Alfred Moisiu: Shteti nuk ndërtohet me “Maliqa”, por me Kushtetutë

421
Sigal

*ish- Presidenti i Shqipërisë

Në se rotacioni do të shihet thjesht si ndërrim figurash, atëherë nuk pritet asgjë. Me rotacion duhet të kuptojmë, në radhë të parë, angazhimin serioz dhe real, për të ndërtuar dhe vendosur deri në qelizë shtetin ligjor.

Zoti Alfred Moisiu, ish-Presidenti i Shqipërisë, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, merr qëndrim të qartë, përsa i përket konfliktualitetit politik për KQZ-në, e cila ka dëmtuar mirëbesimin e  procesit  zgjedhor. Ish-Presidenti Moisiu, shpjegon se, rikompozimi i KQZ-së tani nuk është: “Qëllimi kryesor nuk është administrimi i paanshëm i zgjedhjeve, por diktimi i rezultatit”. Gjithashtu, zoti Moisiu  ngre shqetësim të madh problemet me listat zgjedhore dhe qartazi  thotë, se, “në prapavijë të këtij problemi qëndron dëshira për të përfituar vota të tepërta, në interes të maxhorancës”. Meqë jemi përpara kohës, kur ende nuk janë shpallur listat e kandidatëve për deputet, zoti Moisiu, trajton edhe kriteret që duhen patur parasysh për figurën morale e të integritetit të kandidatëve-deputetë, ndaj ata duhet të jenë të mirëverifikuar. Në të kundërt, një deputet me një të kaluar jo të pastër, bëhen “ bëhen lehtësisht të përdorshëm nga shefat e tyre dhe veprojnë jashtë çdo ligji dhe principi”. Ish-Presidenti  Moisiu shpreh bindjen, se:“Ndërtimi i shteti të së drejtës, është kërkesë themelore që duhet përmbushur, vetëm kështu vendi ynë mund të pranohet në radhët e BE-së”. Zoti Moisiu, duke nënvizuar domosdoshmërinë e rotacionit politik, parashtron edhe thelbin dhe jo vetëm formën e këtij rotacioni. “Në se rotacioni do të shihet thjesht si ndërrim figurash, atëherë nuk pritet asgjë. Me rotacion duhet të kuptojmë, në radhë të parë, angazhimin serioz dhe real, për të ndërtuar dhe vendosur deri në qelizë shtetin ligjor”. Zoti Miosiu, trajton edhe Rezolutën Çame dhe thotë se, është falsifikim të thuhet se, Rezoluta 128ame është miratuar në 2004-n dhe kjo ishte arsyeja që Ai, firmosi i pari kërkesën për një Rezolutë të re për Çamërinë.

 

– Zoti President para pak ditësh u mblodh “Forumi civil 2010”, i cili i bënte thirrje ministrit të Brendshëm të pastrojë urgjentisht listat e zgjedhësve dhe  të caktojë qendrat e votimit. Sipas jush, cila është arsyeja e zvarritjes së listave të plota e të sakta zgjedhore?

– Është për të ardhur keq, që edhe pas më shumë se 22 vite, ende ekzistojnë probleme me listat zgjedhore. Kjo më shumë flet për pakujdesi, ose keqdashje, sesa për paaftësi të njohjes dhe pamundësi të pastrimit të tyre. Pikërisht, ky ka qenë edhe shqetësimi i “Forumit Civil 2010”, pasi kemi bindjen që këto anomali janë lejuar vullnetarisht nga organet përkatëse, sepse nuk janë probleme, që kanë dalë papritmas. Kurse, përsa i përket zvarritjes së plotësimit të kësaj kërkese të rëndësishme, aq më tepër që afatet janë ezauruar, del e qartë që në prapavijë të këtij problemi qëndron dëshira për të përfituar vota të tepërta, në interes të maxhorancës.

– Ju ngritët shqetësimin se 400 mijë votues nuk kanë adresë. Mos vallë këta janë emra fiktivë, apo më keq, të importuar, duke vënë në rrezik serioz ndershmërinë e zgjedhjeve?

