Agron Duka: Nuk e përjashtoj mundësinë e kandidimit për kryebashkiak në Durrës

63

Intervistë për “Telegraf” me Agron Dukën, deputet i Partisë Republikane për Qarkun e Durrësit

 Deputeti i PR-së Agron Duka në intervistën për “Telegraf”, duke pasur parasysh reputacionin politik që gëzon, nuk e mohoi kategorikisht mundësinë që ai të jetë kandidati i së Djathtës për Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, duke pasur parasysh reputacionin politik që gëzon zoti Duka në Durrës gati në të tërë spektrin politik të elektoratit. Pohon se oponenca në sallën e Kuvendit nuk mund të zëvendësohet me mënyrat e përzgjedhura së fundmi nga opozita, por rrugëdalja është dialogu me maxhorancën në prezencën e faktorit ndërkombëtar, pasi lidershipi i së Majtës nuk u përmbahet dakortësive me opozitën nëpërmjet dialogut. Ndërsa për reformat që  miraton vetëm maxhoranca, zoti Duka thotë se “reformat e miratuara vetëm nga maxhoranca jo vetëm që nuk mund të vlerësohen demokratike, por nuk mund të jenë të qëndrueshme në kohë”.  

Zoti Duka, cili është vlerësimi  juaj për këtë kohë qeverisjeje të së Majtës?

– Vlerësimin për qeverisjen aktuale e dha populli që mbushi sheshin në protestën e organizuar nga opozita më datë 22 nëntor, protesta  masive kundër papunësisë, kundër rritjes së taksave, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, çmimit të naftës, prishjeve selektive të INUK-ut, është vlerësim  më objektiv se sa ajo  që mund të them unë i rreshtuar në krah të opozitës.

Zgjedhja e Ristanit si sekretar i Përgjithshëm i PD-së, qysh në fillim ka ngjallur debat të cilat vënë në dyshim edhe vetë procesin e zgjedhjeve. Ju mendoni se pas zgjedhjeve të saj, PD-ja  u fut në procesin ( normal) të reformimit?

 -Zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, me sa jam unë në dijeni, është bërë me votim të fshehtë nëpërmjet një konkurrimi të ndershëm ndërmjet tre personaliteteve me kontribute në PD dhe  fitoi z Arben Ristani. I gjithë ky proces mua më duket normal.

– Është e vështirë që të gjesh një shembull në vendet demokratike që opozita të bojkotojë kaq kohë Kuvendin. Ky fakt a nuk vë përpara përgjegjësisë Opozitën shqiptare?

 – Natyrisht që opozita në një vend normal, ku gjërat funksionojnë normalisht e ka vendin në parlament, sepse prandaj edhe është votuar për të qenë zëri i votuesve të saj në sallën e parlamentit, por në një vend ku opozita dhunohet në mënyrë sistematike, ku në mënyrë të hapur privohet nga të drejtat kushtetuese dhe arrin kulmin nëpërmjet dhunimit fizik, ajo nuk sheh zgjidhje tjetër përveç bojkotit, derisa jeta parlamentare t’i kthehet normalitetit. Nuk mund të them që oponenca që bëhet në sallën e Kuvendit  mund të zëvendësohet plotësisht me mënyrat e përzgjedhura së fundmi, por opozita nëpërmjet grupeve të punës është munduar ta plotësojë boshllëkun e krijuar nga bojkoti që natyrisht nuk është gjithmonë taktika më e mirë, por është një formë e detyruar në kushte të caktuara. Duke qenë se në të kaluarën e tij lidershipi i PS-së shpesh, madje shumë shpesh ka treguar se nuk i përmbahet dakortësive të arritura me opozitën nëpërmjet dialogut, si në rastin e statusit të nëpunësit civil, AMA-s,ILDKP-së etj, opozita ka listuar kërkesat e saj për të dialoguar me pozitën në prezencë të një organizmi ndërkombëtar, gjë e cila është në proces.

– Ju si do t’i vlerësonit deri tani reformat që ka ndërmarrë maxhoranca?

– Unë jua thashë edhe më parë, që është shumë e vështirë të kërkoni një vlerësim objektiv nga një politikan. Jam i sigurt që nëse këtë pyetje do ia bënit një deputeti të majtë,ai do të radhiste një mori  suksesesh  të qeverisë, prandaj jua thashë që vlerësimin më të saktë e japin vetë qytetarët, megjithatë, duke u munduar për të qenë sa më objektiv, unë do të thosha që përpjekja për të luftuar informalitetin, vjedhjen e energjisë elektrike, lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e bëra pa leje janë gjëra pozitive, por kur këto bëhen në mënyrë selektive, në favor të njerëzve me pushtet, kjo është një padrejtësi e madhe, që sjell efektin e kundërt dhe jo vetëm që nuk lufton informalitetin, por krijon një shtresë të privilegjuarish, të cilët, për mendimin tim, janë e keqja më e madhe që mund t’i bëhet vendit, e cila, përveç të tjerave, sjell rritjen e korrupsionit dhe pabarazi përpara ligjit.

A kanë vlerë ( demokratike) reformat që miraton vetëm  maxhoranca?

– Absolutisht reformat e miratuara vetëm nga maxhoranca jo vetëm që nuk mund të vlerësohen demokratike, por nuk mund të jenë të qëndrueshme në kohë, reformat e rëndësishme si ajo territorialo–administrative, reforma zgjedhore etj, nuk mund të gjejnë zbatim pa miratimin e të dy palëve pozitë-opozitë.

Ju, zoti Duka do të jeni kandidat për në Bashkinë e Durrësit, derisa ju morët në 23 qershor 2013 vota përtej klisheve  dhe blloqeve politike?

-Unë për një gjë jam i sigurt, që unë dhe votuesit e PR-së do të jemi në mbështetje të kandidaturës së djathtë, kushdo qoftë ajo.

Nëse ju do të vendosni të kandidoni, cilit elektoral do t’i kërkonit votëbesimin dhe përse?

-Unë mendoj se kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit do te jetë kryetar i të gjithë qytetarëve durrsakë dhe, si i tillë, kandidati, kushdo qoftë ai, duhet t’i kërkojë votat pikërisht atyre.

Nëse maxhoranca do të ketë kandidatin e saj zotin Lefter Koka, ju do të vendosni kandidaturën tuaj përballë tij?

– Nëse??!! Nuk  e kam menduar, por nuk besoj se ndodh.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA