Zannieri:Do të vëzhgojmë zgjedhjet e 23 Qershorit

476
Sigal

Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Lamberto Zannier pas takimit me Edi Ramën

  Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier: “Sapo kam përfunduar një takim të frytshëm me Edi Ramën, kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, në të cilin diskutuam një sërë çështjesh, përfshirë rolin e Shqipërisë në OSBE, zhvillimet në Evropën Juglindore dhe zgjedhjet e afërta parlamentare në Shqipëri. Gjatë takimit, u njoha me qëndrimin e Ramës dhe dëgjova me vëmendje shqetësimet e tij rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe më konkretisht, me rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Unë kam shpresë se zgjedhjet që po afrojnë do të kontribuojnë në zhvillimin e një bashkëveprimi konstruktiv ndërmjet forcave politike shqiptare dhe në forcimin e qeverisjes demokratike. Dëshiroj të theksoj se pres që të gjitha palët të kontribuojnë për të sjellë nivelin e pritshëm të ligjshmërisë dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor, duke nisur nga sigurimi i një anëtarësie domethënëse dhe të plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Unë besoj se, Kodi Zgjedhor i ndryshuar në vitin 2012 përbën një bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve të mira.”

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama takon Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer

Kryetari i Partisë Socialiste është pritur sot në një takim të posaçëm nga Presidenti i Republikës së Austrisë Heinz Fischer. Në këtë takim presidenti i Austrisë dhe lideri i opozitës Edi Rama kanë ndarë mendime lidhur me situatën politike parazgjedhore në Shqipëri. Në këtë bisedë vëmendja është përqendruar tek klima parazgjedhore në vend dhe çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Presidenti i Republikës së Austrisë u shpreh mbi domosdoshmërinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Një tjetër çështje e bisedës mes Kryetarit të Partisë Socialiste Rama dhe Presidenti i Austrisë Fischer ishte edhe arritja e marrëveshjes Kosovë Serbi dhe dialogu i vendosur mes dy shteteve. Nga të dy bashkëbiseduesit arritja e marrëveshjes u vlerësua fort, si një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit.  Kryetari Rama e njohu Presidentin Fischer me Programin për një Rilindje Shqiptare, duke vënë theksin te rëndësia e ndryshimit të modelit qeverisës dhe ekonomik për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, të vendit, në të gjitha fushat. Bashkëpunimi me Austrinë, për Kryetarin Rama, siç u shpreh edhe gjatë këtij takimi, është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Po ashtu, Edi Rama i ka bërë një ftesë investitorëve austriakë që të rikthejnë vëmendjen nga Shqipëria, sepse pas 24 Qershorit qeveria e re e majtë do të mundësojë një klimë të favorshme ndaj biznesit duke vendosur standarde europiane të konkurrencës dhe të zbatimit të ligjit