– Shqetësimet që ngre Forumi në deklaratën e tij janë disa, por fakti që, sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, 400 mijë zgjedhës ende figurojnë pa adresë, është tepër alarmant. Dhe ky konstatim bëhet në një kohë, kur deri në datën e caktuar të zgjedhjeve, kanë mbetur afro 60 ditë ndërsa, sipas Kodit Zgjedhor, listat përfundimtare duhet të shpallen muajin e ardhshëm. Ky fakt është shumë shqetësues, sepse askush nuk është në gjendje të shpjegojë se, kush janë këta njerëz, a ekzistojnë realisht dhe ku ndodhen për të bërë verifikimet përfundimtare! Pra, në këtë situatë, si në xhungël, mund të dalin lloj -lloj gjërash të paparashikuara. Them se me këto anomali në lista dhe në adresa, çdo gjë që mund të mendohet, pasi baza për shqetësim është realitet. Për rrjedhojë, me këto çrregullime, nuk mund të pritet ndershmëri në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht deklaratave të shpeshta nga maxhoranca, e cila mban përgjegjësinë e plotë për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– Përqendrimi i pushteteve në një dorë dhe  futja në listën e kandidatëve për deputetë, i atyre që kanë dhënë vendime politike gjatë diktaturës dhe që nuk përmbushin kushtet e ligjit për pastërtinë e figurës, ju e gjykoni si një normalitet?

– Çdo përpjekje për të përqendruar pushtetin në një dorë është shkelje flagrante e Kushtetutës, e cila parashikon tre pushtete:Legjislativ, Ekzekutiv dhe atë Gjyqësor. Rrjedhimisht, Republika e jonë është parlamentare, por e përbërë nga ato pushtete që përmenda më lart. Pra, çdo përpjekje për t’i thjeshtuar dhe përqendruar këto pushtete në një dorë, sikurse edhe po ndodh tek ne, është një shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe e parimeve të demokracisë europiane. Kjo manifeston qartë se ende tek ne janë gjallë reminishencat e diktaturës, kur drejtonte Partia-Shtet, e cila vendoste për gjithçka. Rrjedhimisht, figura e deputetit duhet të jetë shumë e pastër, ajo duhet të jetë e mirëverifikuar. Deputeti duhet të ketë integritet dhe vendosmëri për të bërë më të mirën e mundshme për vendin e tij. Përvoja e deritanishme që tregon se, njerëz me të kaluar jo të qartë dhe të pastër, bëhen lehtësisht të përdorshëm nga shefat e tyre dhe veprojnë jashtë çdo ligji dhe principi, duhet në mënyrë të padiskutueshme të mos ndodhë në Kuvendin e ardhshëm., në se e duam që Shqipëria të bëhet si e gjithë Europa dhe të realizojnë ëndrrën tonë për të qenë në BE.

–  Cili është qëndrimi juaj për mohimin e datave historike të LANÇL, dhe vetë dhe Rezistenca antifashiste e popullit shqiptar?

– Për këto çështje jam shprehur qartësisht disa herë dhe sidomos në mënyrë të detajuar në librat e mia të kujtimeve. Historia e Luftës Nacional Çlirimtare është një nga pjesët në të lavdishme të historisë së popullit shqiptar. Ajo luftë e radhiti vendin tonë përkrah aleatëve të mëdhenj, që arritën fitoren mbi bishën fashiste dhe i dhanë Njerëzimit ato mundësi që të gjithë po i gëzojmë sot. Nuk duhet të ngatërrojmë luftën me periudhën e pasluftës. Ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për gjakun që u derdh dhe sakrificat e popullit tonë për atë kohë. Me këtë frymë patriotizmi, duhet t’i edukojmë brezat e rinj. Dhe kjo do të mbetet një nga pasuritë më të mëdha të shqiptarëve në shekuj.

  Prekja e KQZ-së ka qëllim  diktimin e  rezultatit

– Zoti Moisiu, konflikti për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, ka të bëjë vërtet me balancimin politik në KQZ, apo diçka tjetër nënkuptohet?

