23 Qershori do të përcaktojë edhe fundin e karrierës politike të humbësit

442
Sigal

Forumi/ Flasin për “Telegraf”: Spartak Braho, Sabit Brokaj, Idajet Beqiri, Moikom Zeqo, Adriatik Alimadhi

Zgjedhjet e 23 Qershorit do të përcaktojnë fituesin dhe maxhorancën qeverisëse. Mirëpo, rëndësia e rezultatit zgjedhor të 23 Qershorit është e dyfishtë. Dy liderët e koalicioneve, Sali Berisha dhe Edi Rama kanë edhe një sfidë tjetër. Rezultati zgjedhor do të përcaktojë, në njëfarë mënyre, edhe fundin e karrierës së tyre politike. Ose më e pakta, dorëheqjen e tyre nga kryetar i partisë dhe të qënurit thjesht si një deputet. Sali Berisha, duke qenë në një moshë të këtillë, që një 4- vjeçar në opozitë, do të jetë shumë, për të bërë përpjekje, që të jetë më pas, kryetar i një maxhorance të djathtë. Ndërsa për Ramën, një humbje e tretë, pas zgjedhjeve të 2005-s, 2009-s dhe 2013-s, pavarësisht pretendimeve për manipulim të zgjedhjeve, do të jetë kapitulluese, e pa asnjë mundësi justifikimi për të kërkuar socialistëve një votëbesim për të qenë kryetar i PS-së.

Duhet të dorëhiqen edhe kryetarët e partive të vogla që kanë 22 vjet në krye të tyre

Por, problemi qëndron vetëm te dy liderët, Berisha dhe Rama. Ka edhe kryetarë të partive të vogla, që kanë 22 vjet kryetarë të tyre, pa bërë asnjë ndryshim në udhëheqje, thua se partia na qenka një pronësi, një biznes familjar dhe të qenurit kryetar është një privilegj i përjetshëm. Kështu, fjala vjen, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, nuk mund të pretendojnë më të jenë sërish në krye të partive të tyre, nëse koalicioni humbet. Por, edhe nëse Koalicioni fiton dhe partitë e tyre do të marrin vota më pak se në zgjedhjet e 2009-s, Gjinushi e Milo duhet të dorëhiqen, për të dhënë shembullin pozitiv, të zbatimit të standardeve demokratike. Sepse nuk mund të pretendosh kaq shumë, për standarde demokratike, duke ua kërkuar të tjerëve dhe kur vjen fjala për partinë tënde, të sillesh si një monark i përjetshëm në krye të partisë. Edhe sikur partitë e tyre, të kenë ndonjë rezultat pozitiv, për hir të ndryshimit që kërkohet kudo, këta drejtues partie, që kanë mbi 22 vjet, në të njëjtin post, duhet të japin dorëheqjen nga drejtimi i partisë, për të sjellë rinovimin kudo. Kjo vlen edhe për kryetarët e partive të djathta. Një shembull dha Neritan Ceka, i cili dha dorëheqjen nga partia e tij, ndoshta edhe sepse pranoi ofiqin e ambasadorit.

SPARTAK BRAHO: “ASNJË NGA KRYETARËT E PARTIVE NUK DO TË DORËHIQET, EDHE NËSE HUMBET ZGJEDHJET”

23 Qershori do të përcaktojë për  liderin humbës, Berisha, ose Rama edhe largimin nga kryesia e partisë?

– 23 Qershori do të përcaktojë fituesin, që është e Majta, madje me një rezultat mjaft të mirë. Përsa i përket karrierës politike, vështirë është  për politikanët shqiptarë, humbjet në procese të tilla elektorale, të kenë atë edukatë demokratike, më formale, që nevojitet, që të pranojnë  që të largohesh, jo nga politika, por të paktën, nga drejtimi i partisë. Kështu që unë mendoj, që as Rama, as Berisha, dhe as ndokush tjetër, që udhëheq partitë e tjera, të ketë gjasa që të pranojnë që të largohen nga drejtimi i partisë, në raste humbjeje.

– Humbësi i zgjedhjeve, a mund të përdorë alibi të metat, çrregullimet e procesit zgjedhor, kontestimin e rezultatit, si një justifikim, për të mos u larguar nga drejtimi i partisë?

– Do të jetë një opsion edhe ky, por kuptohet që nuk do të jetë i vetmi. Opsioni që partia ka nevojë për mua, do të jetë një justifikim i tyre, që të mos pranojnë të largohen nga drejtimi i partisë së tyre. Por mund të jenë edhe opsione të tjera, që kanë lidhje me të ndenjurat e tyre në këto poste drejtuese të partisë.

