Basha: Anulim ligjit për arsimin e lartë

101
Kryetari demokrat premton se një ndër vendimet e para të qeverisë së tij do të prekë studentët dhe të rinjtë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte dje me qytetarët e Korçës në një bashkëbisedim, ku u shpjegoi konkretisht planin ekonomik, që sipas tij, do sjellë më shumë para në xhepat e shqiptarëve, do rrisë konsumin, do rrisë prodhimin në vend, do hapë vende të reja pune. Ai premtoi edhe një herë anulimin e ligjit për arsimin e lartë, si dhe akuzoi qeverinë “Rama” për miliarda lekë abuzime, të konstatuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Gjithashtu, Basha u foli të rinjve për projektin e 10 mijë stazheve me pagesë për të sapodiplomuarit më të mirë. “Ka një dallgë të madhe shprese dhe besimi te një Republikë e Re që po vjen, e cila ka prioritet kryesor ekonominë tuaj, motorin dhe jo timonin, që është prioriteti im numër një. Me një plan konkret të besueshëm dhe të zbatueshëm prej ditës së parë. Me uljen e TVSh-së, me taksën e sheshtë 9%, me zerimin e dividentit, me taksën maksimale 1.5% të xhiros vjetore përfshirë edhe ato lokale e qendrore për biznesin e vogël, me pullën fiskale që njëherë e mirë do t’i nxjerrë jashtë taksidarët që i bien sot në qafë biznesit të vogël dhe e terrorizojnë atë. Klima pozitive e besimit do të ndezë motorin e ekonomisë shqiptare. Komponentët e këtij plani funksionojnë bashkë dhe i tillë edhe plani për stazhet e punës. 10 mijë stazhe pune në vit, të paguara me 200 mijë lekë në muaj për çdo të ri të cilët aplikojnë dhe fitojnë në bazë të meritës dhe rezultatit në universitet”, u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës u shpreh se ky plan funksionon në Amerikë, në Gjermani dhe do të funksionojë edhe në Shqipëri. “Isha në Amerikë këtë javë dhe takova Presidentin Trump, takim i jashtëzakonshëm, dhe kjo ishte java e zhvillimit të fuqisë punëtore. Çfarë po bënte administrata e Presidentit Trump?! Po financonte stazhet për studentët, po ulte tarifat dhe po e bënte më të mundshme për studentët amerikanë të ndiqnin shkollën e lartë. Po ndihmonte biznesin e vogël, po ulte taksat në tërësi dhe po krijonte një klimë më miqësore për investimet. Kjo është mënyra se si rritet ekonomia. Unë nuk kam premtime, kam një plan ekonomik dhe pika e parë është ulja e taksave që do fuqizojë ekonominë dhe hapjen e vendeve të punës”, tha Basha.

Lulzim Basha ka theksuar dhe një herë se Edi Rama është përgjegjës për gjendjen e vendit sot, dhe për mosmbjatjen e premtimeve. “Kudo po shkoj në Shqipëri njerëzit thotë që Edi Rama po kthehet si para 4 vitesh dhe prapë me premtime. Bëri premtime dhe nuk i mbajti premtimet, sepse nuk kishte prioritet ekonominë. Tani prapë po bën premtime. Por në vend të një plani ekonomik ka vetëm premtime të pambajtura. Nuk ka pasur prioritet hallet tuaja, por punët e miqve të tij. Vjen dhe u thotë që Luli do u ushqejë fëmijët. Jo absolutisht. Unë ushqej fëmijët e mi, por republika është e të gjithëve dhe ka dy zgjidhje, të ushqejë një grusht oligarkësh me palma, pllaka dhe kullat si kjo e Korçës, apo të ushqejë fëmijët e shqiptarëve në shkollat publike. Për mua qartësisht është e dyta”, u shpreh Lulzim Basha.

