Manastirliu: Status i veçantë për shkollat artistike, investojmë në potencialin e talenteve

37
Sigal

30 Nëntor, Tiranë- Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka vijuar takimet me mësuesit e Liceut Artistik në Tiranë në kuadër të fushatës së komunikimit me nxënës, mësues, prindër “Flasim për Arsimin”.
Ministrja Manastirliu foli për mbështetjen e dedikuar të shkollave artistike për zhvillimin e talenteve dhe rritjen me tej të formimit të tyre.
“Jemi duke punuar si Ministri e Arsimit dhe Sportit pikërisht për t’i dhënë statusin shkollave artistike. Me vendosjen e statusit do të kemi një mbështetje gjithashtu për shkollat artistike dhe rritje e mundësive për investimin në këto shkolla”,- tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka nënvizuar bashkëpunimin me Universitetin e Arteve, me qëllim përmirësimin e procesit mësimor në shkollat artistike.
“Ne kemi nevojë t’i ushqejmë talentet dhe të mundemi të investojmë tek ato që në momentet e para, por ne kemi nevojë për një vlerësim nga pikëpamja cilësore e mësimdhënies dhe për këtë arsye unë dua të kërkoj ndihmën e pedagogëve të Universitetit të Arteve për të bërë një vlerësim paraprak të të gjithë kapaciteteve që ne kemi në shkollat tona artistike, të eksplorojmë potencialin në këto shkolla dhe të nxjerrim rekomandimet e nevojshme”,- tha Ministrja Manastirliu.
Gjatë bashkëbisedimit me Ministren, mësues të shkollave artistike shprehën nevojën për investimin në instrumenta muzikorë dhe mbështetjen për edukimin në vazhdim të mësuesve.