Agim Nesho, ish ambasador në SHBA dhe OKB/ “Shengeni Ballkanik” kundërvënie BE-së. Kryeministri Rama është asimetrik dhe i pa parashikueshëm në qëndrimet e tij. Nevoja për të gjetur armik të jashtëm, nuk është diplomaci, por një sulm pa principt ndaj partnerëve të Shqipërisë

314

Agim Nesho, ish-ambasador në SHBA dhe OKB

Realizimi i “Mini Schengenit Ballkanik” në këto momente ishte më shumë një kundërpërgjigje ndaj refuzimit për hapjen e negociatave nga Këshilli i Evropës, se sa një plan i menduar mirë në interes të vendeve ballkanike

Kryeministri Rama është asimetrik dhe i pa parashikueshëm në qëndrimet e tij

Jakup B. GJOÇA

Agim Nesho, ish-ambasador në SHBA dhe OKB në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se iniciativa e kryeministrit Rama dhe Vuçiç për “Shengenin Ballkanik” është një kundërpërgjigje ndaj BE-së. Çdo projekt madhor si “Mini Schengeni Ballkanik” duhet të bazohej në disa parime e qëndrime parimore dhe jo përjashtuese. Zoti Nesho, e karakterizon kryeministrin Rama, asimetrik, të paparashikueshëm në qëndrimet e tij, ndërsa “Pavarësisht dëshirës për t’ju bashkuar Evropës, demokracia dhe shteti i të drejtës në Shqipëri po shkon drejt përkeqësimit. Çështja prioritare sot në Shqipëri është funksionimi i demokracisë së brendshme dhe institucioneve demokratike funksionale”.

– Zoti Nesho, iniciativa diplomatike e kryeministrit Rama me Vuçiç për ” Shengenin Ballkanik”, është një ide që i shërben Ballkanit? A është momenti i duhur politik për “Shengenin Ballkanik”, kur Shqipëria është në procesin e hapjes së negociatave me BE?

– Ideja e integrimit ballkanik është një ide e vjetër e Bashkimit Evropian për ta përgatitur Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit evropian. Ideja e tregut ballkanik është diskutuar edhe në Samitin e Triestes, si pjesë e platformës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Sigurisht ky integrim ballkanik do të bëhet në përputhje me ligjet dhe parimet evropiane dhe në shërbim të qëllimit final të integrimit evropian. Serbia është e prirë të bashkëpunojë si me Bashkimin Evropian ashtu edhe me rivalët e saj botërorë për të ruajtur avantazhin e saj politik me një politikë edhe Lindje edhe Perëndim. Realizimi i “Mini Schengenit Ballkanik” në këto momente ishte më shumë një kundërpërgjigje ndaj refuzimit për hapjen e negociatave nga Këshilli i Europës sesa një plan i menduar mirë në interes të vendeve ballkanike. Mënyra se si u veprua dhe deklaratat e presidentit Vuçiç “që nuk mund të presim dhe të jemi të varur nga BEja’ justifikon më shumë strategjinë e politikës së jashtme të Serbisë ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bashkuan më shumë si reagim ndaj BE-së, sesa si një veprim i menduar në interes të tregut dhe prosperitetit të vendeve ballkanike. Çdo projekt madhor si “Mini Schengeni Ballkanik’ duhet të bazohej në disa parime e qëndrime parimore dhe jo përjashtuese. A mund të ketë një Schengen Ballkanik pa Kosovën? Kjo është pyetja e parë për të cilën Serbia duhet të prononcohej dhe Shqipëria ta vinte si kusht të pa negociueshëm.

A është diplomaci e mirëfilltë nga Kryeministri Rama, që të fajësojë drejtpërdrejt dhe publikisht Presidentin Macron për “JO”- në e BE-së për mos hapjen e negociatave?