– Metamorfoza e përbërjes dhe zgjedhjes së KQZ-së në vendin tonë nga kodi në kod dhe nga zgjedhja në zgjedhje ka një ecuri shumë të ndërlikuar. Në Kushtetutën e vitit 1998, në nenin 153 dhe 154, përcaktohej funksioni dhe mënyra e zgjedhjes së këtij komisioni. Dhe, sipas këtyre neneve, komisioni nuk ishte aspak politik, por thjesht tekniko-organizativ. Por ja që, opozita e atëhershme,(maxhoranca e sotshme), nguli këmbë që të ndryshohej kjo mënyrë zgjedhje dhe anëtarët të propozoheshin mbi baza partiake, gjë që u mbështet fort nga Kryetari i atëhershëm i Misionit të OSBE-së në Shqipëri Osmo Liponen. Por, më keq, qe nxjerrja përfundimtare e KQZ-së nga Kushtetuta, në vitin 2008, e cila solli për rrjedhojë që ky institucion të ndryshojë pothuajse para çdo procesi zgjedhor. Përfundimisht, pas gjithë këtyre ndryshimeve, procesi i zgjedhjes dhe përbërjes së KQZ-së u kthye në një institucion plotësisht politik. Sesi funksionoi ky institucion më pas, e treguan zgjedhjet e vitit 2009-të dhe 2011-të. Pas gjithë këtyre peripecive, KQZ-ja, e cila në letër vazhdonte të konsiderohej e pavarur, pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, u reformatuar dhe rezultoi ajo që ne kishim para pak kohësh. Sesa e pavarur ishte ajo KQZ, u pa në ndodhitë e ngjarjeve pas ndryshimit të formatimit të koalicionit, si rezultat i kalimit tëLSI-së në opozitë. Pra, kurrsesi nuk qëndron arsyetimi se i përgjigjet marrëveshjes së vitit 2003-it. Sepse ajo marrëveshje ishte e vlefshme vetëm për ndryshimet që ju bënë Kodit Zgjedhor në atë kohë. Ndaj atëherë, pikërisht mbi këto motive, mes meje, si President, dhe zotit Berisha, ka pasur një debate të forta. Fakti, që në Kodin e ri Zgjedhor, të miratuar në atë kohë, për arsyet që unë nuk i mora vesh asnjëherë, nuk u përfshinë dispozitat kalimtare, ku duhej të përcaktohej, sesi do të paraqitej raporti i forcave politike në përbërjen e institucionit të KQZ-së, duke qenë se rizgjidheshin jo të gjithë anëtarët, por vetëm një pjesë, bëri që opozita të mbetej jo e përfaqësuar, ashtu sikurse ishte rënë dakord, çka me të drejtë krijoi pakënaqësi. Dhe kjo ndodhi, pasi në ligj nuk u pasqyruan dispozitat kalimtare, të cilat ishin domosdoshmërisht të nevojshme. Harresa ndoshta ndodhi nga që veprimet për hartimin e ligjit u bënë të nxituara, apo pati ndonjë hile, kjo është tjetër çështje. Por, ajo marrëveshje për aq e kishte vlerën. Kështu që çdo përmendje e saj sot është sa për të krijuar tymnajë. Përsa i përket problemit aq të përmendur për balancimin politik, mendoj se këtu kemi të bëjmë me një farë ekzagjerimi. Zgjedhja e KQZ-së bëhet ashtu sikurse e përcakton ligji, por në të nuk thuhet se, në rast se ndryshon formatimi i forcave politike, duhet bërë rizgjedhje. Zgjedhja e anëtarëve vërtet bëhet sipas propozimit të partive, por kjo nuk do të thotë aspak, që ata të jenë zbatues të verbër të kërkesave partiake. Vetë formula e betimit, ku thuhet se:”…. do të ruaj paanësinë në kryerjen e detyrës si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të tregoj profesionalizëm në kryerjen e saj”, tregon që anëtarët e këtij institucioni, pavarësisht se nga propozohen, kanë detyrim të caktuar për të qenë të paanshëm në detyrën e tyre. Nisur nga sa më sipër, për mua këmbëngulja, që me ndryshimin e rreshtimit politik, të rizgjidhen anëtarët, nuk ka sens ligjor. Rrjedhimisht, lufta për të bërë atë që duhet me çdo kusht të bën të dyshosh, se qëllimi kryesor nuk është administrimi i paanshëm i zgjedhjeve por diktimi i rezultatit, ndryshe nga ai që ka dhënë zgjedhësi shqiptar.

