Anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet edhe nga raporti për zgjedhjet

60
Një raport pozitiv për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, nisja e procesit të Vettingut dhe lufta kundër narkotrafikut janë listuar si tre kritere kryesore për vazhdimin e rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, nga eurokomisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn.

Zyrtari i lartë i bllokut, ka nënvizuar gjithashtu se është e rëndësishme që të ketë një bashkim kombëtar mes qeverisë dhe opozitës në kuadër të përmbushjes së kushteve që janë përcaktuar për të hapur negociatat. 

BRUKSEL- Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn ka deklaruar se vijimi i rrugës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian do të varët nga raporti i OSBE për zgjedhjet, nisja e procesit të Vettingut si dhe lufta kundër narkotrafikut.

Gjatë një takimi me korrespondentët e Ballkanit në Bruksel, zyrtari i lartë i bllokut tha se Tirana zyrtare duhet të shënojë progres në këto tre aspekte në mënyrë për të përmbushur aspiratën e saj të antarësimit. Sipas Johannes Hahn, është shumë e rëndësishme që të ketë një bashkim kombëtar mes qeverisë dhe opozitës në kuadër të përmbushjes së kritereve që janë përcaktuar për të hapur negociatat.

“Është mirë të kërkosh hapjen e negociatave, por ne mund t’a arrijmë këtë ose mund të reagojmë nëse kriteret që kemi kërkuar vazhdimisht do të trajtohen në një mënyrë inkurajuese dhe do të prodhojnë rezultate pozitive. Së pari, ne do shohim zgjedhjet dhe shpresoj të kemi një raport pozitiv nga ODHIR, së dyti një fillim të besueshëm të procesit të Vettingut dhe së treti luftë të efektshme në luftën kundër drogës.”

Megjithatë, përveç vazhdimit të këtyre proceseve, eurokomisioneri thekson se është e rëndësishme jo vetëm shpejtësia por edhe cilësia e ndërmarrjes së reformave. Ai shtoi se në fund të këtij viti, do të hartohet një tjetër raport për vendin tonë, i cili më pas do t’u prezantohet shteteve anëtare