Sigal

Ligji antimafia për çdo qindarkë të grabitur nga ata që në mjekësi zëvendësuan ligjin e Hipokratit me atë të hipokritëve. Me kaq para sa marrin koncesionarët e mjekësisë, do ishin dyfishuar pensionet e të gjithë shqiptarëve. Vetëm për 7 muaj kryeministri Rama ka dhënë 40 milionë euro për luksin e zyrtarëve të shtetit.  Çfarë fshihet pas koncesionit 100 milionë euro të laboratorëve?

Jakup B. GJOÇA

Edhe pse koncesionet nuk ishin fare në programet elektorale dhe qeveritare të Partisë Socialiste në 2013 dhe në 2017, qeveria e Rilindjes ia ka dorëzuar shëndetësinë publike koncesionarëve. Tashmë çdo shërbim në shëndetësinë publike jepet nga qeveria me koncesion, ndërkohë që në spitale nuk ka shtretër të mjaftueshëm për pacientët, nuk ka ilaçe, nuk ka mjek e infermiere, dhe, njëkohësisht, punësohen në organikat e spitaleve publike “koordinatorë”, detyra e të cilëve është të mbajnë… radhën e pacientëve dhe qetësinë nëpër korridoret e spitaleve.

Gazeta “Telegraf” ka publikuar koncesionet jo transparente, por nuk ka reagime

Gazeta “Telegraf” ka botuar shpeshherë shkrime me fakte konkrete, sesi koncesionet e pakërkuara nga qeveria, nga institucionet përkatëse, sikurse janë ministritë përkatëse, por të bëra me ofertën e privatit, p.sh., konkretisht në Check-up, hemodializë, në sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, të laboratorëve etj., janë dhënë në mënyrë jo transparente, asnjëherë drejtuesit politikë të ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë begenisur të reagojnë, qoftë edhe të përgënjeshtrojnë. Por as organet e specializuara hetuese shtetërore nuk kanë ndërmarrë asnjë hetim. Këta koncesionarë nuk kanë bërë asnjë investim, shërbimin e tyre shëndetësor e kanë bërë sërish në mjediset e spitaleve publike, madje me të njëjtin personel mjekësor, por vetëm kanë marrë fitimin bruto.

Edhe BB dhe FMN kundër koncesioneve

Koncesionet e dhëna nga qeveria, sidomos në shëndetësinë publike, nuk kanë bërë deri tani asnjë investim, nuk kanë hapur asnjë vende pune, dhe këto kanë sjellë, si pasojë, edhe rritjen e borxhit publik, aq sa rritja e borxhit publik ka shqetësuar edhe BB dhe FMN, institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kanë huazuar kredi tek qeveria shqiptare. Në disa raporte, BB dhe FMN kanë kritikuar drejtpërdrejt qeverinë shqiptare për koncesionet dhe kanë rekomanduar të mos japë më.

Më në në fund, reagon edhe PD-ja kundër koncesioneve në shëndetësinë publike

Partia Demokratike ka reaguar dje në lidhje me sektorin e shëndetësisë, koncesionet apo dhe papunësinë në vend. Deputetja e PD, Lindita Metaliaj pohoi se në 5 vite qeverisje nga Rama janë rritur taksat, bashkë me papunësinë dhe varfërinë. Sipas Metaliajt, sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet, do të anulohen koncesionet korruptive.  Shqiptarët që, sipas premtimit mashtrues të Edi Ramës duhet të kishin shëndetësinë falas, pas 5 vitesh kanë një sistem më të keq shëndetësor dhe paguajnë shumë më shtrenjtë për jetën. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përkufizuar me 1 fjali përkeqësimin e sistemit shëndetësor në 4 drejtime kryesore. Po citoj: “Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor, ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare, QSUT.”- thuhet në konkluzionin e KLSH-së.

Së pari, mungesa e specialiteteve, pra e mjekeve specialistë në spitalet e vendit tregon dështimin total të qeverisë me shëndetësinë. Për shkak të mungesave skandaloze të pajisjeve në spitale, mjekët ose nuk pranojnë të shkojnë ne rrethe ose largohen në emigrim.

Së dyti, mungesa e performancës në shërbimin parësor, pra në qendrat shëndetësore është treguesi më i qartë sesi sistemi është lënë në mëshirë të fatit, pa investime, me infrastrukturë të rrënuar, pa pajisje, pa ilaçet më elementare. Sistemi është vënë në shërbim të koncesioneve korruptive, veçanërisht të check up-it, pasi puna e mjekut dhe infermierit matet jo si i shërben qytetarit, por me sa analiza check up bën në muaj.

Së treti, përqendrimi i pacientëve në QSUT është treguesi sesi situata në spitalet e rretheve është përkeqësuar për shkak të braktisjes nga qeveria dhe centralizimit të shërbimit në një spital të vetëm, ku Ministrja kontrollon tenderët qindra milionësh.

Së fundi, por jo për nga rëndësia: Raporti i KLSH provon atë që vuan sot çdo shqiptar i zakonshëm: shtrenjtimin e një shërbimi më të keq shëndetësor. Dhënia me koncesion e shëndetit të shqiptarëve nga Edi Rama është arsyeja kryesore e përkeqësimit të përditshëm te shëndetësisë. Janë te paktën 385 milionë euro që paguhen nga taksat tona për 4 koncesione më shëndetësi.

120 mln euro për Check up

100 mln euro për laboratorët

92 mln euro për sterilizimim e pajisjeve mjekësore

73 mln për hemodializën

Asnjë nga këto koncesione nuk ka përmirësuar shërbimin në rrethe. Spitalet Rajonale nuk funksionojnë dhe i gjithë sistemi shëndetësor është në kolaps. Pasojat bien direkt mbi qytetarët, që duhet të paguajnë me shtrenjtë atë që mungon në spitalet rajonale. Shëndetësia sot është më keq, sepse Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqja kanë zgjedhur të japin qindra milionë miliona euro për koncesione dhe tenderë korruptivë, në vend që të investojnë për t’u siguruar shqiptarëve shërbim shëndetësor me standarde.