të re ne duhet të kemi një Gjykatë Paqtimi, me qëllim që njerëzve në komunitet t’u ofrohet mundësia e pajtimit. Nëse ky proces do të ndërtohet mirë, do të jetë një instrument shumë funksional për shoqërinë shqiptare por edhe për shtetin”, u shpreh  Manjani Sugjerimet e  Manjani janë mirëpritur dhe janë vlerësuar nga përfaqësuesit e forumit.
Gjatë këtij takimi, forumi shprehu vlerësimin për punën e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ekspertëve të Nivelit të lartë ndërsa theksoi se draftet analitike dhe strategjike si dhe Rekomandimet e Komisionit të Venecias për realizimin e kësaj reforme duhen pranuar nga të gjitha palët, sepse ato i shërbejnë mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve shqiptar, ndërtimit të një sistemi efikas të një drejtësie të pavarur, në shërbim të qytetarëve shqiptarë, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. 
Sigal