Basha kërkoi falje, Rama kërkon Kurban

569
Jakup B. GJOÇA
Kryetari i PD-së Lulzim Basha në Kuvendin Kombëtar të PD-së pranoi haptas se ai vetë, si kryetar i partisë ka gabuar. Dhe përmendi konkretisht gabimet e veta politike, sado pasoja që kishin sjellë partisë. Lulzim Basha nuk i shkarkoi gabimet te partia, as te persona të tjerë. Kryetari i PD-së pranoi, njëkohësisht, edhe risi të reja pune, me standarde më demokratike, duke decentralizuar të drejta, që deri tani i kishte ekskluzivisht kreu i PD-së, për t’u dhënë të drejtën e zgjedhjes dhe të vendimmarrjes bazës, degëve,anëtarëve të PD-së për përzgjedhjen e kandidaturave të reja për kryebashkiakë, për deputetë. Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike e drejta e fjalës së lirë iu dha kujtdo. Edhe atyre që etiketohen kundërshtarë të Kryetarit të Partisë. Dhe kritizerët folën, lirshëm, dhe ndryshe nga kryetari i PD-së. Kritizerët e kryetarit të PD-së gjithë kritikën e adresuan vetëm te kryetari i PD-së. Nuk pranuan, qoftë as parimisht, por as për sy e faqe asnjë grimë përgjegjësie për veten e tyre. Shumica e këtyre kritizerëve të sotëm të kryetarit të Partisë, që u qan zemra për parimet në Parti, dje ishin 8 vite ministra dhe e kanë harruar 2013-n që ishin ata shkaktarët e humbjes zgjedhore të PD-së, si ministra të akuzuar për korrupsion, për dallavere, për arrogancë etj. Dhe që nga 2013-ta e deri më sot, askush nga këta Ish-ministra të PD-së nuk kanë bërë asnjë autokritikë. Jo vetëm kaq. Por, nga 2013-ta e deri më sot, këta kritizerë të kryetarit të PD-së kanë harruar të bëjnë edhe opozitë qeverisë së Rilindjes. Gjithashtu, këta kritikët e kryetarit të Partisë në Kuvendin Kombëtar të PD-së, as u zotuan për veten e tyre, se do të kontribuojnë me përkushtim për Partinë. Por halli i vetëm i tyre, ishte që, qysh tani, kryetari aktual i Partisë të pranonte dorëheqjen, nëse humbet zgjedhjet e ardhshme. Pra, kritikët e kryetarit të Partisë, e pranojnë që tani fatalitetin, pa filluar beteja e zgjedhjeve parlamentare të 2021-it dhe halli i vetëm i tyre, është si të mbijetojnë ata, personalisht, pasi të ndodhë fataliteti për Partinë. Kryetari i PS-së Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare kritikoi të gjithë. Ministra, anëtarët e Asamblesë Kombëtare, kryebashkiakë, kryetarë të PS-ve nëpër qarqe. Kryetari i PS-së Edi Rama nuk kritikoi vetëm kreun e qeverisë, Edi Ramën. Kryetari i PS-së kritikoi për mungesë bashkëqeverisjeje kryetarët e PS-ve nëpër qarqe, sepse deri tani nuk kanë hapur zyrat e bashkëqeverisjes, aq sa gjithë fajin e shkarkoi te koordinatorja e Asamblesë Elisa Spiropalali, por “harroi” të kritikojë Bashkëqeverisësin dhe kryetarin e Asamblesë Taulant Balla, por edhe bashkëqeverisësin dhe kryeministrin Edi Rama, i cili ai vetë e përzgjodhi Elisën si koordinatore, edhe pse 2 vite më parë Elisa kishte dështuar tërësisht si drejtoreshë e Doganave. Në Asamblenë Kombëtare askush, nga mijëra anëtarë, nuk guxoi që të thoshte një mendim ndryshe. Askush, por të gjithë, ose heshtnin kur duhet të flisnin të vërtetën, se cili është fajtori i dështimeve të qeverisjes, ose pranonin me verbëri, mjerane me kokën në gijotinë, të jenë Kurbani i radhës i pushtetit të kryeministrit Rama. Kryetari i PS-së, Edi Rama, së fundi, e deklaroi. Që, edhe sikur të mos punojnë fare, edhe sikur të jenë kufomë e pakallur ende, ai dhe partia e tij do të fitojnë çdo lloj zgjedhjesh dhe sa herë që ato të zhvillohen. Prandaj, edhe autokritika do të bëhet në shtator. Që fajtorët e sotëm të keqqeverisjes, ata që kanë sabotuar edhe bashkëqeverisjen, të bëjnë rehat, pa u shqetësuar banjat e verës… Shqipëria pret deri në shtator. Edhe populli të durojë urinë, barrën e taksave të pastudiuara e të padrejta edhe 4 muaj, deri në shtator, derisa ka duruar 5 vite keqqeverisjen e deritanishme. Sepse, siç e tha edhe kryetari i PS-së në Asamblenë Kombëtare, “ I duruari, i fituari”. 
Sigal