IDAJET BEQIRI: RAMA DO TË NDËSHKOHET, NËSE I VIDHEN VOTAT

Për Ramën do të jetë, sepse Rama nëse humbet zgjedhjet e 23 Qershorit, për mendimin tim, ai e mbyll karrierën e tij, sepse  do të konsiderohet një humbës i madh. Ndërsa për Berishën, nuk e konsideroj humbje, sepse konkretisht,  ai i humbur ka qenë, të paktën, në nga zgjedhjet e 1996-s. Ato zgjedhje duhet të ishin fundi i karrierës së tij politike.

– Nëse humbet në 23 Qershor, Berisha do të japë dorëheqjen nga kryesia e PD-së?

– Jo, jo, nuk jep dorëheqjen ai nga kryesia e PD-së, derisa të vdes. Ai shpirtin e ka të jetë kryetar, ose i PD-së, ose i qeverisë.

– A mund të jetë alibi kontestimi i rezultatit, për të mos u larguar nga drejtimi i partisë?

– Berisha nuk mund ta bëjë dot këtë pretendim, sepse është qeveria ajo që bën zgjedhjet. Nuk vjedh dot zgjedhjet opozita. Kurse Edi Rama, nëse zgjedhjet do të vidhen, nuk do të ndëshkohet sepse humbi zgjedhjet, por do të ndëshkohet përse lejoi Berishën që t’i vjedhë prapë zgjedhjet. Rama e di që zgjedhjet mund të vidhen, ndaj duhet të mbrojë votën e popullit.

PROF. DR. SABIT BROKAJ: “HUMBËSI ËSHTË BERISHA, POR KA PAK MUNDËSI QË TË LARGOHET”

– 23 Qershori do të përcaktojë për  liderin humbës, Berisha, ose Rama edhe largimin nga kryesia e partisë?

– Është një premisë, por nuk është e thënë. Për më shumë për Berishën, kjo shtrohet si domosdoshmëri, për vetë PD-në.

– Po për Ramën, nëse humbet, do të shtrohet çështja e ndryshimit të udhëheqjes së PS-së?

– Nuk e përfytyroj humbjen e PS-së në zgjedhjet e 23 Qershorit, ndaj, nuk mund të përgjigjem as teorikisht.

–  Humbësi i zgjedhjeve, a mund të përdorë alibi të metat, çregullimet e procesit zgjedhor, kontestimin e rezultatit, si një justifikim, për të mos u larguar nga drejtimi i partisë?

– Padyshim, që për të dy palët lënda për të vënë në diskutim rezultatin zgjedhor, ekziston që tani. Edhe nëse nuk ndodhin ngjarje të tjera  të paligjshme, të procesit zgjedhor.

MOIKOM ZEQO: “AS BERISHA DHE AS RAMA NUK DO LARGOHEN NGA DREJTIMI I PARTIVE TË TYRE”

– 23 Qershori do të përcaktojë për  liderin humbës, Berisha, ose Rama edhe largimin nga kryesia e partisë?

– Unë mendoj që as njëri dhe as tjetri nuk do të largohet nga drejtimi i partive që kanë, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve në 23 Qershor. Edhe ai që do humbasë, nuk largohet nga udhëheqja e partisë së vet. Ata do të jenë deputetë,. Do të kenë grupet e tyre parlamentare, kështu që do të jenë edhe kryetarë të partive të tyre.

– A mund të jetë alibi kontestimi i rezultatit, për të mos u larguar nga drejtimi i partisë?

– Nuk e besoj se do të njihet rezultati i zgjedhjeve në 23 Qershor, Berisha dhe Rama do të thonë, secili për veten e vet: “Unë kam fituar”. Dhe do të bëhet  një çikë e vështirë. Besimi im është që fiton e Majta kësaj here. Po që të japin dorëheqje, asnjëri nga ata nuk do të japë dorëheqjen, sido që të ndodhë.

ADRIATIK ALIMADHI: MOSDORËHEQJA, DO TË THOTË TË MOS PRANOSH STANDARDET”

Njerëzit që kuptojnë proceset, duhet që vetë liderët të vendosin një standard demokratik, edhe për vetë partitë, që pastaj të pretendojnë, për standarde demokratike për Shqipërinë.  Ata, kur kanë paraqitur alternativat e tyre para popullit dhe humbasin besimin e popullit, duhet edhe të zbatojnë standardin demokratik të dorëheqjes nga drejtimi i partisë, pasi populli nuk u miratoi alternativën politike. Mospranimi i dorëheqjes nga vetë liderët, do të thotë që ata nuk duan të pranojnë standarde demokratike për partinë e tyre, për veten e tyre.