-Si e shikoni rrugëzgjidhjen  e ngërçit, në momentin që tre anëtarët të KQZ kane dhënë dorëheqjen

-Kjo është një situatë jo normale, e shkaktuar nga një anomali në komentimin dhe zbatimin e njëanshëm të  Kodit Zgjedhor. Situata të tilla duhen zgjidhur si pasojë e një bashkëbisedimi dhe kuptimi të përbashkët të kodit dhe jo në mënyrë të njëanshme. Në këto raste gjykoj, në qoftë se nuk do të arrihej një përfundim i përbashkët për zgjidhjen e çështjes, atëherë duheshin thirrur konsulentë ndërkombëtarë, jo të përdorej forca e kartonit, sikurse u veprua në Kuvend. Rruga që u zgjodh, të çon në veprime jo të drejta dhe krijon premisa të padëshiruara, për zhvillimin normal të zgjedhjeve. Pra, mënyra e veprimit të maxhorancës, në vend që ta lehtësonte situatën, solli një ngërç akoma më të koklavitur. Rrugëzgjidhja kërkon një konsultë specialistësh ligjorë të pavarur për të mos lejuar që situata të rëndohet akoma më shumë. Mendoj se një gjë është e qartë dhe e rëndësishme – situata duhet zgjidhur me pjekuri, sens përgjegjësie dhe gjykim shtetëror, jo partiak. Është urgjente të rivendoset besimi tek organet e pavarura. Shqipëria nuk është pronë e asnjë politikani, sikur mund të mendojë dikush që merr vendime sipas dëshirës, por pronë e popullit të saj. KQZ-ja nuk mund të veprojë me 4 anëtarë, jo për arsye të kuorumit, por për arsye të një trajtimi anormal të problemit. Këto veprime tregojnë qartë se nuk jemi serioz në ato që themi dhe angazhohemi. Si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, kur veprohet në mënyrë të njëanshme?! Shteti nuk ndërtohet me “Maliqë”… por me ligje dhe Kushtetutë. Kërkohet mirëkuptim dhe besim reciprok, ku të gjithë janë të interesuar për të ndërtuar një demokraci funksionale, reale dhe të mbështetur në normat europiane dhe jo bazuar në dëshirat tribale.

    Në Shqipëri duhet të zbatohen normat e politikës europiane, kush humbet dorëhiqet

 – Si ish-Kryetar i KLD-së, a mendoni se  një qeverisje PS-LSI  mund të  ndërtojë  shtetin e së drejtës dhe mund të fitojë  besimi i humbur te drejtësia, kur një pjesë e ish -drejtuesve të lartë hetimit militojnë sot si partiakë ?

-Ndërtimi i shteti të së drejtës, është kërkesë themelore që duhet përmbushur, vetëm kështu vendi ynë mund të pranohet në radhët e BE-së. Pa plotësuar këtë kërkesë është e kotë dhe tepër iluzive të pretendojmë dhe të presim që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Drejtësia sipas Kushtetutës është pushtet i veçantë. Rifitimi i besimit nga drejtësia, në radhë të parë është problem konceptimi i atyre që bëjnë pjesë në këtë sistem. Jam shprehur edhe herë të tjera, që në sistemin e drejtësisë duhet një përmbysje e tërë. Kjo arrihet duke hartuar ligjet përkatëse, për të kaluar në sitë të gjithë ata që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Para së gjithash duhet analizuar me kujdes dhe imtësi pasuria e secilit. Dhe për të bërë ligje të tilla, për këtë qëllim, duhet patjetër vendosmëri dhe vullnet i përbashkët i politikanëve kryesorë të vendit. Shpresoj që rotacioni ta sigurojë këtë. Në se rotacioni do të shihet thjesht si ndërrim figurash, atëherë nuk pritet asgjë. Me rotacion duhet të kuptojmë, në radhë të parë, angazhimin serioz dhe real, për të ndërtuar dhe vendosur deri në qelizë shtetin ligjor.

