Drejtim motoçiklete pa leje drejtimi, dhunë në familje dhe vjedhje, prangosen shtatë persona në Elbasan

436
Sigal

Shtatë persona janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit, për vepra të ndryshme penale në Elbasan.

Njoftimi i Policisë:

Shtatë shtetas të arrestuar, ndaluar dhe proceduar, gjatë 24 orëve të fundit, për vepra të ndryshme penale.

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Nga Policia Rrugore e Elbasanit vijojnë kontrolle të pandërprera, në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 shtetas dhe është ndaluar 1 tjetër, i cili ishte shpallur në kërkim dhe konkretisht:

A. V., 37 vjeç, B. H., 54 vjeç, të dy banues në Godolesh, Elbasan dhe R. M., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletat pa leje drejtimi.

H. Th., 59 vjeç, banues në Elbasan, pasi në unazën e qytetit Elbasan, ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

V. T., 52 vjeç, banues në Elbasan. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës Parë Elbasan e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, vihet në pranga nga Policia 53-vjeçari.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik u arrestua në flagrancë shtetasi:

S. H., 53 vjeç, banues në fshatin Stanaj, Belsh, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Vijojnë kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Poicisë Elbasan u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” shtetasi:

B. Z., 32 vjeç, banues në Elbasan, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një laptop, me të cilin dyshohet se ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.