Gjithashtu, Basha premtoi se do të bënte anulimin e ligjit për arsimin e lartë, të miratuar nga qeveria “Rama”. Sipas Bashës, ky do të ketë ndër vendimet e para të tij në rast të drejtimit të qeverisë, duke u dhënë shanse të barabartë studentëve dhe duke hequr pengesat financiare. 
“Rama fshihet poshtë minderit”
Lulzim Basha, duke biseduar me banorët e Kamzës, tha se Edi Rama po përpiqet këto ditë të dalë me një tjetër lëkurë, sikur nuk është ai që prej 4 vitesh solli varfëri, mjerim, nuk mbajti asnjë premtim, i detyroi shqiptarët të braktisin vendin. “E keni parë apo jo, futet si ata fëmijët e vegjël poshtë minderit, del prej andej me rroba të tjera, e thotë se s’jam unë. Po ti je, ti që shkaktove gjithë këto probleme. Shqiptarët nuk harrojnë, ti je autori”, u tha Basha qytetarëve të Kamzës. Gjatë një takimi me të rinjtë, Basha u tha se këtë javë s’ka gjumë. “Ne jemi të palodhur, energjikë, ata janë telef, e keni parë sa të lodhur janë”, tha Basha. Ai e ka nisur dje ecjen në zonën e Kamzës në orën 8 të mëngjesit, duke u takuar dhe biseduar me banorë e tregtarë të vegjël. Kreu demokrat u tha banorëve të Kamzës dhe qytetarëve atje, se të dielën që vjen, ata kanë në dorë të sjellin në fuqi, një plan ekonomik që rrit konsumin, rrit fuqinë blerëse, rrit prodhimin, hap vende pune. Ky është plani im ekonomik, tha Basha, duke shpjeguar se ulja e taksave, do të sjellë më shumë para ne xhepat e shqiptarëve.
Dy kolona
Fushata ndryshe
Elton Metaj
Fushata për zgjedhjet e 25 qershorit është ndër më të veçantat e organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Ajo vjen pas një krize të ashpër politike dhe pas një marrëveshje të madhe mes dy forcave kryesore. Pikërisht kjo marrëveshje e madhe “ia hoqi nervin” fushatës elektorale, duke ulur peshën e gjetjeve të marketingut elektoral.

Fushata e dy partive të mëdha është shumë e ngjashme dhe me një dëshirë të munguar për të fituar çdo pikë ndaj kundërshtarit. Për rrjedhojë shohim qetësi, mungesë incidentesh, banderolash, posterash e flamujsh. Gjuha është paqësore, pa akuza të rënda dhe e mbushur me batuta, që nuk e kanë jetën të gjatë në kujtesën e votuesve. Megjithatë në dy liderët kryesorë ka disa gjetje të ndryshme. Rama shfaqet në fushatë me veshje sportive, duke fokusuar dy grupe votuesish: Të rinjtë dhe femrat. Ndërsa Basha shfaqet brenda stilit të tij të ngurtë të veshjes zyrtare, duke iu përshtatur fushatës vetëm me heqjen e xhaketës e kravatës.

Format e komunikimit për të dy liderët janë të ngjashme, pa mitingje masive dhe të fokusuar te bisedat e komunikimi i afërt me votuesin. Gjithashtu, PS dhe PD në këto zgjedhje kanë nxjerrë në pension edhe simbolet partiake. PS dhe Rama kanë bërë bashkë dy gishtat me numrin 2 në fletën e votimit, ndërsa PD ka shfaqur logon e asaj që e quan Republika e Re. E detyruar edhe nga shkrirja me aleatët, PD ka lënë mënjanë simbolin klasik.

Për të konfirmuar fushatën ndryshe të këtij viti, spikasin edhe disa raste konkrete si gjetje të marketimit elektoral. Duhet të kujtojmë dialogun e Ramës me mbështetësit e PD-së në Has apo afrimin me Bashën të disa figurave të majta, prej betejës në çadër e më pas. 

Ndërkohë në një sfidë tjetër ndodhet LSI, e cila synon të dëshmojë masivitet të takimeve elektorale, duke u vënë përballë dyshes Rama-Basha. Meta e Vasili mbeten brenda stilit të tyre historik në shfaqjet publike, me dallimin që tashmë emri për kryeministër është ish-mjeku dhe jo ish-peshëngritësi. Si shtysë elektorale është gjetur slogani “Forcë e parë”, duke synuar maksimalizimin e votave në kuadrin e ri politik pas paktit Rama-Basha.

Detajet femërore janë zbehur gjithashtu. Kjo fushatë me paqen Rama-Basha ka lënë jashtë vëmendjes së medias e opinionit zonjat e hijshme, që spikasin në të tilla raste dhe e përdorin sharmin e tyre edhe për marketing elektoral. Pak vëmendje ka sot për ecjen e Gridës, flokët e Mimit apo veshjen e Monikës. Kjo pra është një fushatë ndryshe.