Zef Preçi: Rrënimi i pakthyeshëm i ekonomisë

606
Sigal

Gazeta Telegraf/

Zef Preçi

Kriza ekonomike
botërore vazhdon të jetë prezent në ekonominë tonë kombëtare. Kjo shprehet në rënien
e konsumit, në funksionimin nën kapacitet të sipërmarrjeve, në mungesën e
besimit të investitorëve dhe të bankave ndaj qëndrueshmërisë fiskale dhe
institucionale të vendit, etj. Politikat fiskale të qeverisë, duke filluar me të
ashtuquajturin “aksion anti-informalitet” duket se kanë rezultuar
kundërproduktive. Siç tregon edhe analiza e revistës “Monitor” afro 40% e
bizneseve në Tiranë e shumë më tepër në rrethe, kanë kaluar në “status
pasiv” duke ndërprerë aktivitetin. 
Edhe gjobat dhe taksat, sidomos rivlerësimet për periudhat e kaluara e
pagesat me këste duket se kanë nxitur daljen nga tregu të bizneseve, por edhe
shfaqjen e formave të reja të informalitetit, duke zhvlerësuar propagandën
zyrtare për “suksese nga aksioni anti-informalitet”.

Politika e
mosrritjes së pagave në sektorin publik ka ndikuar në rënien e fuqisë blerëse
(familjet që jetesën e tyre të përditshme e bazojnë vetëm në pagën e punës në
sektorin publik jetojnë më keq se tre vjet më parë), po kështu me keq akoma
edhe pensionistët, personat me aftësi të kufizuar (PAK), ata që përfitojnë
ndihmë ekonomike, etj.  Ngushtimi i
informalitetit përkthehet edhe si përkeqësim i statusit të të vetë punësuarve,
bizneseve familjare, etj. Përndryshe kemi të bëjmë me një rritje të armatës së
fshehtë të papunëve, por edhe përkeqësim i statusit social ekonomik (duke
filluar me mosrritjen e pagës dhe shtimin e intensitetit në punë, punës së
papaguar jashtë orarit, etj) të të punësuarve në sektorin privat. Ndërkaq, rënia
e prurjeve monetare të emigracionit, etj., duket se kanë të domosdoshme që
qeveria të kthejë fytyrën drejt problemeve sociale të vendit, duke filluar me përcaktimin
dhe respektimin e një minimumi jetik për të gjithë qytetarët në nevojë dhe
grupet e tjera përfituese, duke rishikuar e përshtatur sistemin e pensioneve
dhe të ndihmës ekonomike, ndihmës ndaj personave me aftësi të kufizuara, etj me
këtë minimum. Analiza e mësipërme sjell në vëmendjen e lexuesve edhe diçka të rëndësishme
në lidhje me ndikimin e politikave ekonomike dhe fiskale që ndiqen në vendin
tonë: qeveria ka shkarkuar gjithë efektin e krizës ekonomike globale dhe barrën
fiskale të politikave që ndjek mbi sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe
mbi sipërmarrjet e vogla: të vetëpunësuarit e bizneset familjare, ndërsa janë
ndikuar pak ose paksa sipërmarrjet e mëdha.

Kjo situatë
provon se pavarësisht propagandës parazgjedhore dhe retorikës së përditshme në
“mbledhje populli për të qarë hallet e tij”, në veprimtarinë e saj
vendim-marrëse, qeveria jo vetëm nuk ka arritur të ruajë e të përmirësojë
nivelin e jetesës së shumicës së popullsisë siç kishte premtuar në fillim, por
edhe ka ruajtur pozitat e privilegjuara ekonomike dhe të biznesit të sipërmarrjeve
të mëdha duke rënduar pjesën tjetër të shoqërisë. 

Një numër
analistësh të ekonomisë dhe jo vetëm (duke përfshirë edhe autorin e këtij shënimi),
mendojnë se kjo vjen për shkak të mbipërfaqësimit politik në Kuvendin e Shqipërisë
të oligarkisë, si dhe të fuqisë përcaktuese të oligarkëve mbi qeverinë në
vendimmarrjet e saj kryesore mbi prokurimet publike, mbi pasuritë shtetërore,
mbi të drejtat ekskluzive të shtetit, etj. Shtimi i varfërisë për shkak të këtij
deformimi të funksionimit të sistemit nuk mund të mos ndikojë edhe në përkeqësimin
e funksionimit të demokracisë sidomos në aspektin elektoral, në mungesën e kërkesës
së llogarisë së Kuvendit t zhytur në konflikt të interesit nga një numër i
konsiderueshëm i anëtarëve të tij etj., gjë që lë shteg për keqqeverisje dhe
ushtrim abuziv të pushtetit. Implikimet që krijon tranzicioni i sistemit të
drejtësisë mbas amendimeve kushtetuese të Korrikut 2016 nuk mund të mos ndikojnë
negativisht edhe në jetën e biznesit në vend, sidomos sa i takon krijimit të një
klime besimi midis biznesit dhe qeverisë qendrore dhe lokale për të ardhmen.