Berisha dhe Olldashi inspektojnë punimt e tuneli të Krrabës

488
Sigal

 Endrra shekullore e qytetarëve të Elbasanit dhe Tiranës u realizua me sukses të plotë

Berisha dhe Olldashi inspektojnë punimet e tunelit të Krrabës dhe bashkëbiseojnë me punëtorët për mbarëvajtjen e punës, në këtë segment rrugor. Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka inspektuar punimet në tunelin e Krrabës, pjesë e autostradës Tiranë – Elbasan. Duke vlerësuar këtë projekt madhor dhe firmën AKTOR, së bashku me firmën kuvajtjane dhe nënkontraktorët e tjerë për punën e mrekullueshme që ata kanë bërë, Kryeministri theksoi faktin se, ndërtimi i këtij tuneli është realizimi i ëndrrës shekullore të qytetarëve të Elbasanit, Tiranës dhe gjithë pjesës  jug – lindore të vendit, të cilët përfitojnë nga ndërtimi i këtij tuneli në shkurtimin e distancës me kryeqytetin. Berisha tha, se  ky është tunel shumë i bukur dhe që plotëson standardet më të larta Europiane të sigurisë, të përshtatshmërisë dhe të ndriçimit. Kryeministri Berisha theksoi se,  Shqipëria në këtë mënyrë bëhet vendi i parë që ndërton segmentin më të vështirë në territorin e saj, të Korridorit 8. Gjithashtu kryeministri Berisha ftoi kryetarin e opozitës zotin Edi Rama, që të vijë në këtë vend dhe t’u kërkojë të falur qytetarëve të Elbasanit për bllokimin që i bëri në parlament ndërtimit të saj. Duke u ndalur tek projekte  tjera madhore të kësaj qeverie, kryeministri Berisha tha se një tunel tjetër dhe ai transformues për Shqipërinë, mezi po pret të nisë punimet, siç është ndërtimi i tunelit të Rrugës së Arbrit.  ”Më lejoni  të siguroj qytetarët e Peshkopisë, të Burrelit dhe të Bulqizës, të Dibrës së Madhe dhe të gjithë shqiptarët se, asgjë  nuk do të pengojë këtë qeveri dhe këtë qeverisje, pa e bërë atë një realitet për të gjithë shqiptarët, tunelin e Rrugës së Arbrit”,- u shpreh Kryeministri. Më pas ai ka inspektuar edhe njërën nga urat e segmentit rrugor Tiranë-Elbasan, urën më të gjatë të kësaj rruge, e cila është 1.8 kilometra e gjatë. “Kjo urë ndërtohet me një teknologji të veçantë të pa përdorur më parë në Shqipëri. Kjo urë është ura më e gjatë e kësaj autostrade të një rëndësie nevralgjike për zhvillimin e tregut, transportit, por edhe vendit në tërësi”, – u shpreh Kryeministri Berisha. Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik, i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, Tunelin e Krrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim. 204 milionë dollarë është kosto e rrugës sëbashku me tunelin. Tuneli me gjatësi 2,4 kilometra, ka dy tuba me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tunel. Punimet cilësore, të realizuara sipas parametrave më bashkohore, e rendisin këtë vepër me dinjitet përkrah infrastrukturave më moderne evropiane. Tuneli ndodhet rreth 13 km larg qytetit të Tiranës dhe rreth 10 km larg qytetit te Elbasanit. Në total janë gërmuar 500,000 metër kub shkëmb në 13 muaj dhe janë betonuar 50 000 metër kub beton në më pak se 6 muaj dhe janë realizuar 90 % e punimeve fizike për tunelin ndërsa për rrugën janë realizuar 47% e punimeve. Tuneli i Krrabës, së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra i japin jetë një rrugë të re, ndër më të rëndësishmet, në vend, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta. Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:“Kjo është një ëndërr shekullore, e qytetarëve të Elbasanit dhe qytetarëve të Tiranës,  që  është bërë realitet. Tuneli i Kërrabës është i kalueshëm plotësisht në të dyja anët, në rafinaturat e tij përfundimtare. Një tunel shumë i bukur, i cili siç do të më thoshte kryeinxhinieri, plotëson standardet më të larta europiane të sigurisë, të përshtatshmërisë, të ndriçimit dhe të të gjitha të tjerave. Jam jashtëzakonisht i gëzuar me përfundimin e këtij tuneli, de facto ky shënon pothuaj edhe përfundimin e rrugës. Së shpejti në një hark kohor pak mujor,  Tirana dhe Elbasani do të jenë qytetet më të afërta njëri me tjetrin në Shqipëri, do të jenë siç janë në shpirt të lidhur tiranasit me elbasanasit do të jenë dhe qytetet  e tyre të mrekullueshme. Kjo përbën një mbështetje të fuqishme, për  mbi një milion banorë, që janë në jug apo juglindje të vendit. Ky tunel  shkurton  distancën me Shkupin pothuajse një orë dhe për transportin e rëndë më shumë se një orë. Shqipëria në këtë mënyrë bëhet vendi i parë që ndërton segmentin më të vështirë në  territorin e saj, të Korridorit 8. Ndaj dhe më lejoni të falenderoj të gjithë punëtoret, të falenderoj inxhinierë, drejtuesit e kompanisë AKTOR, një kompani kjo, ndër më seriozet në rajon dhe më gjërë, në fushën e ndërtimeve. Pata kënaqësinë e madhe se kryeinxhinieri i kompanisë, tek po ecnim sëbashku në tunel më thotë se, ky tunel është dhe kryevepra e kompanisë sime AKTOR, është tuneli  më i bukur që kemi ndërtuar ndonjëherë, në të gjithë ndërtimet e mëdha, që kemi bërë në Greqi dhe në mbarë botën dhe unë u shpreh atyre falenderimin dhe mirënjohjen më të madhe. E ftoj zotin Rama, të vijë në këtë vend ku po flas unë dhe tu kërkojë të falur qytetarëve të Elbasanit. Tu kërkojë të falur, sepse e mbajti parlamenti deri në ora 5 të mëngjesit dhe të mos harrojmë,  se memoria kombëtare ka orën më precize, e mbajti në mënyrë që të bllokonte sëbashku me atë asistentin e shoferit. Megjithëse  ju thash: – Mos zotërinj,  a e kuptoni ju se, ky është interesi i zgjedhësve  tuaj në Kolonjë, deri në Leskovik, në Gramsh në Librazhd, në Berat, sepse po ecet drejt boshtit të jugut. A e kuptoni se çfarë gabimi fatal po bëni duke mos votuar buxhetin për këtë tunel, por megjithatë nuk predominoi atë natë, e cila më ka mbetur në mendje për gjithë jetën, predominoi, inati, smira dhe zilia tek kundërshtarët tanë dhe jo shpirti konstruktiv i bashkëpunimi dhe kënaqësia, që do të ndienin për bërjen realitet të një ëndrre të bukur të më shumë se 1.2 milion shqiptarëve. Megjithatë ardhja e tij këtu dhe kërkesa e një ndjese, mendoj unë, do të ishte akti më qytetar. Sot siç e shihni ky tunel ka përfunduar. Një tunel tjetër dhe ai transformues për Shqipërinë, mezi po pret të nisë punimet. Më lejoni  të siguroj qytetarët e Peshkopisë, të Burrelit dhe të Bulqizës, të Dibrës së Madhe dhe të gjithë shqiptarët se, asgjë  nuk do të pengojë këtë qeveri dhe këtë qeverisje, pa e bërë atë një realitet për të gjithë shqiptarët, Tunelin e Rrugës së Arbrit.