– Kryeministri Rama është asimetrik dhe i pa parashikueshëm në qëndrimet dhe deklaratat e tij. Kjo është një veti e liderëve autoritarë që nuk pranojnë asnjëherë dështimet e tyre. Nevoja për të gjetur një armik të jashtëm apo deklaratat se vendet e Ballkanit Perëndimor shikohen me diskriminim nga vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian jo vetëm nuk është diplomaci e mirëfilltë, por një sulm pa princip ndaj partnerëve të Shqipërisë në funksion të demagogjisë dhe propagandës së brendshme që faji nuk është i qeverisë. Bashkimi Evropian në vendim-marrjen e tij konsensuale nuk pranon veprime të pajustifikuara dhe të bazuara në interesa personale të shteteve dhe liderëve të tyre. Ndryshe do të ishte i pamundur funksionimi i tij. Në rastin e Shqipërisë shumë vende shprehën rezerva mbi funksionimin e shtetit ligjor dhe fenomenet negative që Shqipëria reflekton sot në Evropë. Vetë shumica e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria është një vend problematik, ku korrupsioni dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar janë evidente. Pavarësisht dëshirës për t’ju bashkuar Evropës, demokracia dhe shteti i të drejtës në Shqipëri po shkon drejt përkeqësimit. Çështja prioritare sot në Shqipëri është funksionimi i demokracisë së brendshme dhe institucioneve demokratike funksionale dhe jo justifikimi prej nesh i mangësive tona me rrezikun e influencave të fuqive të tjera drejt Shqipërisë, që është e drejtë e vendeve të BE-së të bëjnë vlerësime të situatës gjeopolitike në Ballkan. Presidenti Makron, për vetë rolin e tij si udhëheqës i politikave të jashtme të BE shprehu një qëndrim që shumë shtete të tjera në heshtje e kanë pranuar. Duke penalizuar Shqipërinë bashkë me Maqedoninë e Veriut, nën pretekstin e një qëndrimi parimor për të ardhmen e BE-së, ai ndihmoi në kontrollimin e situatës nga veprimet dëshpëruese të liderëve autoritarë në gjetjen e aleancave anti-evropiane dhe për t’i dhënë kohë reflektimi vendeve ballkanike në kryerjen e reformave të nevojshme.

– Zoti Nesho, Ju si e gjykoni që midis drejtuesve të Bashkimit Evropian, kryeministrave dhe Presidentëve të shteteve të BE-së ka këndvështrime dhe gjykime shumë të ndryshme për arritjet e reformave integruese e demokratike në Shqipëri?

– Bashkimi Evropian është produkt i një ideje brilante dhe një vizioni të qartë për të ardhmen e kontinentit evropian. Projekti është në realizim me gjithë sfidat që kanë dalë kohët e fundit nga lëvizjet nacionaliste dhe populiste që kërkojnë rikthim të sovranitetit të plotë të shteteve. Brukseli është qendra administrative e Unionit ose aparati burokratik që drejton Unionin. Udhëheqja e vërtetë është në vendimmarrjen politike të shteteve anëtare të Unionit ose Këshillit Evropian. Sigurisht, në raportin burokraci-veprim politik rëndësi të dorës së parë ka vendimmarrja politike e shteteve anëtare. Procesi i integrimit është një proces i bazuar në meritë, në arritjen dhe progresin e çdo shteti që aspiron anëtarësimin në BE. Në qoftë se komisioni vlerëson në realizimin dhe plotësimin e kritereve dhe përafrimin e legjislacionit, vendet e BE-së vlerësojnë arritjet politike dhe reformat. Prandaj për sa kohë që BE nuk do të funksionojë si një federatë e vendeve anëtare ku sovraniteti i shteteve të jetë transferuar plotësisht, Këshilli i Evropës do të mbetet primar.

– Në reagimin e Kryeministrit Rama për ” JO”- në e BE u theksua se “Ne i kemi bërë detyrat tona…”, ndërkohë që Gjermania dhe BE kanë vendosur 9 kushte për hapjen e negociatave deri në maj 2020. A mendoni se Shqipëria punon që t’i përmbushë ato kushte?

– Shqipëria ka pretenduar se “i ka kryer detyrat e shtëpisë”. Kjo, e mbështetur dhe në deklaratat e udhëheqësve të Komisionit Evropian, të cilët në këtë proces integrimi të tejzgjatur kanë arritur në konkluzionin se një zgjidhje politike duhet të mbizotërojë në Ballkanin Perëndimor. Shtetet anëtare, sidomos Gjermania si fuqia më e madhe e BE-së, mendojnë që hapja e negociatave duhet të shoqërohet me 9 kushte shtesë. Kushtet reflektojnë krizën institucionale dhe politike në Shqipëri. Asnjë shtet nuk mund të eksportojë konflikt dhe krizë në BE. Nëntë kushtet e Bundestagut të Gjermanisë, të cilat janë kushte për qeverinë Gjermane në vlerësimin e qëndrimit të progresit të Shqipërisë, jo vetëm njohin krizën e thellë por edhe tregojnë rrugën për daljen prej saj. Dy kushtet e para, për ngritjen e organeve kryesore të drejtësisë si dhe reforma elektorale e zbatuar, kërkojnë rikthimin e shtetit të së drejtës dhe zgjedhjet e reja në Shqipëri për të krijuar balancat e pushtetit. Kushtet e Gjermanisë janë “një detyrim” për të ardhmen e Shqipërisë evropiane. Ato nuk duhet të diskutohen por të zbatohen sa më shpejt në dobi të interesave të popullit shqiptar.

– Faleminderit!