Kujt do t’i faturohen të vrarët e 21 Janarit? Me LSI në bashkëqeverisje, nëse fitojnë në 23 Qershor, a mund të shpresohet se do të vendoset drejtësi për 21 Janarin?

– Fjala shtet ligjor presupozon që ligji vepron mbi të gjithë, pavarësisht nga pozicioni ose ndikimi që mund të ketë.  Ngjarja e 21 janarit jo vetëm nuk mund të harrohet, por në se nuk rivendoset drejtësia, për të dhe për rastet e tjera të bujshme, atëherë nuk kemi bërë rotacion, por një lëvizje në boshllëk, që nuk të çon asgjëkund, jo më në Europë. Përvoja që kanë grumbulluar politikanët tanë, si dhe koncepti i krijuar mbi pavarësinë e shtetit, që shpesh përdoret për t’u mbrojtur nga kritikat ndërkombëtare, duhet të zerohen, duke ju përshtatur tërësisht kërkesave të BE-së dhe demokracisë europiane. Një nga treguesit, se vërtet kemi bërë rotacionin e duhur dhe të kërkuar, duhet të jetë dhënia fund e pandëshkueshmërisë në vendin tonë. Ngjarja e 21 janarit është njollë e zezë për demokracinë shqiptare që mund të hiqet vetëm duke ndëshkuar, sipas ligjeve, përgjegjësit kryesorë të saj.

– Nëse  PS-LSI, dhe humbasin zgjedhjet e 23 Qershorit, cilat do të jenë pasojat për Edi Ramën dhe Ilir Metën, individualisht?

– Mendoj dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë. Por, në se ndodh, edhe në Shqipëri duhet të zbatohen normat e politikës europiane, kush humbet dorëhiqet.

  

Rezoluta Çame e 2004-s, nuk është miratuar, zhurma është falsifikim

 – PDIU-ja dhe PD-ja pretendojnë se votimi i Rezolutës Çame, në Kuvendin e 2004-s quhet i miratuar. Për ju, a quhet e miratuar kjo Rezolutë?

– Profesor Servet Pëllumbi, i cili në atë kohë drejtonte Kuvendin, është shprehur plotësisht i qartë, se ajo rezolutë në vitin 2004 nuk është miratuar, rrjedhimisht, e gjithë kjo zhurmë është një falsifikim i turpshëm, që nuk di pse duhej bërë?! Edhe unë e kujtoj me keqardhje, që ajo rezolutë në atë kohë nuk u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo ishte edhe arsyeja që unë u investova për rezolutën e re, duke firmosur i pari peticionin që ju drejtua Kuvendit për të kërkuar miratimin e saj. Në qoftë se PDIU-ja do të bjerë preh e kësaj manovre, do ta ketë për të keqen e vet. Sepse  kjo parti, me të drejtë u impenjua për këtë rezolutë, në se nuk vepron si duhet në të mirën e saj, do të zbehet vërtetësia e qëllimeve që i vuri vetes.

– Nëse Rezoluta Çame, quhet e miratuar, kjo do të ketë ndikime në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi?

– Unë shpresoj dhe mendoj që nuk ka pse të ketë ndonjë ndikim. Greqia është fqinjë ynë natyror, anëtare e BE-se dhe e NATO-s, djep i demokracisë europiane dhe për rrjedhojë nuk ka pse të ketë qejfmbetje, pse ngrihen dhe kërkohen disa probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe aspak qëllime për rivendikime tokësore.

 – Ju faleminderit!